Nicola është vetëm 10 vjeçare dhe flet shqip po kaq bukur, sikur e flasin atë fëmijët në lagjet e Shkodrës.
Si?
Sepse në shtëpinë e saj flasin vetëm shqip, shikohen filma shqip dhe babi, Luigj Shkodrani, është mjeshtër për të sajuar antena që të marrë sa më shumë stacione televizive shqiptare. Shqiptarët në Danimarkë, falë kujdesit edhe të shtetit atje, janë të organizuar me sa mundësi u jepet.
Mes këtyre organizimeve, është edhe një radio shqiptare, ku vajzukja në moshën katër vjeçare ka recituar atje, para mikrofonit, një vjershë në gjuhën shqipe që i ka kënaqur pa masë dëgjuesit atje me atë shkodranishte të ëmbël, siç e flasin aq pastër, në dialektin e Mjedës, shkodranët e vjetër të zonës katolike.
E bukura Nicola! Ua ka shpërblyer aq bukur, aq mirë, me fuqinë e saj kozmike që i jep mosha fëminore prindërve të saj që e kanë lënë Shkodrën prej halleve të tyre, në një mënyrë që do të tregojmë më poshtë.
Ja se ç’më shkruan nga Danimarka miku i familjes Shkodrani, z. Arben Hoxhaj, kryetar i shoqatës ”Alba – Dansk”.
“Në moshën katër vjeçe e kam parë me sytë e mi se si vajza jonë me dy shkopinj te vegjël imitonte violinën dhe me anën e zërit të saj vinin melodi nga me të ndryshmet. Gjatë kësaj kohe, prindërit panë tek Nicola e vogël, se dëshira dhe prirja e saj ishte të merrej me muzikën e përkatësisht me violinën. Ndaj prindërit e saj, Luigji dhe Linda, u interesuan, që Nicola të vazhdonte studimet për violinë. Ata e regjistruan në një shkollë private të muzikës, ku dhe sot vazhdon të marrë leksionet e violinës.Gjatë gjithë kohës është shquar për një përvetësim të shpejtë të leksioneve të afruara nga mësimdhënësit e saj. Ajo në fillimet saj ra në sy për talentin e saj dhe në minikoncertet që bëheshin në shkollë, ajo shquhej për një shkathtësi dhe vullnet të paparë, duke luajtur me violinën e saj pjesë të ndryshme nga kompozitorë të njohur botërorë dhe ato shqiptarë.
Por çfarë është me interesantja, se dëshira më e madhe e Nicolës është të luajë me violinën këngën shkodrane "Lule bore", që me aq pasion e luan, jo vetëm në mjediset e shtëpisë por dhe në radion shqipe, në mbrëmjet e ndryshme, që organizon shkolla e saj dhe shtëpia e kulturës "Kulturehus".
Shkodrania e vogël që ëndërron ta shikojë përditë qytetin e saj që nuk e ka parë kurrë, merr pjesë rregullisht në filarmoninë e qytetit të saj, ku e ka regjistruar vetë “profesori”, siç e thërret ajo edhe në shtëpi mësuesin danez të violinës. Në kuadrin e vitit të ri, fëmijët danez të filarmonisë, dhanë një shfaqje mes elitës së qytetit, ku qe edhe një fëmijë nga Shqipëria. Pikërisht vajzukja jonë me mbiemrin “Shkodrani”, e cila luajti solo para të gjithëve. Pjesa e saj violinistike quhet "GLADE JUL" (Krishtlindje të gëzuara) e kompozuar nga Franz Gruber. Në koncert ishin të ftuar personalitet më të larta të Bashkisë së qytetit dhe të institucioneve të kulturës të daneze. Morën pjesë shumë të ftuar nga të gjitha moshat. Për minuta të tëra nuk ushtuan duartrokitjet prej lojës spektakolare të Nicolas së vogël që hidhte sytë tërë kohës nga tre palë sy të përlotur, që të tre ishin sytë e mamit, babit dhe vëllait të saj.
Vajza për pak u sul që nga skena të puthte atë treshe që don më shumë se askënd në botë, por e mbajti veten dhe u dërgoi nga një puthje në ajër, duke e mbajtur violinën në dorë si një tufë të madhe trëndafilash….
Mes duartrokitjeve, ndër të tjera, përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës së Danimarkës dhe të Bashkisë, tha, në fund të koncertit: “Më vjen mirë që në mesin tonë kemi një interpretuese shqiptare, që zgjerohet dita ditës në fushën e artit dhe që po integrohet me shumë sukses në jetën daneze, duke lënë gjurmët e saja”.
Riza Lahi, T. Observer
No comments:
Post a Comment