Saturday, January 29, 2011

Në Shqipëri sot ka të burgosur politikë

Prindërit e dy djemve të rinj të cilëve u është hequr prej ditësh liria, ishin mbrëmë në redaksinë e Shekullit. Këta djem quhen Ledion Muharremi dhe Markelian Saliko.


Markelianin familja e ka kërkuar me zemër në dorë, komisariat më komisariat e burg më burg për katër ditë rresht, derisa dje më në fund e gjetën ku e kishin flakur pasi e kishin zvarritur qeli më qeli. Thjesht vendoseni veten në vendin e prindërve të Markelianit.
Markeliani dhe Ledioni janë pjesë e një grupi prej rreth 40 vetësh, që vazhdojnë të mbahen në burg pas protestës së 21 janarit. Markeliani dhe Ledioni janë arrestuar, sepse kanë marrë pjesë në një aktivitet politik të opozitës. Ata sot janë të burgosur politikë.
Markeliani dhe Ledioni janë të dy 20 vjeçarë. Kanë një skedë penale të bardhë, thënë thjesht në jetën e tyre nuk kanë bërë asgjë jashtë ligjit.
NUK KANË BËRË ASGJË!
Nuk kanë bërë asgjë që të meritojnë një "korridor" policësh të vendosur në 2 rreshta të formuar nga 20 vemje me uniforma që i kanë qëlluar e pështyrë djemtë të gjithë me radhë nga i pari tek i fundit, derisa i kanë rrëzuar përtokë të gjakosur, siç paramilitarët e Arkanit trajtonin kosovarët.
Markeliani dhe Ledioni NUK KANË BËRË ASNJË KRIM!
Janë të dy nga 20 vjeç si shumë të papunë të këtij vendi. Dhe përsërisim: Në skedën e tyre penale nuk ka asgjë.

Po në kanalet e qelbura të këtij pushteti kërmash që tenton terrorin në një vend ku të gjithë njohim njëri-tjetrin çfarë ka?
Ka dhjetëra hajdutë e vrasës që po t'ua mbledhësh dosjet penale mund t'u bëhen male me letra.
Vetëm mendoni pak: prindër që vijnë nga rrethet dhe kërkojnë fëmijët e zhdukur nga policia e shtetit. Dhjetëra djem të tjerë nga Fieri e Shkodra, janë ende nëpër qeli.
Krimi i tyre?
Nuk e duan këtë hale-qeveri me një vrasës në krye.
Mes të arrestuarve ka edhe kalimtarë të rastit, njerëz që u rrëmbyen nga një bandë burracakësh që vrau pasi demonstrata kishte mbaruar. Njerëz që vijonin rutinën e tyre të përditshme. Në vend të tyre mund të ishte sot çdonjëri prej nesh. Kjo do të thotë thjesht që në këtë vend askush më nuk është i lirë!
Çdokush nga ne sot është i burgosur.
Plumbat fluturojnë.. "Kanë dalë nga kryeministria", - thonë hetimet. Një plumb nuk fluturon një metër, as dy metra e pastaj shuhet. Në qoftë se këta plumba nuk do të ishin shuar tek ata tre burra të thjeshtë do të kishin gjetur tre njerëz të tjerë. Mund të kishin arritur këdo nga ata mijëra njerëz, që merrnin pjesë në atë protestë.
Prandaj secili nga ne sot është i vrarë.

Në datën 28 janar do të zhvillohen të shtatat e tre të ndjerëve. U kemi të gjithë borxh jetën. Me dinjitet e respekt për ta dhe si sfidë e dëshmi të shpirtit tonë të lirë e demokratik ne gazetarët e "Shekullit" do të jemi përsëri në shesh. Bashkë me redaktorin tonë që ka ende hematoma në trup. Bashkë me prindërit e Markelianit dhe Ledionit. Bashkë me mijëra të tjerë. Bashkë me Shqipërinë e njerëzve të mirë.
Foto, nga Godo Godaj
Për ata që u vranë nga një pushtet kërmash, për të ardhmen tonë shpirtlirë. Është shumë afër. Të gjithë e ndiejnë. Të gjithë e dinë. E dinë edhe këta të huajt që vijnë e na flasin me arra në gojë. Por më shumë se të tjerët këtë e di ai, që urdhëroi të vriteshin me paramendim tre nga të varfrit e ndershëm të vendit të tij.

Shekulli

No comments: