Wednesday, March 31, 2010

Gay e lesbike, festë tek blloku i ambasadave

Askund tjetër nuk ndihen më të sigurt se aty. Jo vetëm për shkak se askujt nuk i bën asnjë përshtypje pse dy meshkuj puthen në mes të lokalit, por edhe pse zona e bllokut të ambasadave është vendi më i sigurt në Tiranë.

Prej kohësh lokali në qendër të bllokut të ambasadave është kthyer në oazin e dëfrimeve të shpenguar për të gjithë ata që nga shoqëria shqiptare shihen me një sy tjetër. E sapo shkel këmbën aty kupton fare qartë që ato sjellje që për secilin prej nesh do të konsideroheshin tabu, aty jo vetëm që konsiderohen normale por fjala liri merr krejtësisht një tjetër kuptim.


Dhe çdo të shtunë ata i gjen aty. Hyjnë një nga një pa rënë në sy dhe brenda pak minutash transformohen në atë që janë me të vërtetë. Meshkujt që vishen si femra apo femrat që pikturojnë mustaqe dhe hiqen si "të fortë" janë gjëja më normale e atij vendi.
Mund të thuash pa frikë se fundjavat janë e vetmja mundësi argëtimit për të gjithë ata që shijet seksuale i bëjnë të ndryshëm nga shoqëria. Ndaj dhe sapo mbrëmja bie, një nga një mblidhen si zogjtë pranë klloçkës të bindur se vetëm aty janë krejtësisht të sigurt dhe krenarë për faktin që janë homoseksualë. Nuk bëhet fjalë për ata që kryeqytetasit shohin rëndom pranë ish- gropës së Hajdin Sejdisë, (zona pas Teatrit të Operës dhe Baletit) por për njerëz krejt për së mbari. Disa prej tyre kanë aktivitet të suksesshëm në fusha të ndryshme të jetës, personazhe që shpesh herë i sheh të ftuar në emisione në TV apo edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Por ka nga ata që vijnë dhe për të kthyer një birrë me çmim shumë të lirë dhe krahas alkoolit shijojnë dhe performancat e shkëlqyera të kërcimtarëve meshkuj. Për kureshtarët kjo s'është gjë tjetër veçse një mbrëmje ndryshe që për homoseksualët shndërrohet në një mbrëmje ku janë krejtësisht vetvetja.

Kur hyn në lokal e kupton që je një i huaj. Pothuajse të gjithë njihen me njëri- tjetrin. Ata njohin edhe "anën e pasme të medaljes", atë që qëndron e fshehur gjatë gjashtë ditëve të javës për të shndritur ditën e shtunë. Për njëri- tjetrin dinë jo vetëm historitë por edhe zullumet që herë herë shndërrohen në sfida kërcimesh eksituese apo provash flirtimi. Ndaj dhe prezenca e një të riu shihet me sy shumë dyshues jo vetëm nga menaxherët e lokalit por edhe nga ata që në përjashtim të Klodit nuk kanë guxuar të deklarojnë preferencat e tyre seksuale.

Megjithatë ky debat as që ekziston në lokalin e bllokut të ambasadave. Me të shkelur këmbën aty, njerëzit janë krejtësisht të shpenguar. Mund të kërcejnë jo vetëm mbi banak në mënyrë tejet eksituese por edhe të puthen e të përqafohen. E për të nxitur sjelljet krejtësisht të shpenguara nuk është vetëm birra e lirë që të ofrohet por edhe ushqime afrodiziake, si pica me karkaleca, karotat, haviari apo frutat e detit. Ndërsa gjysmë errësira e krijuar nga ndriçimi i llambushkave e bën ambientin tepër romantik.

Ndaj dhe për këtë shkak lokali është kthyer edhe si një pikë-pjekje për gay edhe lezbiket që duhet thënë se nuk janë më të pakta në numër. Në fakt, këtu rregullat e xhentilesës së "gjuetisë" janë lënë përtej derës së lokalit. Nuk ofrohet një pije apo edhe të stisen mënyra për të bërë partnerët për vetë. Mjaftojnë vetëm vështrimet e më pas sheh një çift femrash apo dhe djemsh që braktisin lokalin për tu kthyer pas pak minutash. E gjithë skena ndiqet me sy ziliqarë që atë natë ju duhet të kënaqeni me pijet apo edhe pistën e kërcimit.

