"Dua t'i them Ilir Metës, se ata që janë arrestuar, nuk janë qafëpalarë, e kokë paqethur apo kriminelë, por njerëzit më të mirë të kësaj shoqërie".
Kështu i përgjigjet Lindita Nikolla, kryetarit të LSI-së për komentet që bëri dje në Parlament.
Lindita Nikolla është ish-mësuese e disa prej të arrestuarve, ata kanë qenë djem të shkëlqyer që në shkolla, po ashtu edhe familjet e tyre me këtë imazh janë në vendbanimet ku jetojnë. Gëzojnë respektin maksimal. Dhe në miting kanë qenë protestues të qetë, dhe aspak pjesë e dhunës dhe janë arrestuar kur janë shkëputur prej demonstratës në zona larg bulevardit "Dëshmorët e Kombit. Kap e merr ç'të gjenin rrugës.
Njëri prej të ndaluarve, me inicialet E.S, është student për ekonomik.Lindita tregon se atij i kanë shkuar në shtëpi rreth orës 22:00 me listën në dorë, ku kanë pasur të shënuar edhe emrin e të vëllait, të cilin nuk e kanë gjetur, dhe më pas kanë arrestuar pa asnjë informacion pse po e arrestojnë aktivistin E.S., thjesht 'për verifikim'.
Ai është mbajtur 24 orë, duke u transportuar herë në Komisariatin nr. 1 e herë në Komisariatin nr. 4. 'I kanë lëvizur me pretekstin e mungesës së vendit, por në fakt e kanë bërë për t'i dhunuar psikologjikisht dhe për të mos krijuar një bazë informacioni për familjen", shpjegon Lindita. E sipas informacioneve që ajo e ka, atë e kanë liruar parmbrëmë.
Një tjetër e arrestuar ishte një grua nga Dibra, nëna e pesë fëmijëve dhe me një fëmijë në gji, e cila pa prova është mbajtur e izoluar deri mbrëmë në darkë prej datës 21 të demonstratës.
Një tjetër i izoluar është një djalë i ri, në pritje të masterit në SHBA, i cili është arrestuar nga persona pa uniformë në afërsi të qendrës tregtare ETC.
Ka pasur më shumë djem, por jo pak edhe burra të ndaluar. Mes tyre një 42-vjeçar, banor i Shkozës me familjen e së cilës Lindita ka qenë vazhdimisht në kontakt. 'Ka një familje tepër të respektuar, janë njerëz të varfër që shohin punën e tyre", thotë Nikolla.
Një tjetër rast ishte një kamarier, i cili ishte duke u kthyer nga puna dhe as kishte qenë fare në demonstratë. E kishin arrestuar, edhe pse ua kishte bërë të qartë këtë. "Por kjo situatë nuk është vetëm në njësinë tonë, por në çdo njësi të Tiranës", shton kryetarja e Njësisë.
Dhuna në komisariate
Janë keqtrajtuar pothuaj të gjithë, edhe në mungesë të provave apo filmimeve. "Të gjithë të sapoliruarit kanë dëshmuar se i kanë rrahur. I provokonin duke iu thënë: 'ty të kam parë në demonstratë, të kanë marrë deputetët e Edi Ramës'. Kur të akuzuarit e mohonin këtë, i qëllonin.", tregon Nikolla.
Vetë ajo ka mundur të shohë me sytë e saj që natën e parë pas protestës, tek Komisariati nr.1, pesë minorenë që asaj i lejuan të shihte. Njëri, 14 vjeç, i rrahur dhe gjakosur në fytyrë me bluzën gjithë gjak.
'Tek Komisariati nr.3, edhe pse shkova me dy deputetë nuk na lejuan të kontaktonim asnjë', tregon Lindita.
Dhuna mbi të ndaluarit është ushtruar edhe nga persona civilë pa uniformë.
Po dje të afërm të të arrestuarve kanë protestuar sërish përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës ndaj dhunës dhe etiketimeve që iu janë bërë fëmijëve të tyre. Asnjë prej tyre nuk ka precedent penal.
'Akuzoj për një mungesë totale informimi nga komisariatet, mungesë kontakti me avokatët dhe lëvizje nga një komisariat në tjetrin të të arrestuarve dhe përdorimin e dhunës pa prova", përfundon kryetarja e Njësisë Bashkiake nr.1.
Magdalena Alla
Na hoqën nga puna pas protestës. "Je komunist s'do punosh më tek unë"
Xhevat Balavija, është bashkëshorti i Linditës, ndërsa rrëfen se vetëm për shkak të pjesëmarrjes së të shoqes në protestë të dy ata tashmë janë pa punë. Fëmijët e tyre janë pa bukë, për të mos llogaritur që vetëm për shkak të bindjeve politike, drejtori i shkollës së fshatit ku ka jetuar, nuk pranon të bëjë transferimin e shkollës së fëmijëve të tij. Në një intervistë të shkurtër ai tregon se pas protestës së PS-së ai dhe e shoqja tashmë ndodhen në rrugë.
Xhevat si e morët vesh se gruaja juaj ishte arrestuar ?
