Friday, March 19, 2010

Mafia shtetërore e karrotrecave !

Në një metropol si Tirana, ku njerëzit privatizojnë trotuarët dhe parkimi duket mision i pamundur, policia e shtetit i vjen në ndihmë qytetarëve duke ua rrëmbyer makinat me karrotrec.

Mjafton të hidhni një sy shkarazi nëpër rrugët e Tiranës, për të parë kaosin e plotë rrugor të metropolit. Makina që vijnë vërdallë në mes të trafikut, për të gjetur një vend parkimi. Makina që sulen si i verbri ndaj dritës, për një vend parkimi.

Dhe rezultati është i logjikshëm. Makinat parkojnë në rradhë dyshe, së fundmi edhe treshe. Parkojnë mbi trotuarë, lulishte e ku të mundin...
Sigurisht faji nuk është i tyre. Tirana është në kaos të plotë. Zgjidhja e zgjuar që policia rrugore ka gjetur, është rrëmbimi i makinave me karrotrec dhe shndërrimi i kaosit në para, në përfitime të majme. Dhe karrotrecat janë kthyer në biznese me fitime marramendëse. Ato fluturojnë nëpër kryeqytet më shpejt se zjarrfikëset, ambulancat. Ato janë shteti vetë. Një rrugë vajtje-ardhje dhe përfitojnë 4000 lekë, afro 30 euro. Prandaj ato vërshojnë si të tërbuara në kryeqytet. Për to nuk ka as limit shpejtësie, as sinjalistike rrugore. Siç thamë, ato janë vetë shteti.
Nëse ndodh që ti kthehesh në makinë, përpara se karrotreci i tërbuar të ketë arritur, rezultati është i njëjti. Makina juaj do të bëjë domosdoshmërisht xhiron e saj për tek pika e grumbullimit. Jo pak herë kemi parë raste kur gra e burra përleshen për të mbajtur makinën e tyre, shpeshherë nuk mund t'ia arrijnë, nëse nuk përdorin ndonjë emër të dëgjuar.

E kështu makina fluturon për tek pika e grumbullimit, e cila ndodhet pranë pikës së karburantit Alpet, në Unazën e Re. Asnjë tabelë nuk të tregon vendndodhjen e kësaj pike grumbullimi. Duhet të ndalesh disa herë dhe të pyesësh kalimtarë të rastësishëm, që jo rrallë herë drejtojnë gishtat në drejtimin e një rruge të pashtruar njëkalimshme, pa pritur për pyetjen tënde.
Nëse nuk të gjendet ndonjë shok i disponueshëm, natyrshëm duhet të paguash edhe një taksi pa taksimetër për të arritur në këtë cep të kryeqytetit.
Në momentin kur arrin tek pika e grumbullimit, përpara të dalin disa pseudoroje dhe një pseudopunonjës që të kërkon që mes grumbullit të letrave të gjesh targën tënde. E gjen gjobën tënde dhe nxjerr lekët për të gabuar dëmin që ti si qytetar ke shkaktuar, pavarësisht se makina jote mund të ketë qenë me bllokazh ndezur dhe e rrëmbyer në një rrugë, ku asnjë tabelë nuk të paralajmëron që makina juaj mund të merret me karrotrec.
Por proçedurat kanë ndryshuar, të shpjegon një punjonjës i gjorë privat. Ti nuk mund ta marrësh makinën. Duhet të marrësh dokumentat e saj dhe të paguash të gjitha gjobat që ke marrë me vetëdije apo pa vetëdije. Nëse ka kaluar ora zyrtare 16" e punës, do të të duhet të shkosh të nesërmen me dokumentat e makinës dhe të presësh në rradhën e gjatë të njerëzve që shfryjnë për të paguar gjobat. E kështu, nëse punon paradite, duhet ta humbasësh patjetër ditën e punës.

Nuk besoj se ka shtet tjetër në botë ku njerëzit janë detyruar të rrinë me orë të tëra në rradhë, për të paguar para.

Pasi ke mbërritur në këtë komisariat, përballë ish Kinostudios, duhet të fotokopjosh të gjitha dokumentat në një kjoskë shtetërore, që gjithashtu pret siguracione e ndoshta në mëngjes shet edhe byreqe. Të gjitha këto shërbime, do të të duhet ti paguash gjithashtu.

Në një zyrë postore, ku paguhen gjobat, do të gjesh një grua simpatike, që është mësuar me shfryrjet e sharjet e qytetarëve, e cila nuk ngurron të ju këshillojë: "Ju ankoheni këtu ku paguani lekët. Siç jeni 100-200 vetë, mblidhuni bashkë e protestoni. Edhe për mua nuk është e drejtë të paguani 200 lekë shërbim postar, nuk është e drejtë që nëse makina ju bllokohet në orën 21" të darkës dhe nuk mund ta zhbllokoni në çast, por kur e zhbllokoni në orën 9 të mëngjesit, duhet të paguani 2 ditë parkim tek pika e grumbullimit edhe pse nuk mund ti ketë mbushur akoma 12 orë. Ja pra, ky është shteti, ky shtet koti. Unë jam vetëm punonjëse, bëj punën time, ju keqen nëna".
Aty në çast dikush ia bef, duke lënë edhe bakshish. Dikush tjetër shpërthen duke thënë nuk më bëhet vonë për 500 lekë që paguaj kot tek karrotreci, vetëm mos na vono më në rradhë.

Tani, pasi ke paguar 4000 lekë karrotrecin, 1000 lekë gjobën e policit, 1000 lekë për dy ditë parkim në pikën e grumbullimit edhe pse s'kanë kaluar 12 orë, 200 lekë shërbimin postar, 100 lekë fotokopje, pasi ke humbur edhe ditën e punës... duhet të marrësh sërish taksi për tu rikthyer sërish në krahut tjetër perëndimor të kryeqytetit, për të marrë makinën.

E gjitha kjo mesele, për parkimin e makinës në një rrugë ku të gjithë parkojnë dyshe-treshe, sepse vende parkimi NUK KA !

Kjo është logjika si vepron shteti ynë hajdut. Pjell kaos dhe nga ky kaos rrjep qytetarët e gjorë. Për parkimin nuk gjendet ende zgjidhje dhe karrotrecat sillnin në pikën e grumbullimit makina, me një mesatare prej 4 makinash në 8 minuta. Një prej këtyre makinave mund të jetë e ndonjë turisti të huaj, që sigurisht do të tmerrohej ky rregull policor dhe nga këto trampolina ky qytetarët hidhen si të ishin topa tenisi.

Ja kush është logjika e shtetit tonë:
Kemi një kinema me kapacitet 2000 vendesh. Fusim brenda 10000 njerëz. 2000 do ulen, 8000 të tjerë do rrinë në këmbë. Njerëzit do vriten për të gjetur një vend ulur falas, e për të shpëtuar nga gjoba që ne u vendosim atyre që rrinë në këmbë. Ne fitojmë më tepër nga ata që rrinë në këmbë, sesa nga ata që ulen.

Fatkeqësia e tjetrit nuk duhet parë si e tjetrit. Nesër mund të jetë makina juaj atje...

Shkroi dhe përgatiti: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: