Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm Ilir Meta, deklaroi dje se ekzistenca ose jo e minoritetit serb në Shqipëri do të provohet nëpërmjet regjistrimit të popullsisë, ku secili mund të shprehë besimin e tij fetar dhe përkatësinë etnike.
Megjithëse pretendimi i shfaqur nga qeveria e Serbisë, gjatë vizitës së ministrit shqiptar në Beograd, për ekzistencën e një minoriteti serb në vendin tonë, është hedhur poshtë nga historianët shqiptarë me argumente historike, se as në të kaluarën nuk ka ekzistuar një pakicë e tillë etnike, kreu i diplomacisë shqiptare artikuloi se në të shkuarën ka ekzistuar ky minoritet.
Gjatë një pronocimi për shtyp, Meta vuri në dukje se nëpërmjet regjistrimit të popullsisë, do të qartësohet edhe identiteti kombëtar i minoriteteve. Sipas Metës, gjithmonë ka pasur probleme përsa i takon pakicave etnike dhe mënyrës sesi janë cilësuar ato, për shkak të ndryshimit të emërtimit të shetit serb gjatë gjithë periudhës së shndërrimit të tij, që nga një shtet shumëkombësh e deri në Serbinë e sotme. "Lidhur me çështjen e pakicave ju e dini që ka patur disa probleme përsa i takon mënyrës se si janë quajtur ato, për arsye se në të kaluarën kishim Jugosllavinë, më pas kemi pasur Serbinë dhe Malin e Zi si subjekt pasues dhe sot janë disa vende të ndara. Ne, pa marrë përsipër për t'u shprehur në emër të cilitdo jemi treguar të hapur dhe jemi të hapur për të realizuar regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë, për ti dhënë mundësinë çdo qytetari të shqiptar, që jeton në Shqipëri që të shprehë edhe përkatësinë e tij etnike",- tha dje Meta.
Pavarësisht zërave të historianëve se në vend nuk ka ekzistuar një minoritet serb, as edhe në periudhën e viteve 1944-1948 kur Shqipëria kishte marrëdhënie shumë të mira me Ish-Jugosllavinë, Meta theksoi se ka ekzistuar një minoritet i tillë, por që emërtimi i tij është transformuar me kalimin e viteve.
"Kjo është një gjë që është bërë shumë e qartë, sepse në të kaluarën kemi pasur një pakicë që është quajtur jugosllave, më pas është quajtur pakicë serbo-malazeze dhe më pas malazeze", - u shpreh ai. Megjithatë, sipas ministrit të Jashtëm askush nuk ka të drejtë të përcaktojë identitetin kombëtar të çfarëdo lloj minoriteti, ndërsa shtoi se ky përcaktim do të bëhet nëpërmjet regjistrimit të popullsisë. "Nuk është e drejta ime dhe e askujt që të përcaktojë identitetin kombëtar të çdo lloj pakice. Kjo do të bëhet përmes regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë. Ne jemi të hapur në këtë drejtim dhe nuk mendoj se ky standard që Shqipëria ka vendosur, që është detyrim i stadit në të cilin ndodhet vendi ynë, të përbëjë ndonjë problem apo ndonjë shqetësim për cilindo",- nënvizoi Meta.
Ai shtoi se, pavarësisht qëndrimit diametralisht të kundërt për çështjen e Kosovës, Shqipëria dhe Serbia do të vijojnë bashkëpunimin e tyre rajonal.
Shekulli
No comments:
Post a Comment