Para disa ditësh, një prej banorëve të spektaklit Big Brother 3 Albania, përmes një letre të hapur, shoqëruar me lot e dhimbje, i bëri të ditur të ëmës, shoqërisë e të gjithëve, homoseksualitetin e tij.
Ishte moment që përloti të mëdhenj e të vegjël, heteroseksuale, homoseksualë, biseksualë apo aseksualë. Ishte heroizmi i një djali, që do mbetet i pari që tentoi të thyejë tabunë dhe doli mbi paragjykimet tona shoqërore, me një çmim, që askush më mirë se ai, nuk e di sa kushton.
Klodi, i lodhur nga tentativat e tij për ta mohuar orientimin e tij seksual (në një realitet të vrazhdë sa në tonin, homoseksualizmi është më shumë se mallkim), u dorëzua dhe e pranoi vetveten. Atë që ai i kërkoi njerëzve, që e njohin apo jo, Klodin e miq apo mikesha si Klodi, është ta pranojnë Klodin ashtu siç është ashtu siç ka lindur, ashtu siç shqisat e tij e urdhërojnë, ashtu si atij i pëlqen të jetojë.
Po kush jam unë, kush je ti dhe kush jemi ne të gjykojmë një individ për orientimin e tij seksual ?
Homoseksualizmi nuk riprodhohet, ai përkundrazi vjen prej heteroseksualëve. Homoseksualët janë të dënuarit. Preferencat e tyre seksuale nuk mund të sjellin fryte, ashtu siç sjellin raportet hetereseksuale që finalizohen me trashëgues, që janë pjellë e dashurisë. Homoseksualët janë njerëz si ne, nuk janë të sëmurë, as në tru as në trup. Nuk na rrezikojnë ekzistencën dhe aq më pak jetën tonë private. Ne nuk e gjykojmë kurrë një person me të cilin nuk kemi raport seksual, për seksualitetin e tij.
Kurrë shoqëria nuk ka reaguar me kaq histerizëm ndaj një të njeriu steril, apo ndaj një të njeriu impotent.
Njerëzit nuk vlerësohen në shoqëri prej seksualitetit të tyre, kontributi i tyre është shumë më i gjerë dhe esencial. Reagime të tilla kafshërore, nuk janë asgjë tjetër veçse injorancë. Ato tregojnë për një shoqëri të prekur thellë nga fanatizmi, për një shoqëri që nuk njeh të drejtat themelore të njeriut, duke reaguar me instikte që janë aq larg njeriut, por edhe kafshës, sepse as kafsha nuk e vret llojin e saj, për arsye të orientimit seksual.
Nëpër forume dhe faqe të ndryshme virtuale, reagimet e opinionit publik arrijnë në një histeri të trishtë deri të rrezikshme. Meshkuj harbutë që bëjnë thirrje për vrasje, ekzekutime, tredhje apo djegie homoseksualësh...
Disa individë, paradoksalisht duke ushqyer një urrejtje pa burim ndaj homoseksualëve, kërcënojnë edhe duke përdorur fjalor seksual, përdhunime etj.(?) Duket vërtetë sikur homoseksualiteti i dikujt trondit raportet e tyre seksuale, apo sikur reagimi histerik të vijë si lëvizje që një homoseksual bën, për të shuar dyshimet rreth homoseksualitetit të tij
Jemi Shqipëri, nuk jemi asnjë prej atyre shteteve të lindjes ku femrat gurorëzohen pse kryejnë marrëdhënie seksuale paramartesore. Jemi shqiptarë, e ajo që na dallon nga popujt e tjerë është toleranca për të pranuar atë që është ndryshe nga ne.
Shoqëria shqiptare, me rrënjë të thella nga vendi ku lindi demokracia, ka ardhur koha ta tregojë pjekurinë e saj, të lashtë sa vetë qytetërimi.
Jeto dhe lejo të jetojnë !
Stop Injorancës - Ndal Paditurisë ! http://www.facebook.com/NdalPaditurise2
No comments:
Post a Comment