Babai i pacientes 17-muajsh, Shefqet Shehi, pohon se mjekët tanë nuk të shpëtojnë dhe e vetmja shpresë kanë mbetur spitalet në Itali.
Apeli
Apeli
Shpëtoni jetën e vajzës sime të vogël, ajo është si engjëll...!
Janë këto fjalët e babit të Ismës, i cili kërkon me çdo kusht që vajza e tij e vogël të jetojë. I mbështetur me kokë në mur rri pas derës së mjekëve në pritje të një përgjigje për ta ndihmuar në spitalet e huaja. Sipas Shefqet Shehut, vogëlushja e tij vuan nga një tomorr në mëlçi dhe se deri tani asnjë mjekim nuk e ka ndihmuar atë për tu përmirësuar.
Ndërkohë, ai pohon se sëmundja i është shfaqur kur ishte 11-muajsh dhe se mjekët tanë tashmë nuk munden të bëjnë asgjë për të. "Kam folur me mjekët dhe ka disa muaj që më thonë se duhet dërguar jashtë vendit. Ndoshta në spitalet e Italisë mund të bëhet diçka për vajzën time, ndaj shpresoj që të mos humbasim më kohë", - pohon Shefqet Shehu, duke shtuar se shtuar se gjendja e saj shëndetësore rëndohet gjithnjë e më shumë.
Por, nga ana tjetër, babi i Ismas nuk e fsheh debulesën që ka për të bijën, duke e krahasuar me një engjëll. "Ja shikojeni në foto vajzën time të vogël.
Është e bukur si engjëll. Unë e di që vogëlushja ime do të shpëtojë, ndaj lutem të më ndihmoni", - pohon babai i vogëlushes, duke shtuar se Isma është edhe një vajzë shumë e zgjuar dhe e dashur.
Shpenzimet
Sëmundja e rëndë e vogëlushes së familjes Shehi nuk është i vetmi problem. Familja është përballur edhe me shpenzime të mëdha gjatë kohës që Isma ka marrë mjekim.
"Nuk di sa kam shpenzuar me saktësi por kam paguar edhe për kimio-terapinë pasi jo të gjitha ilaçet i ka disponuar spitali. Këto medikamentet janë të shtrenjta dhe vërtet e kam pasur shumë të vështirë për ta përballuar", pohon Shefqet Shehu, duke theksuar se nuk do të kursente asgjë vetëm vajza e tij të bëhet mirë.
Megjithatë, ai thekson se e ka të pamundur për të përballuar mjekimin e vogëlushes jashtë shtetit, pasi në këtë rast bëhet fjalë për shifra shumë të larta sa e ka të pamundur për t'i siguruar.
"Kam pyetur dhe jam interesuar për të parë mundësinë që të dërgoj vajzën jashtë shtetit, por kjo është e pamundur për mua. Sikur të shes shtëpinë e gjithë çka kam përsëri nuk e përballoj dot.
Ndaj e vetmja shpresë për mua ka mbetur që të më ndihmojë shteti apo ndonjë subjekt tjetër që të dërgoj vogëlushen në Itali", - pohon Shefqet Shehu, i cili nuk i fsheh dot lotët e një babi që kërkon shpëtim për të bijën.
"Kam folur me mjekët dhe ka disa muaj që më thonë se duhet dërguar jashtë vendit. Ndoshta në spitalet e Italisë mund të bëhet diçka për vajzën time, ndaj shpresoj që të mos humbasim më kohë"
Babai: Më ka vdekur edhe një vajzë tjetër
Babai i Ismës nuk është hera e parë që po përjeton vuajtjet që i kanë ardhur nga fatkeqësitë në familjen e tij. Shefqet Shehu pohon se para pak vitesh i ka vdekur edhe një vajzë tjetër vetëm 4-ditësh në maternitet dhe, sipas tij, ndonëse ishte shumë e vogël e kanë përjetuar rëndë humbjen e saj. "Kur nusja ime lindi vajzën nuk do ta besonim se do ta humbisnim brenda katër ditësh.
Ajo vdiq në maternitet dhe kurrë nuk e mësuam sëmundjen e saj. Ishte vërtet shumë e dhimbshme për ne. Vogëlushja jonë ishte shumë e bukur dhe nuk dukej bebe e sëmurë. Lutem që të mos humbas edhe Ismën se ajo është engjëlli i shtëpisë sonë", - pohon Shefqet Shehi.
Doktoresha Anila Godo pohon se pacientja është rast i rëndë, por duhet provuar një mundësi edhe në Itali
Godo: Rasti është i rëndë, të shohim mundësinë për në Itali
Vogëlushes i janë bërë 6 kimioterapi, por për fat të keq sëmundja nuk ka pasur asnjë përmirësim, pasi vërtet kemi të bëjmë me një rast të rëndë. Kështu shprehet shefja e shërbimit të Onko-hematologjisë në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Anila Godo, e cila thekson se tashmë mjekësia jonë nuk ka çfarë bën më shumë me pacienten, por, sipas saj, vogëlushes duhet t'i jepet edhe një mundësi në spitalin në Itali, ndonëse edhe kolegët italianë nuk është e thënë të japin garanci për pacienten. "Pacientja ka një sëmundje tumorale të rëndë, pasi kjo sëmundje nuk po reagon as ndaj kimioterapive të njëpasnjëshme që i janë bërë.
Deri tani i janë bërë 6 kimioterapi dhe nuk kanë dhënë asnjë rezultat, ndaj mendoj se këtu nuk ka çfarë të bëhet më shumë për këtë paciente", - pohon Anila Godo, duke shtuar se për fat të keq në pavijonin e saj mjekohen edhe fëmijë të tjerë me sëmundje të rënda.
Megjithatë, doktoresha Godo pohon se vogëlushes i duhet dhënë edhe një mundësi për ta dërguar për mjekim në Itali, për shkak të infrastrukturës më moderne që kanë ata. Por, nga ana tjetër, ajo nuk siguron se mjekët italianë do të japin garanci për pacienten. "Theksoj se kemi të bëjmë me një rast të rëndë, ndaj dhe nuk mund të flasim për siguri në lidhje me mjekimin e pacientes.
Megjithatë, unë mendoj se duhet parë situata e saj në një spital më modern në Itali", theksoi Godo. Ndërkohë, doktoresha shpjegoi se për këtë janë duke biseduar me drejtorinë e QSUT-së dhe me Ministrinë e Shëndetësisë, në mënyrë që të shohim mundësinë për transferimin e saj në spitalet Italiane.
E. Bardhi , Shekulli
No comments:
Post a Comment