Thursday, January 13, 2011

Historia gjithmonë është shfrytëzuar për qëllime ideologjike dhe politike

Levantinët e «nacionalizmit totalitar shqiptar» dhe levantinët e Faik Konicës.

Mendimi i themelit tek Levantinët , është që çdo gjë e vjetër në Shqipëri u duket ose e poshtër ose qesharake (f.85F.K.)

Ky përcaktim i një prej figurave të shquara të gazetarisë sonë, Faik Konicës me erdhi ndër mend, duke lexuar shkrimin «Bëhu i ditur (që) të jesh i lirë» i F.Lubonjes (dt 2.12.2008), «Mbi debatin për Skënderbeun» në gazetën «Korrieri» (dt.5,9,12,16.2.2009).
Ky mohim, që bëhet në emër të shekullit të XXI-të i cili kërkon « të tjera instrumente intelektuale e shpirtërore» bëhet për arsyen ,siç vëren zoti Lubonja, «se armiku më i madh i shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, është PADITURIA e cila «i tregon të papjekur kulturalisht për t‟u bërë pjesë e komunitetit evropian».
Dhe për të ftilluar (ndriçuar) këtë popull «të paditur» zoti Lubonja ka më se dhjetë vjet që boton revistën «Përpjekja» synimi i së cilës është «futja e frymës kritike në kulturën shqiptare». Një synim i tillë është për t‟u lavdëruar. Por kritika, sidomos kur merr përsipër të udhëheq mendimin e shoqërisë së cilës i drejtohet, për probleme jetësore dhe të ardhmërisë së saj, bën të domosdoshme dy faktorë:
- njohjen e fakteve historike të temës që trajton
- atdhedashurinë (fjalë që s‟para e ka për zemër autori).

Pavarësisht se në qendër të debatit është figura e heroit tonë kombëtar Skënderbeu, thelbi në fakt është tek trajtimi i problemit «kombi» dhe « nacionalizmi». «Shoqëria jonë, duke filluar nga shkollat apo akademitë, ka prirjen të ngurtësohet në klishetë nacional-komuniste …(ne këto) mite kombëtariste totalitare të trashëguara nga Rilindja dhe periudha komuniste». Ku qëndron thelbi i kësaj metode nacionalkomuniste-kombëtariste-totalitare që nënvizon autori? Tek manipulimi i historisë për qëllim ideologjik e politik të kohës.

Siç na tregojnë kritikët e historisë, që nga koha e Aleksandrisë së lashtë e deri në ditët e sotme (autori bën mirë t‟iu drejtohet sidomos studimeve shqiptare, meqenëse flet për historinë tonë), Historia gjithmonë është shfrytëzuar për qëllime ideologjike dhe politike të kohës. Ky fakt nuk lidhet vetëm me kohën e E.Hoxhës që është pikë referimi i të gjitha përfundimeve të autorit dhe as ajo e Rilindësve. Historia është përdorur për qëllime të larta e fisnike por edhe për ato shoviniste e regresive.
Kryqi i thyer i Hitlerit ishte një simbol pellazg, apo një shembull tipik i ditëve tona është trajtimi i sulmit fashist italian gjatë Luftës së II botërore, si italo-shqiptar, për nevojat e politikës së Greqisë për të përvetësuar pronat e popullsisë shqiptare dhe zbimin e saj.
Çuditërisht, asnjë nga Levantinët e «nacionalizmit totalitar shqiptar» nuk flasin për këto fakte. Meqenëse zoti Lubonja bën thirrje për dituri dhe merr përsipër të fusë frymën kritike në kulturën shqiptare,nuk besoj se i ka shpëtuar pa lexuar historia e krijimit të Kombeve dhe trajtimi i temës «Nacionalizëm» në të gjithë shfaqjet e saj që nga shk.18, deri në ditët tona. Gjithashtu si studiues dhe analist shqiptarë, që nënkupton njohjen e historisë dhe mentalitetit të shqiptarëve, të na sillte tiparet e nacionalizmit shqiptar dhe dallimet nga ai europia , veçanërisht ai ballkanik, historikisht dhe sidomos në shk.20-21.