Po atë atë ditë ishte organizuar protesta dhe mësova se gruaja kishte shkuar atje. Unë isha në punë dhe s'mund ta lija. Për fëmijët po kujdesej djali ynë i madh. Në mbrëmje u ktheva në shtëpi, por gruaja nuk ishte. Mora vesh se Garda kishte vrarë në protestë disa njerëz dhe shumë të tjerë ishin plagosur. Erdha në vendin e demonstratës, por s'kishte njerëz. Shkova nëpër spitale dhe nëpër vende të tjera ku mund të kishin shkuar të plagosurit, por nuk e gjeta. Mora vesh se pas demonstatës policia kishte arrestuar shumë njerëz pas përfundimit të saj. Shumica mora vesh nga televizionet ishin dhunuar goditur dhe rrahur nga policia. Aty nisa të mendoj se mbase e kishin arrestuar dhe ndaluar.
Më pas ku e gjetët?
Shkova në çdo komisariat, që nga komisariati nr.2,3, 4 dhe nr.1. të gjithë më thanë se nuk është pasi verifikuan emrat. Të shtunën shkova në burgun 302, por edhe aty më thanë se nuk ishte, ndërsa më pas u drejtova për në burgun 313. Atje e kam gjetur gruan të shtunën në mbrëmje.
Çfarë ju thanë në polici, apo në burgun 313 ?
Më thanë që e kishin arrestuar se kishte marrë pjesë në protestë. Pse duhet të arrestohet një grua që merr pjesë në protestë ? Po kjo s më bën përshtypje mua më sepse unë jam mësuar me dhunën e Partisë Demokratike dhe pushtetit të saj.
Pse ?
Kam një vit që kam ikur nga Kukësi dhe nuk më japin dokumentet e fëmijëve të shkollës. Drejtori i Shkollës në Lojm, më kërkon rryfshfet 100 mijë lekë për të marrë dokumentet. E ku t'i gjej, unë ato para ? Më ka futur një sekser Haxhi Misinin, për të bërë dokumentet dhe më ka thënë se duhet të paguaj 100 mijë lekë.
A jeni në punë ?
Isha por nuk jam. Isha bashkë me time shoqe. Unë punoja roje në spitalin ushtarak dhe ajo në një firmë private, për t'u kujdesur për kopshtin e një pronari. Të nesërmen që ndodhi protesta më thanë që ik nga puna, ti je komunist se të kanë arrestuar gruan në protestë. Ne socialistët nuk i duam në punë.
Kush ju tha ?
Më thanë njerëzit e pronarit të firmës së policisë private. Firma me sa di unë është në pronësi të Skënder Bukçillës, dhe punojnë aty edhe Reshat Ndreu e Zylfi Marku. Këta më thanë që s' punojnë me socialistët.
Po ata nga e dinin se e arrestuara ishte gruaja juaj ?
E njihnin. Ajo më sillte çdo ditë bukën në punë. Po edhe atë e hoqën, sapo shkoi në punë pasi e liroi gjykata. Edhe asaj po kështu i thanë. Kam pesë fëmijë zotëri. Në shkollë nuk i dërgoj dot. Në Kukës, nuk po mësonin asgjë sepse nuk kishte mësues po ishin njerëz pa shkollë ata që i mësonin. Ndaj i solla në Tiranë për t'iu dhënë shkollën. Edhe të premten do të jem në protestë pikërisht për këto shkaqe. Do jem bashkë me time shoqe. Ata që arrestuan time shoqe të më arrestojnë edhe mua. Shekulli
'Po ju shkruaj për mikun tim, një prej protestuesve.'
Njëri prej 113 të arrestuar nga policia ishte edhe Pashk Curri. Është nga Lezha, babai i 4 djemve, biznesmen, që njëra prej pasurive më me vlerë, një hotel në Rana e hedhur i është shkrumbuar mëse një vit më parë dhe ndonëse i siguruar, asnjë kacidhe nuk e ka marrë deri me sot si dëmshpërblim. Një mobilieri, mjaft e suksesshme tre katër vite me parë sot e ka thuajse të falimentuar. Ka katër djem si lulja, po gjithçka tjetër të humbur.
Politikisht vjen nga një shtresë e persekutuar, është ndër idhtarët themelues të partisë demokratike lokale në vitin '91,për rreth 15 vite z. Sali Berisha e ka pasur aq të respektuar...sa babain e vet Franin. Po me 21 kishte vendosur të dilte e të protestonte; të protestonte, kundër falimentimit, kundër varfërimit, po mbi të gjitha kundër rrudhjes së demokracisë deri në atë pikë sa nuk mbahet. Tani kundër Sali Berishës.
Dhe shkoi në Tiranë. I bindur se nuk kish se ç'të humbte, sepse i kish humbur të gjitha pasuritë (mos o zot pasuritë njerëzore).
Por nuk u kthye, nuk u kthye në shtëpi, por fatmirësisht nuk është në listën e tre të pushkatuarve pranë kryeministrisë, por është në listën e të 113-tëve, i keqtrajtuar, thonë mizorisht nga policia e Berishës.
Frano Kulli
No comments:
Post a Comment