Monday, January 24, 2011

Përse e hodha gurin tim më 21 janar?

- Sa nga 180 sindikatat e rregjistruara në Shqipëri kanë protestuar ndonjëherë për të drejtat e grupeve të tyre të interesit?
- Sa organizata e OJQ?
- Sa njerëz kanë mbështetur protestat e ambjentalistëve, rrënimin e monumenteve natyrore e kulturore, dhunën e grave?
- Sa njerëz kanë protestuar për skandalin qeveritar në Gërdec, ku humbën jetën 26 qytetarë shqiptarë e qindra të tjerë u plagosën?
Shikoni pjesmarrjen qytetare...
- Sa qytetarë kanë mbështetur protestat kundra çmimeve stratosferike të kompanive telefonike në Shqipëri?
- Sa qytetarë kanë protestuar për rritjen abuzive të çmimit të bukës, të energjisë elektrike, të karburantit, të gazit, të të gjitha produkteve ushqimore, etj, etj?

Përgjigjen e dimë të gjithë.

A mos vallë jemi vendi më i lumtur në planet?
A jemi vallë qytetarët me nivel jetese më të lartë, nën rregjimin më ideal të krijuar ndonjëherë nga shoqëria njerëzore?

Sot për sot në Shqipëri, mundësinë dhe aftësinë për të organizuar protesta e demostrata e ruajnë ekskluzivisht vetëm forcat e ndryshme politike, të cilat me anë të damarëve të tyre mund të thërrasin  e lajmërojnë njerëz edhe nga zona më e pashpresë e Shqipërisë, atje ku infrastruktura e qytetërimi nuk ka mbërritur ende. Ky është një fakt i pakundërshtueshëm. Vetëm politika mund të përdorë apo zgjojë njerëz.

Shoqëria civile, në Shqipëri ka vdekur edhe nëqoftëse në disa momente të caktuara historike mund të ketë lindur.

Askush pra të mos tentojë të gjykojë njerëz që protestojnë, askush prej atyre që ato pamje i kanë ndjekur virtualisht.

Banditë, kriminelë, hajdutë, puçistë e mercenarë janë të gjithë njerëzit me qëndrim indiferent, që nuk janë ndërgjegjësuar për rolin e kontributin e tyre në shoqërinë ku bëjnë pjesë.

Do ti pështyj në surrat të gjithë ata frikacakë e njerëz të vegjël që u përpoqën dhe ende tentojnë të përbaltin shqiptarët që demostrojnë, shqiptarët e pakënaqur, shqiptarët që duke jetuar në një vend të begatë marrin asistencë 2 karta telefonike në muaj, shqiptarët që shpresojnë, besojnë e luftojnë për ditë më të mira për të gjithë bashkë.

A mos vallë ato miliona euro para të pista të korrupsionit elitar rëndojnë vetëm mbi xhepat dhe fëmijët e njerëzve që protestojnë? A mos vallë të vjedhësh, të gënjesh, të abuzosh e të mbrosh krimin paska hyrë tek kategoria e vlerave?
A mos vallë ky realitet gri do të lodhë vetveten e do të ndryshojë vetëvetiu?

Ajo demostratë ishte një shpresë që Shqipëria po rilind, që njerëz që mjerimi u ka mbetur në grykë e padrejtësia u dhemb gjer në palcë u bashkuan për ti thënë Stop kësaj talljeje kombëtare, kësaj parodie dhimbjeje e hipokrizie, këtij sistemi të ndyrë që na ka korruptuar deri në shpirt dhe ende nuk ndalet duke na përbuzur.
Nuk quhen drejtues njerëzit që drejtojnë shtetin shqiptar, quhen vartës, të varur direkt nga vullneti i popullit, i cili ashtu si i ngre të kryejnë detyrën në shërbim të tij, po ashtu i zbret, i rrëzon në raste të ndonjë rezistence kokëfortë e qesharake.

Protesta e demostrata të tilla ka në gjithë botën e qytetëruar ku përpiqemi të shkojmë, sepse protesta dhe demostrata është e drejtë e pamohueshme e të gjithë njerëzve të planetit. Nëpërmjet tyre dhe presionit që ato ushtrojnë bien diktatura, ligje të gabuara, figura të shtrembta e të korruptuara. Me anë të demostratave kanë fituar të drejtat njerëzit me ngjyrë, gratë, e qindra e qindra shoqëri të ndryshme anembanë globit.

Në një Shqipëri ku ende festohet Festa e 1 Majit, sponsorizuar nga shteti, mbushur forcërisht me punonjës së administratës shtetëtore, nuk mund të flitet më për demokraci. Në një Shqipëri ku hipokrizia ka mbytur vlerat dhe korrupsioni meritokracinë, duke vënë një shkop të trashë në rrotën e zhvillimit, nuk mund të flitet për drejtësi.
3 qytetarë shqiptarë dhe pikërisht Hekuran Dede, Faik Myrto dhe Ziber Veizi kanë humbur jetën në një demostratë të rëndomtë që ndodh në çdo shtet të sotëm europian dhe një kryeministër faqezi dhe shkaktar i të gjitha fatkeqësive postkomuniste del dhe gënjen pa iu dridhur qerpiku para të gjithë botës së qytetëruar.

Ky kryeministër është kudo dhe di gjithçka. Ai ka dhe luan cilindo rol që ia jep ajo mendje e shkretë, prokuror, gjykatës hetues, thashethemexhi, e gjithçka të dojë.
Ai deklaroi para të gjitha mediave shqiptare e të huaja, fill pas mbylljes së përgjakshme të demostratës, se viktimat ishin qëlluar me plumba nga afër, pas kokës e bythë veshit nga vetë protestuesit, për të ndezur situatën.

A e kuptoni se deri ku arrin pafytytyrësia dhe mizoria e këtij diktatori?

Po ashtu siç doli dhe mbrojti turpërisht e në mënyrë kriminale skandalin filmik Meta-Prifti (fitilin e kësaj demostrate), me të njëjtën djallëzi shkon dhe mbron ende vrasësit e 3 heronjve të parë, të fundit të tij.

Në asnjë vend të botës së qytetëruar nuk vriten demostrues, edhe sikur këta të fundit të hyjnë  e djegin institucionet shtetërore, sepse shteti nuk është pronë private dhe jeta e një qytetari vlen më tepër se çdo institucion guri e tulle. Në asnjë vend të botës kryeministri nuk del të mbrojë kriminelët e të pështyjë mbi të vrarët, pabesisht.
Këtë nuk e kreu as miku i tij Ramiz Alia, kur qytetarët u dergjën të hidhnin bustin e ish diktatorit Hoxha.
As Fatos Nano nuk përdori armë, kur Sali Berisha me arkivolin e heroit të demokracisë në krahë, e tanqe pas krahësh dogji, shkrumboi e rrëzoi kryeministrinë në një grusht shteti.

Kaq i pabesë është ky njeri, sa arriti të përdorë edhe të vdekur A. Hajdarin, të cilin sa ishte gjallë kish bërë çmos për t'a shkelur.

Kush iu tha more njerëz hipokritë, të ndyrë, injorantë fondamentalë, se ndokujt në këtë botë i pëlqen dhuna?

Cila është ajo paqe në botë, e cila është ngritur pa dhunë?

Si mundet vallë ky popull të shprehë vullnetin e tij, nëse votën ia vjedhin, ia djegin, nëse zërin ia mbytin, nëse mendjen ia infektojnë, nëse i shkatërrojnë çdo nyje ku mbahet një shoqëri demokratike. Si mundet vallë qytetari të gjejë drejtësi kur prokuroria e gjykatat e kanë humbur pavarësinë?

Ky diktator është më i keqi që prej periudhës otomane në Shqipëri. Ky përbindësh quajti sharlatan zotërinë e nderuar M. Pasha, i cili i vetëm mbrojti në Gjykatën Kushtetuese tradhëtinë kombëtare të dhurimit të ujërave detare me shtetin grek.

Si e shpjegoni që Z. Pasha ky akt qytetarie i pashembullt e shpalli Personazh të Vitit dhe kryeministri shqiptar e quajti sharlatan?

Cilat interesa mbron e shfaq Berisha?

Si tallet me këtë popull me shpërblime për gardistët (praktikisht jo profesionalë) dhe la gjithë pensionistët pa shpërblim për Vit të Ri?
Po rekruton mercenarë kundra popullit shqiptar?

Si tallet ky skizofren me mitingje kundra dhunës? Kundra asaj dhune të cilës i doli avokat mbrojtës.

E duhet të dini se ndërkombëtarët nuk na duan kurrë më tepër se sa ne, duam veten.

Unë i kam ende shenjat e shkopave të gomës në shpinë dhe në brryl, për të mbrojtur kokën, por gurin tim e hodha ndaj këtij shteti, jo ndaj policëve të gjorë.
Ato gurë që hodha, i hodha edhe për të drejtat e atyre policëve, që nuk kanë gojë të flasin nëse rroga u vonohet, nëse vështirësitë e punës nuk iu shpërblehen, nëse kontrata e punës iu shkelet dhe ata nuk mundet të gjejnë një vend ku të kërkojnë të drejtat e tyre.
Pjesmarrja qytetare në homazhet e 3 të rënëve të parë, të hapit të fundit drejt demokracisë, ishin panorama e qartë e ndërgjegjësimit qytetar. Ngushëllime dhe shkoftë deri në fund kauza e tyre!

113 qytetarë shqiptarë (ku mes tyre, për fare pak, mund të isha edhe unë) janë arrestuar nga ky rregjim dhe shumica prej tyre mbahen padrejtësisht brenda qelive, ku mbi ta ushtrohet dhunë e njëtrajtshme, në mënyrë krejt të paimagjinueshme për një shtet demokratik. Ata janë të burgosur politikë, në një sistem totalitar.

Shqipërët, sot duhet të tregohen vëllezër e motra me njëri-tjetrin dhe të nxjerrin para drejtësisë shkaktarët, që nuk po iu dridhet syri t'a sakrifikojnë këtë popull, duke e çuar në një luftë civile.
M O S   U   P E R D O R N I !
Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

1 comment:

Anonymous said...

Une nuk e kuptoj se si populli shqiptar, pas 20 vjetesh pushtet te Sali Berishes, akoma vazhdon ta votoje e ta mbeshtese. Ai nuk eshte gje tjeter vec se nje hipokrit, kriminel, megaloman dhe servil i pushtetit perendimor. Fale drejtimit te tij falimentues kemi 20 vjet qe jetojme ne tranzicion. Jetojme ne nje shtet ku shteti nuk ekziston dhe cdo resultat permiresues vjen fale parave qe hyjne nga ato qe jane jashte.
Qeme shume te afte te shkatronim cdo shenje industrializimi komunist, duke e lene Shqiperine pa asnje burim zhvillimi, por, nuk jemi ne gjendje te largojme nga qeveria nje te tille.
Mendoj qe protesta eshte nje hap i pare drejt nje ndryshimi ne mentalitetin shqiptar por, per te nderruar me te vertete shoqerine do te duhet dicke me shume.
Cdo person duhet te kete nje arsim te mire per te qene ne gjendje te mendoj e te vendose lirisht ne menyre te drejt. Per te mos qene viktime e pushtetit.
Por c'fare ke bere Sali Berisha ne keto vite qe ka drejtuar Shqiperine? Ka trasformuar tere sistemin shkollore ne nje farse, ku per tu diplomuar nuk te duhet me truri por parate. Keshtu qe vazhdojne e prodhohen injorante qe nuk jane ne gjendje te bejne asgje per te ndryshar situaten.
Le te protestojme atehere por, pa dhune. Tu tregojme qe i kemi kuptuar lojrat e tyre dhe nuk durojme me por, pa i dhene pretekstin per tu fshehur. Ajo c'fare po ndodh me ceshtjen e protesten po mbulon tere faktet e korrupsionit qe perfshijne qeverine.