Monday, March 29, 2010

Në kërkim të emrave shqiptarë

Para disa kohësh, doli në qarkullim një broshurë me emra shqiptarë e ilirë, por shumë pak janë ata që e kanë shfletuar dhe përvetësuar këtë pasuri kombëtare.

Fjalori i pasur i gjuhës sonë përmban disa fjalë, që ende nuk njihen për nga origjina e tyre dhe nuk mund të zëvendësohen me ndonjë fjalë tjetër, si për shembull sheqeri. Emërtime të tilla janë ngulitur që prej Perandorisë Osmane, por nuk është ky objekti i këtij shkrimi, madje edhe sikur të përpiqeshim të analizonim origjinën e fjalëve i ëmbël ose mjaltë, të cilat kanë lidhje me fjalën thrake "amalusta" që do të thotë pikërisht sheqer. Edhe pse mbarë njerëzimi, që nga epoka e lashtësisë e deri më sot, ka ditur të vendosë emra me kuptim për fëmijët e tyre, madje emra me origjinë dhe prejardhje të vendit nga vijnë ose të personave që i përkasin brezave të mëparshëm, nuk e dimë pse sot përdoren kaq emra të huaj dhe fare pa kuptim.

Dikur emrat diktoheshin
Në komunizëm, për të regjistruar foshnjën në zyrën e gjendjes civile, të jepnin një fjalor me 6000 emra shqiptarë, ilirë dhe duhet të zgjidhje midis tyre. Ndaloheshin emra fetarë, por shiheshin me sy të mirë emrat ilirë. Nga vitet '50-'60 filloi vendosja e emrave rusë, për shkak se shumë shqiptarë të asaj kohe studiuan në Bashkimin Sovjetik. Edhe pse të frutuar, dikur shqiptarët ishin më të ndërgjegjshëm dhe më patriotë në zgjedhjen e emrave të fëmijëve të tyre. Patjetër, të vjen një mendim në kokë, në këtë kohë të shpejtë ndryshimesh se si prindërit shqiptarë po u vendosin emra të huaj fëmijëve të tyre, ndërsa kafshëve shtëpiake emra të origjinës. Emra arabisht, turqisht etj, janë "dhuratë" e pushtimeve të huaja, si Hasan, Hysen, Rexhep, Gjyle (me shpjegime etimologjike të huaja), ndërsa çuditërisht emrat e kafshëve shtëpiake janë dardhane, dredhëz, balushe, bardhane, etj, me kuptim e shpjegim shqip. Le të kujtojmë formulën e pagëzimit kur emri i fëmijës merrej me gëzim, por edhe me kuptim, sepse sot e kësaj dite arrijmë ta gjejmë kuptimin në shqip të atyre emrave të vjetër. E shkuara mbart një certifikim shqiptar, ndërsa emërtimet e reja, sidomos pas viteve "90 të shekullit të kaluar, kanë zbrazur shpirtin tonë nga thesaret e tij të vërteta.

Tragji-komedi gjuhësore

Me të drejtë, disa syresh mund të nervozohen nga kjo anomali, por ky është një realitet që duhet pasqyruar qoftë komedi, tragjedi gjuhësore apo të dyja të ndërthurura së bashku.

Po humbasin emrat shqiptarë dhe ky është një problem shumë serioz, që i përket të sotmes e sidomos të ardhmes.

Mos ndoshta duke u lakmuar nga e kaluara e hidhur e robërisë shekullore do të kthehemi sërish te antroponimia e robërisë tashmë moderne?!

Ka dy mundësi, ose emrat e fëmijëve të jenë të huaj, ose bashkim të emrave të prindërve pa pasur asnjë lidhje kuptimore dhe shpjegim gjuhësor. Ndërsa brezi i viteve "90-të ka vendosur emra të huaj, kryesisht të shteteve fqinj si Albertino, Bernadino, sot shumica e emrave merren nga emisionet televizive, kryesisht telenovelat si dhe nga emrat e lojtarëve të futbollit. Studiuesit kanë treguar se rilindja e shqiptarit modern parakuptonte përvetësimin masiv të historisë kombëtare dhe kjo hodhi në qarkullim një grup emrash që u përkisnin burrave dhe grave të shquara të kombit në të shkuarën, duke filluar me Lekën e Madh, e pastaj me radhë Pirron, Gjergjin, Kastriotin, Donikën, Gjinin, Vojsavën, etj. Duke riprodhuar në identitetet vetjake.

Kur nisi shekullarizimi...

Tek e fundit, vendosja e emrit është një akt dëshire dhe u përket prindërve. Emrat me prejardhje nga fjalë të shqipes, si Ylli, Drita, Agim, Luan, Lumturi, etj. kanë nisur të përdoren si shenjë e vullnetit për ta identifikuar shqiptarinë me gjuhën shqipe dhe jo si një ndjesi e brendshme dhe atdhetare e çdo shqiptari. Emrat ilirë, prej mbishkrimeve mbetur nga lashtësia ose vjelë nga tekstet klasike si Bardhyl, Agron, Genci dhe Tefta u hapën rrugë një vargu emrash të tjerë të çuditshëm, të panjohur...Ky proces të natyrshëm shekullarizimi dhe shqiptarizimi nëpërmjet shekullarizimit e përçudnoi historinë qoftë në aspektin estetik, por edhe atë kuptimor. Tashmë emra të tillë si: Fiorela, Xhoni, Samanta, Franc, etj. Kriza e Shqipërisë post-totalitare i shtyu shumë qytetarë shqiptarë t"u uronin fëmijëve një të ardhme si joshqiptarë, por si qytetarë "të botës".
Njerëzit nuk duan më që dëshirat e tyre, duke përfshirë aty emrat e fëmijëve, t’ua diktojnë të tjerët, por të konfirmohen me interesa dhe parapëlqime "demokratike", sepse po more emër të origjinës u bëre si kallaballëku...

Të ndjekësh modën

A do t’u kthehen shqiptarët emrave të vërtetë shqiptarë dhe ilirë?

Kjo është pyetja më "e lodhshme" dhe me më shumë përgjigje të paqarta. Kjo do të jetë një formë reale dhe e nevojshme që Shqipërisë t’i rikthehet sadopak dinjitet, brenda dhe jashtë vendit; sepse vetëm kështu do të mbeten të forta thesaret kulturore kombëtare. Ndërsa brezat e rinj kanë ardhur "në fronin" e trashëgimisë, përzgjedhja e emrave nga tradita kombëtare shekullore është një punë e lënë pas dore nga më të vjetrit, të cilët nuk e kanë kthyer në edukatë fisnore dhe familjare vendosjen e emrave shqiptarë.

Nga Isidor Koti, G. Tirana Observer


Në këtë lidhje mund të gjeni emra të ndryshëm shqiptarë :
http://www.parajsa.com/dossier/39-fjalor-emrash-shqip.html

No comments: