Partia Demokratike ka rifituar dje pëlqimin e qeverisë greke, teksa ka miratuar në Kuvend marrëveshjen për kërkimin dhe rivarrimin e ushtarëve grek të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por ka humbur në të njëjtën kohë edhe unitetin brenda saj.
Jo vetëm aleatët, por edhe vetë deputetë të Partisë Demokratike nuk i janë bindur vendimit të grupit parlamentar, duke votuar kundër ose abstenuar në seancën e djeshme plenare ndaj marrëveshjes, edhe pse numri i tyre nuk ka qenë i mjaftueshëm për ta rrëzuar atë.
Jo vetëm aleatët, por edhe vetë deputetë të Partisë Demokratike nuk i janë bindur vendimit të grupit parlamentar, duke votuar kundër ose abstenuar në seancën e djeshme plenare ndaj marrëveshjes, edhe pse numri i tyre nuk ka qenë i mjaftueshëm për ta rrëzuar atë.
Mazhoranca e djathtë ka ratifikuar marrëveshjen në fjalë, por duke mundur të marrë vetëm 66 vota pro, ndërsa 5 deputetë votuan kundër dhe njëri abstenoi.
Një deputet tjetër rezulton të ketë shprehur kundërshtimin e tij, duke mos marrë pjesë në votim, pasi nuk rezulton në listën e deputetëve votuan pavarësisht se gjatë matjes së prezencës ka qenë në sallë.
Debati
Që në çelje të diskutimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, të viteve 1940-1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit shqiptar, dy deputetët çamë të Partisë për Demokraci dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri kanë kërkuar prej pjesës tjetër të mazhorancës që të shtyhej ratifikimi i saj deri në një moment tjetër. Sipas deputetit Tahiri marrëveshja në fjalë duhet të kishte ardhur në Kuvend si shenjë e ndjenje respekti reciprok edhe nga ana e shtetit grek kundrejt kalvarit të vuajtjeve të çamëve. Për sa kohë ka theksuar ai që nga ana e shtetit grek nuk njihet genocidi i ushtruar ndaj popullsisë çame, por përkundrazi ai përçmohet duke mos lejuar banorët çam të vizitojnë vendbanimet e tyre në Greqi, shteti shqiptar nuk mund të bëjë një lëshim të tillë për ngritjen e këtyre varrezave në Shqipëri.
Kundra është shprehur edhe deputeti tjetër çam, Shpëtim Idrizi, i cili duket kërkuar që votimit i marrëveshjes në fjalë të shtyhej, ka theksuar se me këtë nismë shteti shqiptar po legalizon ngritjen e dy varrezave, të cilat deri më tani kanë qenë të paligjshme në Këlcyrë dhe në Gjirokastër.
Por, si kundërpeshë ndaj këtyre qëndrimeve mazhoranca përveç dy relatorëve të komisioneve ku dhe është diskutuar kjo marrëveshje, ka nxjerrë edhe deputetin Tritan Shehu, i cili, duke ftuar deputetët ta votojnë atë, ka theksuar se me këtë hap shteti shqiptar respekton të rënët në luftë. "Ne nuk duhet të ngatërrojmë gjerat, ndaj duhet të miratojmë marrëveshjen si shenjë respekti ndaj të vrarëve në luftë", - tha Shehu. Por, një qëndrim i tillë ka sjellë revoltimin e deputetit çam, Dashamir Tahiri, i cili duke folur nga vendi ka replikuar me Shehun. "Na dole në mbrojtje të marrëveshjes, dhe na fole për luftën, për anglezët, italianët, por nuk na the nëse ushtarët grek ranë këtu si pushtues apo si çlirimtar. Nuk the një fjalë për genocidin grek ndaj popullsisë çame", - tha Tahiri.
Pavarësisht debateve, marrëveshja ka kaluar në votim, duke marrë 66 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim. Grupit të deputetëve që nuk e miratuan marrëveshjen, përveç Idrizit dhe Tahirit, iu bashkuan edhe deputetët demokrat Bedri Hoxha e Ardian Kollozi, si dhe Lefter Koka i LSI-së, ndërsa deputeti tjetër demokrat Lefter Maliqi abstenoi.
Marrëveshja
Marrëveshja për gjetjen dhe rivarrimin e eshtrave të ushtarëve grekë u nënshkrua më 19 nëntor të vitit 2008 në Tiranë. Por, pavarësisht se nënshkrimi i saj mes palëve është bërë që dy vjet më parë, vet reagimi i opinionit publik detyroi qeverinë shqiptare që ta zvarrisë ratifikimin e saj në Kuvend deri në këto momente. Në bazë të kësaj marrëveshje për rivarrimin e ushtarëve grek të rënë në periudhën 1940-1941 do të ngrihen dy varreza, njëra në Këlcyrë të Përmetit dhe tjetra në Bularat të Gjirokastrës. Ekzaminimet e eshtrave do të bëhen nga një grup ekspertësh të ngarkuar posaçërisht për kryerjen e kësaj procedure. Në to do të jenë numër i barabartë anëtarësh nga të dyja palët dhe do të kenë në përbërjen e tyre ekspertëve të mjekësisë ligjore, ushtarakë dhe historianë, që do të merren me administrimin e eshtrave, por edhe të elementëve të tjerë që kanë lidhje me zbardhjen e fakteve historike. Skeletet që do të nxirren do të fotografohen dhe dosja do të mbahet në dy kopje e protokolluar nga të dy palët. Një rol në këtë proces do të luajë edhe Kisha Ortodokse Shqiptare, e cila do të administrojë dy vendprehjet e reja të ushtarëve grek, por vetëm në aspektin humanitar të tyre. Po sipas marrëveshjes, pala greke do të mbulojë shpenzimet për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin si dhe do të sigurojë pajisjet e nevojshme teknike dhe infrastrukturën logjistike.
Në marrëveshje është parashikuar gjithashtu, që nëse hapësirat e zëna nga varrezat do të përdoren për interesa publike, atëherë pala shqiptare është e detyruar të vërë në dispozicion të palës greke një shesh tjetër të përshtatshëm, si dhe do të mbulojë të gjitha shpenzimet për rivarrimin e eshtrave dhe sistemin e varreve të reja. Gjithashtu, sipas marrëveshjes, është përcaktuar edhe data 28 tetor si dita përkujtimore e të rënëve grekë.
Fejzi Braushi, Shekulli
No comments:
Post a Comment