Nata e fundit nuk ishte me fat për shumicën e homoseksualëve që frekuentojnë këtë bar. Por kjo nuk do të thotë se mbrëmja e radhës nuk do të jetë e tillë. Ndaj dhe çdo fundjavë, lokali në zemër të bllokut të ambasadave është më se i frekuentuar. Homoseksualët kanë një strehë të sigurt ndërsa të zotët e lokalit duket se kanë gjetur një mënyrë për të bërë biznes edhe në netët kur kjo zonë është e braktisur nga punonjësit e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Ndaj të gjithë palët duket se janë më se të lumtur në oazin e parë të homoseksualëve shqiptarë.

*****
Dori, djali që nuk shkel në qytetin e tij

Zoti i ka falur një trup që nëse nuk e njeh mund ta ngatërrosh me një modele të pasarelave. E për këtë Dori është më se e bindur dhe duket se bën gjithçka për të nxjerrë në pah hiret e tij. Vishet krejtësisht në mënyrë të shpenguar si të ishte një e përkëdhelur blloku. Këtë e bën edhe në mes të ditës, xhinse me gurë dhe këmisha të puthitura mirë pas trupit. Të mos kishte flokë të shkurtër pa asnjë mëdyshje se Dorin do e ngatërroje për një vajzë për të cilën djemtë do të mbanin frymën tek sa ajo kalonte.
Por si e tillë Dori ndihet vetëm në lokalin në mes të bllokut të ambasadave. I bie kryq e tërthor të lokalit që kushdo që është i pranishëm të mos ikë pa parë hiret e tij. Përveçse ndihet më i bukur se kush do tjetër në këtë lokal, dhe për të treguar këtë, bën gjithçka që të tërheq vëmendjen, Dori është edhe një kërcimtar i shkëlqyer. Si të ishte një balerinë që studion prej vitesh, kur del në pistë, të gjithë sytë ndalen tek ai.

E ndërsa në mbrëmjet e fundjavës, Dori përpiqet të tregojë se është një njeri i lumtur edhe një mashkull që e ka suksesin e garantuar, jeta e tij nuk është aq e bukur sa duket. Dori është me origjinë nga Vlora. Të gjithë e dinë historinë e tij të dhimbshme, jo vetëm për të, por për çdo gay tjetër në Shqipëri. Prindërit e tij, me të mësuar shijet e tij seksuale e kanë bërë lanet. Ndërsa në qytetin e tij të lindjes, nuk dihet sa kohë ka që Dorit s'i ka shkelur këmba. Në lokal të thonë se Dori nuk guxon të kalojë urën e Mifolit ndërsa ka zgjedhur Tiranën për të jetuar disi më në paqe, nëse edhe kjo mund të quhet e tillë. Në fakt, ky është shqetësimi i çdokujt që ka prirje të ndryshme seksuale në këtë vend. Dhe kjo duket se është ajo çfarë e bashkon fort gjithsecilin prej tyre. Ndajnë të njëjtat shqetësime, paragjykime apo edhe frustrime në ambientin ku jetojnë apo dhe punojnë.

Por Dori duket se është krejt ndryshe. Me të braktisur shtëpinë e tij, Dori nuk çan dhe aq kokën çfarë thonë të tjerët për të. Por edhe kjo ka një kufi. Minifundet që duket se Dori vdes t'i veshë, i përdor vetëm në lokalin e bllokut të ambasadave. Përtej tij, paçka se me xhinse me gurë dhe këmisha që i rrinë mirë puthitur pas trupit, ai rreket të jetë një djalë si gjithë të tjerët paçka se çdo fundjavë është "vajza" më e përkëdhelur e lokalit të bllokut të ambasadave.


****
LGBT: Të krijohet lëvizje e re

Shqipëria ka tashmë një lëvizje të re në mbrojtje të të drejtave të minoriteteve seksuale në Shqipëri. Një grup të rinjsh e të rejash nga e gjithë Shqipëria, të cilët besojnë se Shqipëria nuk mund të konsiderohet një vend demokratik që respekton të drejtat e njeriut pa respektuar dhe garantuar edhe të drejtat e komunitetit LGBT në vend, kanë vendosur që të formalizojnë atë që do të quhet LGBT PRO Shqipëri.