Në artikujt dedikuar nacionalizmit totalitar shqiptar që na e bënë «peshqesh» Rilindasit, Levantinët, çuditërisht nuk përmendin në asnjë rresht nacionalizmin shovinist serb, shtet që ka shpallur synimin për t‟iu bashkuar BE-së. Nuk përmendet as edhe nacionalizmi mesjetar i një shteti anëtar të saj, si Greqia (gjë që nuk e nderon aspak BE-në), trysnia e të cilave është aq e pranishme në ditët e sotme në trevat dhe shoqërinë shqiptare. Po le t‟i drejtohemi fakteve historike që të bëhemi «më të ditur». «Shembujt e parë (të lindjes së kombeve në Europë-shënimi im) nuk shkojnë më parë se shk.18 » shprehet historiania franceze Anne Marie Thiesse.  

Por nga se ndërtohet kombi?
Sipas Renan-it, «është një trashëgimi e pasur kujtimesh», «është përfundim i një të kaluare të gjatë përpjekjesh, sakrificash dhe privimesh…(ku-shënimi im) kulti i të parëve është më legjitimi nga të gjithë. Të parët na kanë bërë kjo që jemi». A.M.Thiesse me poshtë saktëson: «T‟i përkasësh kombit do të thotë të jesh një nga trashëgimtaret e kësaj pasurie të përbashkët dhe të pandashme, ta njohësh dhe ta nderosh…I gjithë procesi i formësimit të identitetit (kombëtar) ka konsistuar në përcaktimin e pasurisë së çdo kombi dhe në përhapjen e kultit të tij »(f.10,11 A.M.Th).
Nuk marrim përsipër t‟i faksojmë për « nacionalizëm totalitar komunist » shtetet europiane që edhe sot e kësaj dite, në shk.21, vazhdojnë ta bëjnë këtë punë. Në krahinën e Rouenit gjatë zgjedhjeve presidenciale në Francë (2007), Nicola Sarkozy ju kujtoi zgjedhësve figurat më të shquara të historisë së vendit si Zhan Dark (1431), Corneille, Cid, Horace e deri tek vlerat 2000 vjeçare të krishterimit francez. Ai shtroi domosdoshmërinë e njohjes në shkolla, të kësaj historie dhe kulture. « Atyre të cilëve kjo nuk ju pëlqen, nuk janë të detyruar të qëndrojnë në territorin e Republikës Franceze » u shpreh Sarkozy.
Ndërkohe, jo vetëm nga politikanët tanë, por as në tekstet e historisë, nuk përmendet fakti se, kur në trevat arbërore ishte përhapur feja e krishterë, popullsia e pjesës tjetër të Europës ishte akoma pagane dhe ishte perandori ilir Kostandini, ai që lejoi të praktikohej krishterimi dhe ndaloi dhunën që ushtrohej mbi besimtarët e saj.

Studimet historike na dëshmojnë se popullsia arbërore-shqiptare,në dallim nga popullsitë europiane, gjithemonë ka qenë e vetëdijshme për përkatësinë e saj kombëtare. Duke qenë një popullsi autoktone në trojet e sotme dhe e pastër etnikisht, e njihte mirë heronjtë e saj që nga lashtësia e hershme (para se të krijoheshin fetë e sotme), prejardhjen dhe kulturën e saj pellazgo-ilire. Hobhauzi, miku i Bajronit i kishte bërë shumë përshtypje ndjenja kombëtare si një tipar i shqiptarëve . “…një shpirt pavarësie dhe dashuri për atdheun nga i gjithë populli, e kjo në një masë të madhe e mënjanon ( e tregon-shënimi im) dallimin e thellë që vihet re në pjesët e tjera të Turqisë ndërmjet përfaqësuesve të dy feve. Kështu kur banorët e viseve të tjera i pyet se çfarë janë, ata përgjigjen: “Jemi turq” ose “Jemi të krishterë”, ndërsa banori i këtij vëndi përgjigjet :”Jam shqiptar”…
 Ndjenja kombëtare bie fort në sy në karakterin e tyre”(f.114 F.K.) “Kombësia i bashkon shqiptarët shumë më tepër sesa i ndan feja” (f.115 FK.)

(shumë kohë përpara se këtë ta shprehnin Rilindësit) vëren admirali francez Zh.de la Gravjere që kishte bërë një studim të thelluar shqiptarëve, në një kohe kur mbretëritë e Europës ishin akoma në valën e punës për formimin e Kombeve. Fakti se 90% e shqiptarëve,(sipas statistikës së Lubonjës) vazhdojnë të vlerësojnë luftën për kombin shqiptar të Skëndërbeut, pohon se ndjenja kombëtare edhe sot qëndron e fortë në shpirtin e popullit tonë. Formimi i kombeve në Europë lindi në shk.18 si një trysni e ardhur « nga lart » (në dallim nga popullsia arbërore) fillimisht nga lëvizjet kulturore kundër monopolit kulturor francez dhe më vonë u përqafua nga monarkët e sidomos borgjezia e re, që kërkonte mbështetje dhe mbrojtje për kapitalet dhe veprimtarinë e saj.

Formimi i kombeve lidhet me modernizimin ekonomik dhe shoqëror, integrimin e tregjeve nacionale, dmth krijimin e hapësirave ekonomike të unifikuara dhe drejtuara nga rregulla dhe norma të përshtatshme për zhvillimin kapitalist, dhe të ishin të garantuara nga Shteti. Fillimisht kësaj lëvizjeje kulturore ju desh shumë pune dhe kohe, për të kërkuar “rrënjët” historike dhe kulturore të të parëve të lashtë të tyre. Të parët e morën përsipër poetët skoceze që rrugëtuan nëpër fshatra të thella e të izoluara malore, për të mbledhur krijimtarinë gojore që kishte mbetur ende e gjallë dhe për t‟i afruar skocezëve dhe anglezëve një epike të denjë, si ajo e “Iliadës” së Homerit.
Me 1761 u botua “Poema e Lashtë Epike”(6 vëllime) e shkruar nga Ossian (figure e krijuar),dhe e përkthyer nga gjuha galike prej J.Macpherson. Kur Epopetë osianike sapo u botuan “…shumë filologe vlerësuan se Macphersoni nuk ka mundur ta gjente epopenë e shk.3 veçse në përfytyrimin e vet…(atij) ju desh të shpikte disa dorëshkrime të lashta, sipas të gjitha gjasave, bardike”(f.29 A.M.Th.)
Franca , Gjermania dhe shumë shtete të tjera europiane, nxituan të ndiqnin shembullin e anglezëve për të ndërtuar edhe ata “lashtësinë” e tyre. Ndërkohë, për fatin e keq të Levantinëve, në historinë shqiptare nuk ka asnjë rast ku të sajohen figura dhe ngjarje historike.
Rilindasit vijuan atë traditë të hershme të arbërorëve, të cilët në veprimtarinë e tyre gjenin frymëzimin tek figurat më të ndritura të të parëve. Barleti e ka përkufizuar si «ligji i ndjekjes së gjurmëve të gjakut dhe të fisit» . Sipas kujtimeve të Papa Piut II, Skënderbeu më 1636 i përgjigjet princ Antonio Orsinit: « …të parët tanë kanë qenë epirote nga të cilët ka dale Pirroja me nam…në thënç se Arbëri është pjesë e Maqedonisë, atëherë të parët tanë i pranon edhe më fisnike, sepse ata nën Aleksandrin u futën gjer në Indi» (f.35 Dh.P)
Nuk duhet kurrsesi të ngatërrohet Historia me Mitologjinë si një fushë e krijimtarisë popullore. Për këtë raport do të flitet në një shkrim tjetër. Kjo lëvizje kulturore europiane, më vonë u shndërrua në ideologji nacionaliste, herë çlirimtare e herë agresive. Pra nga një lëvizje kulturore për t‟u çliruar nga sundimi i lashtësisë greko-romake dhe kulturës franceze, u kthye në lëvizje politike nacionaliste për të ndërtuar shtete nacionale po me popullsi të ndryshme. Lëvizjet nacionaliste gjatë historisë patën shfaqje të ndryshme. Secili shtet duke treguar “lashtësinë” e vet, ndërtonte supremacinë e vet dhe pretendimet territoriale.
(Rast të freskët kemi Serbinë) Edhe sot e kësaj dite, nën emrin “Nacionalizëm” përfshihen lëvizje ideologjike dhe shtetërore krejt të kundërta si psh “nacionalizmi popullor”gjatë luftës së popullsisë shqiptare të Kosovës dhe “nacionalizmi agresiv” i shtetit shovinist serb që shkaktoi jo pak gjakderdhje tek popullsia e pafajshme e Ballkanit. Pikërisht ky dallim mungon në shkrimet e Lubonjës dhe të autoreve të tjerë që e kanë shumë për zëmër të flasin për “nacionalizmin totalitar shqiptar”.
Po për t‟u bërë « më të ditur » le të kuptojmë se ç‟do të thotë emërtimi « nacionalizëm agresiv». Nacionalizmi agresiv është ekzaltimi i shtetit nacional, prestigji dhe hyjnizimi i të cilit kërkojnë një pozitë sunduese në bote . Ky nacionalizëm bëhet një nga frymëzuesit kryesor i luftërave ndërkombëtare. Në planin ekonomik, nacionalizmi agresiv përfaqëson interesat e industrisë dhe kapitalizmit nacional. Po le të përqendrohemi në Ballkanin e ditëve tona. Në një shkrim të L. B. Henri « Të ndihmojmë Rugovën, armikun e histerisë nacionaliste» (dt.19.03.1998 «Corriere della Sera») lexojmë «Rugova mbetet barrikada e fundit dhe më e mira përball histerisë nacionaliste panshqiptar » triumfi i së cilës do të ishte një shkatërrim ».

Është më se e dukshme se, me gjithë thirrjen e drejtë që u bën shteteve europiane për rrezikshmërinë e shtetit shovinist serb, autori nuk e njeh historinë e Ballkanit. Nuk është për t‟u habitur, sepse krahas shtrembërimeve historike që janë bërë një metode pune e sërbo-grekëve, Levantinët shqiptarë shkruajnë për « nacionalizmin totalitar shqiptar » edhe në anglisht, e në media të huaja (që ta kuptojë e gjithë bota se sa kritike dhe të paanshëm janë) siç ka qenë shkrimi «Re-Inventing Skenderbeg» me nëntitull «Nacionalizmi shqiptar dhe Nato neo-kolonializëm » bazuar mbi shkrimin e F.Lubonjës të dt 24.10.2001 dhe i duartrokitur në internet (kuptohet se nga kush).
Si pasojë e këtyre shkrimeve të Levantinëve shqiptar që përforcojnë korin sllavo-grek për rrezikshmërinë e «nacionalizmit totalitar shqiptar »shumë media europiane barazvlerësojnë nacionalizmin shqiptar me atë shovinist serb.
Ai që, sa do pak e njeh historinë, e ka të qartë se arbërorët në historinë shumë shekullore të gadishullit, nuk kanë qenë kurrë pushtues dhe historia e Ballkanit është një histori e zaptimit të trojeve të tyre, e dëbimit dhe shfarosjes së tyre nga fqinjët sërbo-greke, po jo pa lakminë dhe pushtimet edhe të popujve të tjerë. Dhe siç thonë studiuesit « historia përsëritet». Kjo dukuri vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Që kur u bë nacionalizmi shqiptar i rrezikshëm për fqinjët?
Nga na doli ky “Nacionalizëm totalitar shqiptar”?
Në kohën e E.Hoxhës nuk flitej për shqiptarët e Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë,Greqisë dhe historia e shqiptarëve u tkurr që nga lashtësia ilire brenda 28 mijë km katrore. Interesat jetike të tyre ishin të huaja për shtetin komunist. Në atë periudhë (dhe as sot) nuk flitej për rolin e madh që kishte dhënë kombi ynë në formimin e shteteve modernë si në Europë dhe jashtë saj, që të ngrinte krenarinë kombëtare të shqiptarëve.
Pasuria kulturore dhe ajo historike arshivohej vetëm në raftet e Institucioneve tona studimore dhe lidhja me botën ishte simbolike.  
Sa studime nga shqiptarë dhe të huaj janë bërë për gjuhën pellazgo-shqipe, por në tekstet që ka sot rinia, ajo përcaktohet vetëm me disa rreshta.
Shqipëria dhe populli shqiptar edhe sot është po aq i panjohur për popullsinë europiane si në shekujt e mëparshëm. Arkivat europiane dhe më gjerë ishin të paarritshme për studiuesit shqiptar (fatkeqësisht dhe sot). Kjo lidhje ishte e mekët edhe me diasporën tonë të përhapur në të katër anët e botës. Historia e jonë edhe për periudha të vonshme ishte në kufijtë e minimales (në shkolla). Edhe në kohën e demokracisë, historia e kombit shqiptar, në ciklin parauniversitar është reduktuar në një mesatare vjetore prej 3% të lëndës së historisë (besoj një rast i paparë në Europë e Ballkan) për t‟i bërë «sa më europiane» këto tekste dhe « sa më pak nacionaliste ( pa dashur të mendoj diçka tjetër).

Para viteve 90, në fakt kemi “nacionalizëm partiak” që në ideologjinë e tij shfrytëzonte ndjenjën kombëtare dhe atdhedashurinë e popullit dhe jo “nacionalizëm komunist shqiptar”. Nocioni i atdheut dhe shqiptarizmës u zëvendësua me atë partiak dhe ideologjinë komuniste (me drejtuesin e saj të lavdishëm) që nuk kishte asgjë të përbashkët me mbrojtjen e interesave kulturore, historike dhe ekonomike të kombit shqiptar. Vetë politika kapitulluese ndaj problemeve të shqiptarëve jashtë shtetit dhe falimentuese brenda tij, sa e katandisi Shqipërinë si vendin më të varfër në Europë e Ballkan, tregon qartë se gjatë asaj periudhe nuk ka ekzistuar ndonjë « nacionalizëm shqiptar» por « nacionalizëm partiak totalitar»i rrezikshëm vetëm për shqiptarët dhe jo për fqinjët, që vazhduan genocidin ndaj popullsisë sonë brenda shteteve të tyre. Gjatë asaj periudhe, figurat historike jepeshin të zbehta për nga faktet dhe të seleksionuara dhe të zvogëluara në numër.

U botuan shumë pak studime historike në krahasim me vendet e tjera ballkanike. Ndërkohe që dy shtetet fqinje, Jugosllavia dhe Greqia edhe mbas luftës së dytë botërore, vazhdonin dhe vazhdojnë edhe sot, të botojnë nj numër të madh «studimesh historike »të mbështetura nga shteti, simbas ideologjisë së tyre shoviniste. Këto shtete ushqejnë popullin e tyre me urrejtje ndaj shqiptarëve dhe udhëhiqen nga ideollogjija e “nacionalizmit agresiv”. Kosova ishte një koloni në Federatën e sllavëve të jugut dhe humbja e saj nuk mund të pranohet nga ky shtet. Në media dhe në kancelaritë diplomatike, pa ju tharë akoma në duar gjaku i viktimave të «nacionalizmit shtetëror serb» me paturpësi bërtasin «për rrezikun nacionalit shqiptar që kërcënon pakicat serbe dhe objektet e kultit» në shtetin e Kosovës.
Këtë muzikë e dëgjojmë edhe nga fqinji ynë jugor , që gjithashtu ka vënë në lëvizje median, lobin e tij dhe përfaqësitë diplomatike për «padrejtësitë që ushtrohen mbi minoritetin grek » në Shqipëri.
Kur paturpësisht nuk lejojnë asnjë shkollë në gjuhën shqipe , të mos flasim për të drejtat e tjera të parashikuara nga konventat e BE-së. Faktet historike të dokumentuara të planeve pushtuese të shtetit grek pas Luftës së Dytë botërore na dëshmojnë se: -
Në fillim të prillit të v.1949 qeveria greke i dërgoi një memorandum Londrës dhe Washingtonit i cili sugjeronte dhe argumentonte nevojën e pushtimit të Shqipërisë
-Në 1960, kur Shqipëria preu marrëdhëniet me B.Sovjetik dhe mbasi kishte siguruar mbështetjen e Hrushovit, qeveria e Athinës kishte pyetur qeverinë austriake se cili do të ishte reagimi i saj në rast se Greqia sulmonte ushtarakisht për të aneksuar Shqipërinë e Jugut.
- Mbas 1990-ës, Gjenerali Grilakis kujton: « …më ftoi Kryepeshkopi i Greqisë, Serafimi për të shkëmbyer pikëpamje rreth çështjeve të helenizimit të Vorio-Epirit »që solli me vonë konkretizimin në hartimin e « Planit Lotos» që kishte për detyrë të çlironte « Epirin e Veriut».
-Më 10.04.1994 një komando terroriste greke e armatosur me armë zjarri dhe me uniformë ushtarake greke u fut në territorin shqiptar, në një repart ushtarak në afërsi të fshatit Peshkep, kryen masakra te përgjakshme duke thirrur “Kete e keni për VorioEpirin”.
- Në vitin e famshëm 1997 (skenari i të cilit akoma nuk është i njohur) Greqia kërkoi Amerikës ta lejonte të fuste trupat e veta në Shqipërinë e Jugut.

Këto janë vetëm disa nga veprimet e hapura te shtetit shovinist grek për pushtimin e vendit tonë pas Luftës se dyte Botërore. Një pasqyre me të hollësishme analistët e marrëdhënieve te popujve të Ballkanit do ta gjejnë në studimin «Tensioni greko-shqiptar…» i historianit Beqir Meta.
Një politikë të ngjashme ka ndjekur edhe ish fqinji ynë verior.
Pasi kanë masakruar shqiptarët për vite të tëra, pasi i ka shkuar në thikë së paku 1000 foshnja nën 5 vjeç, siç e ka pohuar vetë shtypi serb (gazetari Filipoviç në gazetën “Le Mond” e “Liberation”) pasi i ka përdhunuar qindra vajza e gra të reja dhe shpërngulur barbarisht rreth 1 milion njerëz , shteti shovinist serb ngre zërin për rrezikun nga “nacionalizmi shqiptar”.
Makina e tij ushtarake dhe politike agresive vazhdon veprimtarinë edhe mbas vitit 1999, mjafton të ndjekësh median shqiptare dhe atë të huaj, për të gjetur material të bollshëm.

Këto kanë ndodhur dhe po ndodhin jo në një periudhë mitike, por në ditët e sotme.
Si përfundim të të gjithë meditimit të tij filozofik, të paraqitur në këto shkrime, zoti Lubonja shprehet se «kulti i atdheut» njeriu perëndimor e ka vënë në dyshim pasi ky e çoi në luftërat botërore.  
Sot jo më analistët por edhe lexuesit e thjeshtë të historisë e dine shumë mirë se kush janë shkaqet e vërteta të luftërave botërore.
Mbrapa çdo lufte botërore, kanë qenë gjithmonë interesat e kapitalit dhe rindarja e «zonave të influencës». Na vjen çudi, që drejtuesi i revistës «Përpjekja » na paraqet si prove mbështetëse të tezave të tij, propagandën e zakonshme të shteteve agresore se «duhet të sulmojnë, për të mbrojtur atdheun ». Nuk besoj që autori t‟i vë në një thes të gjitha luftërat. Ashtu sikurse historikisht janë shfaqur forma të ndryshme të «nacionalizmit» , edhe luftërat kanë qenë të natyrave të ndryshme: luftëra çlirimtare dhe luftëra pushtuese. Ndërsa e para bëhej në emër të lirisë dhe jetës, e dyta në emër të robërimit dhe grabitjes apo zhdukjes së një popullsie.



Dua ta mbyll shkrimin tim me një vëzhgim shume te goditur te studiuesit Veis Seiko:«Shumë të vërteta elementare nuk njihen për Shqipërinë dhe shumëkush flet përçart për të… ».








Referenca: F.K.- Faik Konica «Ç’është liria» 2005
A.M.Th- Anne Marie Thiesse “Krijimi i Identiteteve Kombëtare”Peje 2004
Dh.P.-Dhimiter Pilika «Pellazget… »

Fatbardha Demi
E Merkurë, 25 Shkurt 2009

No comments: