Forcat e Njësisë së Gardës Bregdetare të Greqisë, që kërcënuan shqiptarët nga bulevardi kryesor i Athinës me prerje kokash, rrjepje lëkure e deri me pirje gjaku, e kanë vizituar Shqipërinë 7 muaj më parë.
Të paktën 20 nga 36 komandot ksenofobë që u filmuan teksa klithnin: "Grek lind, nuk bëhesh kurrë, gjakun për ty do derdhim o derr shqiptar", kanë zbarkuar në portin e Sarandës në datën 15 shtator 2009. Pra, pikërisht në periudhën kur mbarë opinioni publik ishte përfshirë në debatin për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar mes dy shteteve. "Gazeta Shqiptare" ka siguruar dje ekskluzivisht fotot e 20 marinsave dhe të të paktën tre anijeve të kësaj Njësie, që për 24 orë ka patrulluar brenda ujërave territoriale shqiptare me misionin e koduar "Albania 2009".
Vizita e tyre në Shqipëri konfirmohet edhe nga vetë Ministria e Mbrojtjes së Greqisë, e cila e ka bërë të ditur këtë lajm përmes një njoftimi për shtyp të shpërndarë në datën 18 shtator 2009. Referuar këtij njoftimi thuhet se, qëllimi i kësaj vizite ka qenë thjesht stërvitor me qëllim "familjaritetin, veprimin paralel dhe koordinimin e mjeteve operacionale me rojet bregdetare shqiptare". "Stërvitja ishte bazuar në një incident të supozuar mes dy anije pasagjerësh pranë Sarandës. Rezultat i përplasjes ishte zjarri në motorin e majtë kryesore hydrofoil, me pasagjerë, të cilët bien në det për shkak të panikut dhe traumave detare. Skenari përbëhej nga katër faza për të trajtuar dhe për të menaxhuar situatën, konkretisht: informacion fillestar për shërbimet e përfshira, mobilizimi i personelit dhe burimeve, shuarjen e zjarrit dhe shpëtimin e banorëve të zhytur në ujë, rehabilitimin dhe transferimin e një marinari të plagosur", - thuhet mes të tjerash në këtë njoftim. Në të sqarohet gjithashtu se, pjesë e ekuipazhit të forcave speciale greke kanë qenë respektivisht "Njësia e Gardës Bregdetare, Oficeri Ndërlidhës për Shqipërinë, Zyrtari i Drejtorisë së Sigurisë Detare të Ministrisë së Marinës tregtare, Egjeut dhe Politikës së Ishujve si edhe një Koordinator Rajonal".
Forcat shqiptare
Ndryshe nga sa pretendon njoftimi për shtyp i Ministrisë së Mbrojtjes së Greqisë, në këtë të ashtuquajturën "stërvitje të përbashkët" nuk ka marrë pjesë asnjë nga forcat shqiptare të rojes bregdetare.
Fakt për këtë është mungesa jo vetëm e një njoftimi nga ana e Ministrisë sonë të Mbrojtjes, por edhe mungesa e një vendimi të qeverisë shqiptare që e mundëson këtë. Organizimi i të tilla stërvitjeve të përbashkëta, por edhe kalimi transit brenda kufijve shtetërore të Shqipërisë të forcave të huaja ushtarake sikundër dihet, rregullohet në bazë të ligjit "Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit".
Ky ligj kërkon detyrimisht një vendim të Këshillit të Ministrave për organizimin e kësaj të ashtuquajture stërvitje. Por, një vendim i tillë që mundëson njësitë speciale të rojes bregdetare greke të patrullojnë brenda ujërave territoriale të Shqipërisë apo për të organizuar një stërvitjeje të përbashkët me forcat shqiptare e për më tepër që mundëson zbarkimin e trupave të ushtrisë greke në portin e Sarandës, nuk gjendet kurrkund.
Tedi Blushi, G. Shqiptare
No comments:
Post a Comment