Shoqata mbron të drejtat e lesbikeve, gay-ve, biseksualëve dhe transxhenderëve dhe ka si synim të mbrojë dhe promovojë të drejtat e minoriteteve seksuale në vend. "LGBT PRO Shqipëri punon për mbrojtjen e të drejtave të homoseksualëve, lesbikeve, biseksualëve dhe transeksualëve, duke u përballur me institucionet shtetërore dhe ato private për të adresuar sa më mirë zgjidhjen e problemeve të komunitetit. Punon për mbrojtjen nga dhuna dhe diskriminimi të komunitetit, ndërgjegjësimin publik në nivel kombëtar dhe lokal për të drejtat e LGBT-ve nëpërmjet lobimit dhe avokatisë, përmirësimit të politikave publike dhe legjislacionit, ngritjes së kapaciteteve, informimit dhe mobilizimit social",- thanë dje drejtuesit e kësaj shoqate.

Jam homoseksual


Nga Mindy Michels, Ph.D.

"Jam homoseksual!" Kjo frazë filloi papritur të shfaqej në statusin e shumë prej miqve të mi shqiptarë në facebook. Ata e mbajtën atë gati një ose dy ditë, ndonjëherë të shfaqur bashkë me linkun e artikullit të mrekullueshëm të shkruar nga Fatos Lubonja, duke treguar që për të mbështetur dinjitetin njerëzor, për të fshirë turpin, për të kundërshtuar injorancën, intolerancën dhe urrejtjen, ne duhet te jemi të gatshëm të ngrihemi dhe të themi "jam homoseksual".

Është e jashtëzakonshme që këto mesazhe statusesh janë duke u postuar në shumë forume gjysmë-publike, nga shqiptarë heteroseksualë, homoseksualë dhe biseksualë që jetojnë në Shqipëri.

Deri në momentin që Klodian Çela, një pjesëmarrës i emisionit "Big Brother" në Shqipëri, vendosi së fundmi të deklaronte publikisht që ishte homoseksual, nuk kishte asnjë shqiptar që jetonte këtu i cili do të deklarohej dhe të dilte hapur publikisht. Pas rrëfimit të tij, nëpërmjet një letre shumë emocionuese drejtuar nënës së tij, media dhe komentet publike filluan të vorbullonin shumë mbi këtë temë. Të gjitha këndvështrimet u bënë të zëshme, nëpër gazeta, në emisione televizive, në blogje të shumtë në internet si dhe në shtëpinë e "Big Brother". Debati dhe dialogu i respektueshem (mbi të gjitha çështjet) është kritik për një demokraci të shëndetshme dhe kumbuese; ai bën të mundur shkëmbimin e opinioneve, ndryshimin e mendjeve, edukimin e publikut, si dhe lëvizjen e përparuar të shoqërisë.

Gjithsesi, grupe të vegjël djemsh dhe burrash të irrituar kanë marshuar në një protestë në Lezhë; gjithashtu janë formuar dhe grupe kundra Klodit në facebook. Protestat dhe grupet e facebook-ut përkrahnin dhunën kundër Klodit dhe familjes së tij, duke pohuar se ai nuk ishte shqiptar, dhe duke mohuar origjinën e tij nga Lezha. Këto pohime nuk ishin të bazuara në realitet: Klodi është lindur dhe rritur në Lezhë, dhe familja e tij vazhdon të jetojë aty. Më saktë ato bazoheshin në logjikën që shqiptarët, ose njerëzit nga Lezha nuk mund te ishin homoseksualë...prandaj Klodi nuk mund të ishte një shqiptar nga Lezha.

Veç kësaj, forumet anonime të facebook-ut lejuan lulëzimin e shumë grupeve të dhunshme, siç ishte një me qëllimin e titulluar "të djegim Klodin me benzinë".
Në këtë frymë, Fatos Lubonja, një shkrimtar, dijetar dhe intelektual publik shqiptar, shkroi artikullin e tij të guximshëm në mbështetje të të drejtave të njeriut, duke vërtetuar që në çdo kohë njerëzit janë dalluar sepse janë të "ndryshëm", më pas ne të gjithë jemi pakësuar. Z. Lubonja argumentoi se për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për t'iu kundërvënë dhunës, intolerancës dhe urrejtjes, "ne të gjithë duhet të themi me zë të lartë, "jam homoseksual". Z. Lubonja guxoi të na ngrinte të gjithëve kundër paragjykimeve, të jetonim për një moment të vërtetën se "asnjë nga ne nuk është i lirë, derisa të gjithë të jemi të lirë".

Dhe në këtë frymë, njerëzit e të gjitha orientimeve seksuale filluan të shkruanin në statuset e tyre në facebook "jam homoseksual". I fejuari i një gruaje ishte i pari që iu përgjigj statusit të saj, duke komentuar "Çfarë ndodhi?!" Në faqe të tjera ky formulim provokoi shumë debate, pyetje, madje edhe akuza. Për disa formulimi ishte thjesht një paraqitje politike. Për të tjerë, artikulli dhe postimet e njerëzve të tjerë i lejuan atyre të ndërthurnin mendimet personale me ato politike; për të bërë një deklaratë publike politike, për të mbajtur një pozicion për të drejtat e njeriut, për të konstatuar një të vërtetë personale.
"Jam Homoseksual!" E thjeshtë. E fuqishme. Një thirrje për respekt dhe dinjitet për të gjithë njerëzit. Një mekanizëm për të fshirë turpin. Një sfidë për diskriminimin dhe intolerancën. Një sfidë për veten tonë. Një sfidë për njerëzit që na rrethojnë.
Është veçanërisht shumë e fuqishme që e gjitha kjo po ndodh në të njëjtin moment që Shqipëria sapo ka miratuar ligjin kundër diskriminimit, një ligj që jo vetëm mbron nga diskriminimi, por që konstaton shumë qartë se qëllimi i tij është "të sigurojë të drejtën e çdo personi për barazi përpara ligjit, për mbrojtje nga ligji, mundësi e shanse të barabarta për të shfrytëzuar të drejtat, për të gëzuar lirinë dhe për t'u bërë pjesë e jetës publike.

Ka shume lesbike, homoseksualë, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT) shqiptarë. Kjo është e vërteta. Unë njoh disa prej tyre. Njoh disa nga historitë e tyre, njoh disa nga vuajtjet e tyre, njoh disa nga sfidat me të cilat ata përballen çdo ditë. Gjithashtu njoh dhe shumë heteroseksualë shqiptarë që i mbështesin ata, që mbështesin lirinë e çdo njeriu për të jetuar me dinjitet, duke u bazuar në privilegjet dhe të drejtat e njeriut. Kjo nuk është thjesht një çështje për Klodin, ose për këto protesta të vogla që po ndodhin në Lezhë. E gjithë kjo është për një moment ku Shqipëria po përballet me vetë diversitetin e saj, dhe ku njerëzit me ndërgjegje të mirë kanë mundësinë të ngrihen për të drejtat e njeriut, për të drejtën e të gjithë njerëzve për të jetuar të lirë, për të jetuar hapur dhe ndershmërisht, dhe për të jetuar pa frikë.

Unë erdha në Shqipëri gati 4 vjet më parë, dhe ndihem jashtëzakonisht shumë me fat që pata privilegjin për të jetuar këtu. Unë jam antropologe dhe kam qenë aktiviste e drejtësisë sociale për 18 vjet në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri. Kam marshuar në protesta, kam shkruar letra, kam qenë në mbrojtje të ligjeve, kam hapur organizata, kam drejtuar trajnime, kam regjistruar ankesa ligjore dhe shumë të tjera. Kam vëzhguar procesin e ndryshimit të mendjeve dhe lëvizjen e ngadaltë drejt barazisë. Unë jam e sigurt që kjo betejë për të drejtat e LGBT në Shqipëri do të jetë një fitore, sepse ata që janë duke luftuar këtë betejë janë në anën e duhur të historisë. Ashtu si Martin Luter King, Jr. konstatoi në mënyrë absolute, "Harku i historisë është i gjatë, por ai përkulet në kahun e drejtësisë".

Sot, në Shqipëri, është momenti ku secili prej nesh ka mundësinë të zgjedhë nëse do të qëndrojë në atë hark të historisë... Do të qëndroni ju nga ana e lirisë, nga ana e barazisë, nga ana e drejtësisë për të gjithë njerëzit?

Shekulli

No comments: