Nga ditët e shkrehura në qejfe të Vitit të Ri apo Krishtlindjeve, udhëtimet, takimet me miq, shëtitjet e lira dhe mbrëmjet deri vonë pa kokëçarjen se duhet ngritur e vajtur që në mëngjes për në punë, shijimet non stop të gatimeve dhe pijeve me tepri që përgatisim dhe shijojmë me këtë rast, vjen çasti që zilja tringëllin për të na zgjuar herët dhe që nga ky çast të ndërtojmë gjithçka më shumë të detyruar se të lirë.
Përveç kënaqësisë që na sjell puna, sa mirë do të ishte sikur të pushonim edhe ca se!
Këmbët na sjellin me përtesë përballë një skrivanie plot me telefona që bien, dosje të grumbulluara, vrap nëpër takime të programuara dhe ku s'duhet të vonohemi edhe pse nuk na e ka qejfi fare, rikthime brenda katër mureve, orë të zgjatura pas pune dhe shumë njerëz nata i mbledh në shtëpi.
Pushimet, sidomos afatgjata, por dhe të më të shkurtra si këto që sapo kaluam në fundvitin që lamë pas, në fakt na çojnë në një stil jete të ndryshëm nga ai i zakonshëm. Por vjen çasti i trishtueshëm i rikthimit në të zakonshmet punë të përditshme.
Gjithë ky ndryshim i ritmeve biologjike paraqet një gjendje shpirtërore që mund të shkojë deri në depresion apo traumë, që përgjithësisht ndodh në mënyrë të beftë, provokon një shqetësim në ekuilibret delikate të organizmit dhe i hap derën gjithë shqetësimeve të përshkruara më sipër. Shok-u pas pushimeve kap miliona njerëz në gjithë botën. Përbën gjithashtu një dukuri të trajtuar nga psikologët në të gjithë botën.
Në anglisht quhet "post-vacation blues", ku blues do të thotë 'trishtim' dhe vjen nga rryma e njohur muzikore e krijuar nga komunitetet zezake amerikane gjatë skllavërisë dhe në këtë rast i referohet malinkonisë që na kap kur rifutemi në punë, duke menduar për ditët e bukura të sapopërshkuara dhe lëna pas dhe për ato që na presin. Duke i bashkëngjitur edhe 'tecnostress'-in, që ka të bëjë me vuajtjet posaçërisht nga teknologjia, si telefoni dhe kompjuteri, që sjellin probleme edhe më të rënda për shëndetin dhe shoqërohen edhe me demonstrata shoqatash aty-këtu.
Dhe për rrjedhojë cilat janë sintomat që na kapin?
Ndihemi më të lodhur, vuajmë nga shqetësimet e gjumit, humorit, kapje ankthi, apati, irritim dhe mungesë përqendrimi.
Ky është i ashtuquajturi "sindrom i rikthimit në punë". Por psikologët këshillojnë që kjo nuk duhet të na shqetësojë, sepse këto simptoma zhduken pas njëfarë kohe dhe janë pjesë normale jona, pasi trupi ynë ka nevojë për një periudhë tranzitore për t'u rimësuar me rram bamin-in e çdo dite.
Duhen disa ditë për t'u rikthyer në ritmin normal të punës dhe kjo krijon disekuilibrin dhe problemet e përkohshme. Kështu që nëse prodhimtaria jonë e përditshme është inferiore krahasimisht me më parë, gjithçka do të kthehet në normalitet më shpejt se sa mendohet.
Por si të shërohemi?
Mund të vërejmë me kujdes edhe këto rregulla të thjeshta që japin psikologët:
• Në ditët e fundit të pushimeve përpiquni të flini më shumë, matni konsumin e alkoolit dhe nëse pini duhan pakësoni numrin e cigareve.
• Përgatituni pak nga pak që më parë për rikthimin në punë.
• Mos u ktheni në shtëpi ditën e fundit përpara nisjes së punës, por më parë, në mënyrë që të keni kohë të çlodheni.
• Rimerrni jetën e përditshme në mënyrë graduale, pa menduar për sasinë e punës që ju pret. Organizmi ynë ka nevojë për disa ditë për të ristabilizuar ritmet e përhershme.
• Kujtoni se ndjesia e të ndjerit jo mirë është e përkohshme, për rrjedhojë në shumë raste mjafton të keni durim dhe ajo do të zhduket vetë.
• Në ditët e para i mëshoni objektivave të vogla dhe lini në një moment të dytë punët më komplekse dhe të vështira.
• Kapeni punën në kahun e duhur, shiheni si një burim të rëndësishëm kënaqësie, sepse mund t'ju rezervojë kënaqësi të mëdha dhe t'ju lejojë të realizoni projekte. Dhe mos u kapni nga paniku se po i shkatërroni punët që prej mungesës suaj janë grumbulluar.
• Kryeni lëvizje dhe sport, sidomos në mëngjes. Kjo është ilaç kundër stresit dhe humorit të keq, duke ndikuar edhe tek ata që vuajnë nga pagjumësia, hipertensioni etj.
• Veshja luan rol të rëndësishëm: të kalosh nga veshjet 'casual' tek kostumet me xhaketë dhe kravatë në zyrë mund t'ju bëjë të ndiheni keq. Zgjateni edhe pak ditë veshjen informale, por pa ekzagjeruar, dhe do të keni një rimarrje më graduale të aktivitetit normal.
• Kujtohuni që ekzistojnë edhe fundjavat, të cilat mund t'ju dhurojnë mini-pushime, edhe vetëm për një natë. Mbase një darkë të shoqëruar me të dashurin apo të dashurën tuaj. Nuk duhet që patjetër të prisni 11 muaj të tjerë për t'u ndjerë përsëri pa kokëçarje dhe të lirë, qoftë dhe për pak orë.
• Hani arra si armik të stresit: nëntë arra në ditë janë një trajtim ideal natyral anti-stres. Ndërkohë janë një kurë e mrekullueshme edhe për artritin. Por kujdes me sasinë e tyre, sepse edhe ju shëndoshin, pasi kanë kalori,
• Rrekuni të shihni gjithmonë aspektet pozitive të gjërave (kjo vlen jo vetëm në këtë rast, por gjithmonë!) dhe.....rinisni të mendoni për pushimet e ardhshme verore!
M. Alla, G. Shekulli
No comments:
Post a Comment