Friday, January 21, 2011

Demonstrata e 21 janarit

Demonstrata e paralajmëruar nga opozita për ditën e premte më 21 janar nuk do të jetë njësoj si organizimet e mëparshme të saj.
Ajo ndryshon nga emri, demonstratë dhe jo protestë, nga mënyra se si do të fillojë me grumbullimin dhe njerëzve dhe si do të vazhdojë më tej.

Në këtë rast nuk do të ketë një pikë takimi të caktuar, por demonstruesit do të grumbullohen në orën dy në rrugë të ndryshme të kryeqytetit për t’u drejtuar më pas në bulevardin “Dëshmorët e kombit”.

Një tjetër ndryshim me organizimet e mëparshme është fakti se këtë herë në vendin ku do të bashkohen turmat në bulevard nuk do të ketë të vendosur asnjë qendër zëri, podium apo gjithçka tjetër që ka të bëjë me formën normale të manifestimeve të shkuara.

Në demonstratë nuk do të ketë fjalime nga krerët e opozitës, çka në një mënyrë është pohuar në daljet e fundit edhe nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i cili ka theksuar se PS dhe opozita do të jenë në rrugë bashkë me njerëzit jo si drejtues, por si pjesë normale e popullit.
Në demonstratë nuk do të ketë flamurë partiake apo pankarta forcash të ndryshme pasi, sipas organizatorëve, ajo do të jetë tërësisht jo për marrje pushteti politik, ndaj i është bërë thirrje për t’u bashkuar jo vetëm të majtëve, por edhe të djathtëve.

Një tjetër ndryshim me organizimet e mëparshme është fakti se kjo demonstratë nuk parashikohet të paktën deri në këto momente të jetë maratonë, pra të zgjasë me ditë.

T. Channel

No comments: