Sunday, March 21, 2010

"Mjerim që s'i ve dot emër ..."

Rrallë mund të gjesh në botë stinën e pranverës si në Shqipëri. Dikur në të, lulëzonin drurët frutore. Lozet e rrusheve vareshin të tilla sa edhe ujëvara do t'i kishte zili. Kodrat e gjelbra fillonin të njomësoheshin.


Në rrafshnalta arat e mbjella me grurë, zarzavate, misër, jonxhe, këmbenin njëra-tjetrën për kilometra të tëra me jeshillëk.


E gjitha, bëhej më e bukur kur petalet binin dhe vendin e tyre e zinin fletët. Brenda tyre zemra e frutit rritej e rritej derisa pemët kërruseshin. Me një fjalë, pulsi i pranverës rrihte në të gjithë vendin.

Pavarësisht sistemit të dështuar komunist, agronomë të ditur, shkencëtarë, u përpoqën ditë e natë për ta begatuar tokën. Sprovuan farërat, përmirësuan, eksperimentuan pareshtur. Insektet e tokës, epidemitë e pemëve në sipërfaqe, mizat e fryteve dhe buburrecët nuk figuronin fale spërkatjeve me kimikate.

Të tjerë shartonin për lloje të reja pemësh. Ndërsa kultivatorët bënin qilizmën. Plisi të përmbysej që bari ta bënte tokën të majme. Më tutje ishin kanalet kulluese që ndanin parcelat. Por, që edhe erozioni të disiplinohej.

Pastaj vinte vera me të nxehtit. Njerëzit e thjeshtë, ata që punuan në fermat e prodhimit dhe ato eksperimentale, që krijuan tërë kohës, që seleksionuan, hibridizuan e shartuan, shikonin frytet e reja: qershitë e kuqe dhe të zeza, gjithë tul, aq të lakmuara për t'i çukitur zogjtë. i mblidhnin dhe transportuesit i çonin në depot e shtetit.

Ky i fundit në arka te ambalazhuara bukur i çonte direkt në portin e Durrësit, tek vapori. Po kështu kumbullat, dardhat e verdha dhe të ëmbla. Të gjitha shkonin tek vapori. Të gjitha. Se një kile qershi bën një dollar e gjysmë jashtë shtetit... Ia vlen barra qiranë. A ia vlen t'i shesësh për tetë lekë në markato?

Kështu fermeri, fshatari shihte frutin që i kishte bërë hyzmet me duar dhe me thonj dhe nuk arrinte të provonte pak nga ai tuli i ëmbël i dardhës, mollës, qershisë. As ai as fëmijët e tij. Se jashtë duhej blerë... hekur, çimento për bunkerë! Sistemi politik i falimentuar komunist i la pa i provuar frutat e punës së tyre.

Por zoti në qiell shikon. Erdhi 1990-ta. Arat e mëdha u zëvendësuan nga parcelat e vogla, pronë e fshatarit tashmë. Por fshatari në sistemin e ri politik e pa veten tij shpejt të mbuluar në borxhe. Ata i punuan tokat, e krasiten pemët, e mblodhën prodhimin. I spërkaten me kimikate edhe pemët edhe grurin. Se paratë për të blerë farën, plehun, naftën i siguruan me kredi nga banka. Por nuk e shiten dot.

Se si domatja i tyre ishte importuar me çmim më të lirë nga Greqia e Maqedonia. Po të njëjtin fat kishin edhe frutat, edhe gruri. Kështu fryti u kalb përdhe. Nuk arriti ta bënte as raki. Kështu edhe kazanët zunë myshk e ndryshk.

Ndërsa tokat po fillonin të përmbyteshin nga lumenjtë e fryre nga që makineria e ndërtimit ia ka prishur shtratin tashmë në përpjekjen makute për pasuri, jashtë çdo ligji shtetëror dhe natyror. Dhe tani vonë kanë filluar të rrëshqasin edhe shtëpitë. Ky produkt padyshim përfaqëson një variant të barbarizmit të njeriut në kacafytje me natyrën.

Kështu vit pas viti, kundërmimi magjik i frutit u zëvendësua nga grahma e kalbjes. Por mbrapa kësaj kalbjeje fshihet një e keqe e madhe. Njerëzit, të cilët kishin shpresuar shumë në ndërrimin e sistemit, nuk mund të rrojnë, nuk mund ta hanë sërish prodhimin e tyre.

Sepse, tregu është bërë pronë e atyre që importojnë prodhimet e kualitetit të dytë e të tretë me çmim më të lirë (ato janë për groposje në vendet e BE-së). Në Shqipëri i kanë të sigurtë konsumuesit e tyre. Nuk kontrollohen nga shteti. Se shtetin e mundin me para.

Që në momentin e kalbjes se prodhimit vendas, edhe pranvera ka ndryshuar. Drurët nuk lulëzojnë më. Se janë tharë ngaqë nuk janë krasitur, nuk janë spërkatur me kimikate.

Dhe krimbi e ka bërë të veten, e ka gërryer, e ka tharë trungun. Arat janë djerrë, të papunuara për kilometra të tëra. Ndërsa kodrat nuk janë më të gjelbra, se drurët janë prerë.

Kjo është një disfatë e madhe e shtetit. Sepse fermeri shton radhët e ushtrisë së të papunëve nëpër qytete. Ata qëndrojnë të shtangur tek ndjekin me sy patatet, zarzavatet, frutat në tezgat e tregjeve.

Në sytë e tyre pasqyrohet trishtimi i hidhur. Megjithatë kruajnë xhepat dhe afrohen për të blerë ndonjë kokërr. Por çmimi i largon. Rastet e sëmundjes që shkaktohet nga mungesa e të ushqyerit të fëmijëve, kanë filluar të shfaqen.
Shkatërrimi i florës

Kësaj radhe politika e falimentuar nga korrupsioni e sistemit të ri shoqëror, serish i la pa ngrënë frutat e punës së tyre. Ky është një mjerim që nuk i vë dot emër. Përhapja progresive e këtij fenomeni, i hedh në erë të gjitha "rritjet ekonomike" .

Pellumbi Cani , Shekulli

No comments: