Wednesday, March 31, 2010

Ngjashmëri Mitesh

Në fillim krishterimi lindi si një fe e re, si një frymë e cila do të ndihmonte të varfrit dhe skllevërit.

Ishin kushtet më të mira, sepse nuk po i’u plotësoheshin nevojat nga besimet e vjetra pagane. Duke mos u premtuar asnjë rrugëdalje nga lutjet e kota, kjo fe e re i kishte të gjitha anët pozitive për ti bërë turmat të vinin pas saj. Ata më të rëndësishmit që më sa dukej ishin rekrutët e parë, së bashku me legjendat e tyre të vdekjes, nuk ishin gjë tjetër veçse predikuesit shtegtarë, të cilët njiheshin në atë kohë si profetë dhe apostolë.
Zeusi

Prandaj Marksi citon ne librin e tij Mbi Fenë, se kristianizmi lindi si një lëvizje masash, nga ku ëndërronin për një çlirim të mrekullueshëm nga robëria, për të gjetur shpëtim tek feja, në një rilindje mashtruese, ne rolin e narkotikes që topit dhimbjen.
Kështu, që sipas njërit nga dy vëllimet më të mira të Oksfordit, në librin Etërit e Parë të Krishterimit, përzgjedhur nga Henry S.Bettenson, vihet re se në popujt që merreshin me bujqësi, u krijuan tregime mbi lindjen, vdekjen dhe ngjalljen e perëndive. Njerëzit e dinin se çdo vit përsëriteshin të njëjtat fenomene, ditët e ftohta të dimrit zëvendësoheshin me pranverën, natyra e vdekur ringjallej, kurse pas verës dhe vjeshtës përsëri të gjitha zhdukeshin. Njerëzit mendonin se lulëzimi dhe tharja e bimëve, ndodh për shkak se perëndia e Diellit, lind dhe vdes. Ndërsa kur çdo gjë mbulohej nga dëbora dhe zhdukej, si në Egjipt, për shkak të erërave përvëluese të shkretëtirës, kjo do të thoshte se perëndia zemër mirë ishte vrarë, gozhduar, ose mbyllej në ndonjë burg nën tokë. Këto lloji perëndish pagane shpëtimtare, të çdo gjëje të gjallë në tokë, ishin paraqitur si të rinj e të bukur. Në bazë të tyre qëndronin mitet. Kjo do të thoshte se perëndesha dashuron djaloshin, perëndinë ose njeriun, pas vdekjes së tij, ajo gjen trupin, e qan atë dhe pastaj e ngjall.
-P.sh: në Egjipt që në kohët e lashta, miti më i populluar ishte mbi perëndinë Osiris, prej së cilit dita e parë ishte ditë zije, njerëzit të veshur me rroba të zeza i bënin atij thirrje të ngjallej, ditën e dytë po kështu, ndërsa ditën e tretë me anë të një mekanizmi të fshehur në të, ai ngjallej, dhe vajtimi shndërrohej në festë.
-Të ngjashme të tilla ka patur edhe ne Babiloni mbi Tammuze-Mardukun, ndërsa në Azinë e vogël organizohej për nder të vdekjes se Attisit.
-Në Finike dhe Siri festoheshin misteret e Adonisit, prej ku kremtohej java e zezë, mbahej kreshmë, në statujën e tij tregoheshin plagët e rënda që kishte marrë nga derri i egër. Ditën e shtatë varrosej, ditën tjetër fillonte ngjallja nën shprehjet ADONISI U NGJALL.
-Në Greqinë e vjetër ishte miti mbi perëndinë e vreshtave dhe pjellorisë Zagreje-Dionisin, për të cilin besonin se kur titanët kur vranë Zagrejin, në vend të tij u ngjall Dionisi perëndi, që ndër të tjera ishte zoti që shndërronte ujin në verë.
-Në Indinë e vjetër, Budën e quanin shpëtimtar, i ngjashëm me Krishtin, ai lindi nga vajza e virgjër Maja. Tek ai vinin për tu falur të diturit, ata çuditeshin me zgjuarsinë e tij. Budi kishte 12 shkencëtarë, njëri prej tyre e tradhtoi. Kur vdiq ai drita u zbeh dhe filloi tërmeti.

Pra nga kjo që lexuam, na shfaqet qartë se të “krishterët e parë” në një traditë na shfaqen më të hershëm, por sigurisht që të krishterët e mëvonshëm ditën të zgjidhnin mirë midis mitesh të para, të merrnin pjesë të ndryshme, për ti shfaqur në të njëjtën kohë, dhe për ti sjellë si bekim i jetës së re.

Të tjera të përbashkëta mbi mitin e Krishtit, ka në mitroizmin, fetë e persianëve të vjetër. Kjo fe quhet kështu sipas emrit të perëndisë së diellit Mitri.
-Besimtarët e Mitrit, besonin se ai lindi me 25 Dhjetor, në mënyrë të çuditshme në një shpellë, dhe nga një virgjëreshë e papërlyer. Ata që e panë për të parën herë, ishin barinjtë që ju afruan me dhurata. Në fund shpëtoi njerëzit nga të këqijat dhe vdiq i kryqëzuar në pemë, u varros në një shpellë, u vajtua nga dishepujt e tij, u ngjall, doli nga shpella, rrëzoj një shkëmb të madh dhe u ngjit në qiell. Mitroistët, ashtu si më vonë edhe te krishterët. prisnin riardhjen e tij, për të gjykuar dhe për të sjellë drejtësinë e lumturinë. Në fillim kulti i Mitrit ishte i fshehtë, edhe ata kishin pagëzimin, dhe në të njëjtën mënyrë edhe kungimin , kreshmën, dhe lutjet e përditshme. Besimtarët e quanin veten vëllezër, në të njëjtën mënyrë si tek Krishti. Si festë javore e Mitrit ka qenë dita e diel, pra dita e diellit, kurse shenja e tij ka qenë kryqi që personifikonte kryqëzimin e rrezeve të diellit.

Në veprën e dytë, Etërit e Mëvonshëm të Krishterimit, nga Henry S.Bettenson, shohim se ideja e shpëtimtarit të çuditshëm hyjnor, ide e cila zë një vend të rëndësishëm në fenë e krishterë, ka ekzistuar në popujt e ndryshëm shumë më përpara kristianizmit.

Ngjashmëria e miteve mbi shpëtimtarët shpjegohet nga fakti se në të gjithë popujt e vjetër besonin mbi lindjen vdekjen dhe ngjalljen e çuditshme të perëndisë, nga ku është krijuar nga paragjykime të gabuara krahasimi mbi vdekjen dhe ngjalljen e bimëve. Në parimin e këtyre kulteve qëndronte shenjtërimi i grurit, i cili futet në tokë dhe kalbet si grurë, kurse më vonë bima merr si të thuash një jetë të re, ndodh pra ngjallja e saj. Prandaj për të gjithë shpëtimtarët qe përsëritnin të njëjta veprime, e që bënin të njëjtat çudira, lindjen dhe vdekjen, në ngjalljen e tyre vendosnin të njëjtat stinë të vitit.

Ne pamë sa te ngjashme ishin edhe ritet fetare që lindin, vuanin, vdisnin dhe që ngjalleshin. Të gjitha kultet në fillim kishin karakter të fshehtë dhe ishin të kuptueshme vetëm për ata që ktheheshin në atë besim. Në krahasim me fenë prozaike të Romës, këto besime ishin tërheqëse. Sa e vërtetë është ajo që Osirisi jeton, po aq e vërtetë është që edhe besimtari do të jetojë. Sa e vërtetë është që Osirisi nuk u vra dhe nuk vdiq, aq e vërtetë do të jetë që edhe besimtari nuk do të vritet dhe nuk do të vdesë. Kështu mendonin masat e gjera të popullsisë që kishin nevojë për gjërat urgjente. Sepse kultet e vendeve të lindjes jepnin në një dozë më të madhe narkoze fetare për të cilën kishte aq shumë nevojë bota e vjetërsuar skllavo-pronare.
Kur filloi të përgatiteshe mesazhi se një ditë do të vinte mesia, pra në kohën kur ai erdhi, si materiale për këtë kanë shërbyer shprehjet e profetëve. P.sh: arratisja e Josifit dhe të Marisë me foshnjën Jezu në Egjipt, nga ku krijuesit e Ungjillit të mëvonshëm sipas Matheut e përpiluan në bazë të tekstit të librit të vjetër të Izraelit nga profeti Osii. Që nga Platoni, Filoni i Aleksandrisë, Lukiani, Seneka etj, gjejmë mendimet se ndërmjet njeriut dhe zotit duhet të ketë ndërmjetësi hyjnore.
Feja e re kristiane, nuk kërkonte rite të ndërlikuara, në fillim brenda mbledhjes së saj, nuk ka qenë e thirrur me emrin i “krishterë”, ose krishterim, thjesht ka ekzistuar më parë, për të qenë më e mbyllur dhe më e veçuar kundër shefit të madh, pra perandorit. Me të njëjtat predikime siç u quajt dhe u bë pas vdekjes së Krishtit, me doktrinën e përhapur të Palit, vihen re shumë ndryshime. Sepse Pali qe ndër të parët që u morën me doktrinën e krishterë, përhapjen e saj, dhe ne fund ndryshimin e asaj qe ka thënë Krishti në të vërtetë.
Jacques Douillet, në librin "Çfarë është një Shenjtor", në të njëjtën mënyrë me Biblën shpjegon edhe Kuranin, sepse myslimanët duke ardhur me një besim gati rreth 600 vjet pas Krishtit, me një libër Kuran, absolutisht i shkruar shumë mirë, të lë të mendosh se edhe Kurani mblodhi mbi shpinë fakte te vjetra, gati të njëjta me të krishterët.
Zhvilluar në të njëjtën mënyrë si tek të krishterët, por tu mbrojtur me fanatizëm sepse ishte më në kohë. Këtu shpjegohet fakti, që shkruesit e Kuranit, morën nga grekët e lashtë atomin, molekulën, universin e shumë të tjera të thëna para Biblës dhe Kuranit. Sepse të dyja besimet ditën të përvetësonin me sukses dhe të grumbullonin ndër vete të gjitha këto pikëpamje të rëndësishme fetare dhe filozofike të epokës së tyre, duke ju dhënë karakter më të përgjithshëm, të shkëputur në veçoritë lokale. Brenda të njëjtit mendim nuk janë larg edhe kontradiktat e ungjijve, dhe duke u parë se ato janë shkruar nga Ungjilli sipas Markut apo sipas Matheut etj. Por jo të shkruar ungjilli i Matheut, apo Ungjilli i Markut. Nga ku shfaqet që nuk janë shkruar nga vetë ata por vetëm sipas tyre. Ernest Renan, filolog i shquar francez, i cili u mor me historinë e popullit të izraelit, që me anë të shkrimeve të tij synonte të ndërthurte ndjenjën fetare me analizën shkencore, ndër të tjera për studimin e tij në librin Historia e Origjinës së Krishterimit, Libri V, pjesa Ungjijtë, mori për bazë vetëm Ungjillin sipas Gjonit, dhe ai vëren këto gabime të evangjelistëve:

Sipas Matheut kreu 27 vargu 37, Ky është Jezui mbreti i Judejve.

Sipas Markut kreu 15, vargu 26, Mreti i Judejve

Sipas Llukës kreu 23, vargu 38, Ky është mbreti i Judejve

Sipas Gjonit kreu 19, vargu 19, Jezu Nazaretini, Mbreti i Judejve.


Sa më e vjetër të jetë vepra kristiane, më fantastike është brenda saj figura e Krishtit, sepse veprat e lashta kristiane nuk e kanë përshkruar Krishtin njeri.
Në shkrimin e gjatë Apokalipsis, e gjejmë si një krijesë të mbinatyrshme, si një figurë e paqartë e mesianizmit, kryesisht nuk përshkruhet si njeri, që jetonte dhe predikonte në tokë, thekson Renan. Ndërsa në figurën mitike ai vëren se, Krishti paraqitet si qengj me shtatë palë sy dhe me shtatë palë brirë. Çka do të thotë se në fillim Krishtin nuk e kanë përshkruar me figurën e njeriut por me atë të qengjit, sepse dikur në ditët e pashkëve nxirrnin nëpër rrugë një qengj të gjallë, të zbukuruar me lule dhe me kordele, prej të cilit bënin prej sheqeri figurën e tij, që e hanin në darkën e pashkës. Traditë që është ende sot tek hebrenjtë, dhe në disa vende të lindjes së mesme.

Çfarë do të thotë në të vërtetë emri i Jezu Krishtit, përse duket kaq i veçantë?!

Jacques Douillet, në librin "Çfarë është një Shenjtor", thotë se emri i Krisht nuk është aspak një emër i veçantë, sepse kjo vjen nga një fjalë greke që do të thotë i krezmuar i dërguar. Kur Bibla u përkthye në gjuhën greke, fjalën e vjetër izraelite Mesia, i krezmuar i perëndisë, i dërguari i perëndisë, e përkthyen me fjalën greke kristos, i cili në fillim ka qenë emër i përgjithshëm. Përsa i përket emrit Jezu, kështu lloji emri ka patur në Palestinë, që 2 mijë vjet para lindjes se kristianizmit. Joshua, Jeshua, Osija. Kështu e ka quajtur në gjuhën izraelite popullsia vendase e Palestinës perëndinë e saj më të vjetër të bujqësisë, zotin e pjellorisë. Ky emër është ruajtur edhe tek çifutët për të përcaktuar kuptimin e zotit në përgjithësi, dhe gjithashtu kulti i këtij shpëtimtari ka qenë i ngjashëm me kultet e tjera të vendeve të lindjes për perënditë që lindnin dhe ngjalleshin përsëri. Çifutët që u vendosën në Palestinë nderonin Jeshunë, por këtij ja ndërruan fjalën duke ja zbutur në Jezu. Gjurmët e këtij emri kanë mbetur edhe në Bibël, p.sh: në figurën e heroit mitik Jezu Navivnit, profetit të Eliseit, ky emër ka dalë nga fjalët El Jeshua, që do të thotë Zoti Jezu.
Kulti i perëndisë së vjetër Jezu, është ruajtur për shumë kohë nga çifutët dhe ekzistoj deri në daljen e kristianizmit. Emri i tij duke u bashkuar me Krishtin, nxori emrin e plotë të heroit të mitit ungjillor. Prandaj sot, në shumë vende të lindjes së mesme, pra në ato myslimane, nuk lejohet të vendoset parashtesa EL, përpara një emri. Sepse konsiderohet një privilegj i madh, nëse e vendos këtë, rrënon një taksë të cilën vetëm një sheik me disa puse nafte mund ta paguaj.

Përse llogaritja e viteve bëhet nga data e lindjes së Krishtit?

Sepse edhe sipas figurave të tjera të ngjashme me Krishtin, çdo gjë ka filluar nga e para, për një jetë të re.

Ngjashmëria e lindjes së Krishtit me perënditë e tjera

Përsa i përket ditës së lindjes së Krishtit, pra 25 Dhjetorit, edhe këtë të krishterët e kanë marrë hua nga datat e festave të perëndive pagane.

Të gjithë popujt e kohës së vjetër, që merreshin me bujqësi festonin lindjen e perëndisë së diellit (Mitrit). Kulti Diellit që lind për një vit të ri punësh bujqësore. Festa e ngjalljes së zotit festohej në pranverë, në periudhën kur dita dhe nata janë njësoj, atëherë kur dita merrte nga nata, fillonte vapa dhe të korrurat.

Pra me 25 Dhjetor persianët festonin ditën e lindjes së Mitrit.
Sipas budistëve në këtë datë ka lindur edhe Buda.

Duke u përhapur në gjithë perandorinë romake, festa persiane e lindjes së zotit të diellit ngadhënjimtar, festohej më 25 Dhjetor. Të cilën kisha romake e futi në kalendarin e saj si ditën e lindjes së Krishtit.

Madje nuk duhet të harrojmë se edhe Zeusi ka lindur më 25 Dhjetor.

Por edhe pashkët kanë qenë festë e vjetër, e cila më tepër se 3 mijë vjet më parë ishte festa e çifuteve blegtore. Tradita e festës pranverore ku bëheshin fli apo kurban, qengja dhe keca për shpirtrat e këqij të shkretëtirës. Ata mendonin se do ti qetësonin shpirtrat e këqinj, që mos të dëmtonin më bagëtinë. Që para Krishtit, Renan na thotë se kjo festë quhej pashkë, dhe nga vetë gjuha izraelite do të thotë mëshirim. Krishterimi kësaj feste i dha një interpretim të ri, ngjalljen dhe fli për larjen e mëkateve. Për të cilën fli u bë një tjetër qengj, Jezu Krishti.

Por sa përralla të tjera do të përhapen mbi Krishtin, dhe shpërfytyrimin e figurës së tij?

Për sa kohë që do të ketë njerëz që do të përfitojnë dhe do të besojnë në të, asgjë nuk ka për të ndodhur. Sepse në botën e egjiptiane tre janë ngjyrat më kryesore të jetës, e verdha, që është përjetësia, jeta dhe më e rëndësishmja ngjyra e diellit, e gjelbërta jeta e fushave, e ujërave, frutave etj. Dhe e kuqja jeta e njeriut por edhe e gjallesave pranë tij. Për të gjitha besimet e lartë përmendura këto kanë shumë rëndësi, sidomos për krishterimin. Ndër të tjera, ajo që të bën përshtypje në paraqitjen e ikonave të Krishtit, është perëndia diell, pra ai vetë, ai vetë si qendra. Kopjim imazhi ky i marrë që 2 mijë vjet më parë tek persianët e Mitrit. Prandaj jo më kot në shfaqjen e pikturave të ikonave ai vjen nga e verdha e sipërme e diellit, me këmbët e tij në të gjelbërtën e poshtme të tokës, pra të jetës që ai shkel, apo shëron. Kështu që kleri, prej të cilit na lipset të besojmë në përrallat u ungjijve, praktikon ende sot përgatitjen e sendeve të shenjta, duke përdorur thuajse në çdo rresht shkrimet e shenjtërisë.

Kështu besimtarëve ju tregojnë ende tufën me kashtë nga atje ku u shtri Krishti, bukën me të cilën gjoja Krishti ushqeu 5 mijë njerëz, copat e petkave të bardha me të cilat e torturuan, mbeturinat e shtizës, me të cilën ashtu siç thuhet në Ungjill një ushtar e shpoj Krishtin në brinjë. Gjoja kurorën me gjemba që i ish vënë atij në kokë, apo edhe gozhdët me të cilat e kryqëzuan. Të tilla gozhdë ka ende në Evropë, dhe janë përhapur në më shumë se 200 manastire, kurse me copat e druve që qe mbërthyer Krishti, të cilat ruhen në epitafet apo jodhimat e Evropës, mund te ndërtohet një shtëpi e tërë. Madje edhe në Shqipëri ka patur të tilla, ku legjenda thotë se i dogji edhe vetë Enveri. Paraqitja e këtyre sendeve të rreme për kishën është dhe ishte burim të ardhurash.

Në ungjill thuhet se Krishti qau kur mori vesh për vdekjen e Llazarit. Lotët e Krishtit pas 1800 vjetësh u gjendën tek murgjërit francezë, dhe ata fituan nga ky mashtrim pasuri. Besimtarëve ju tregohen edhe gjurmët e Krishtit që ai ka lënë kur u ngrit në qiell. Kurse në një kishë në Gjenovë, ruhet ende bishti i gomarit me të cilin Krishti shkoi në Jeruzalem. Prandaj nuk mund të harrojmë fjalët e Bonafacit, se asnjë fabul nuk ka sjellë asnjëherë kaq të ardhura sa fabula mbi Krishtin.

Krishti u ngjall, Vërtet u Ngjall! Me parë ai duhet të ngjallet në zemrat tona, më pas në mendim, e më pas në lutje dhe veprime. Por ndodh e kundërta, gjë që bëhet sa për të thënë. Për sa kohë ne i kemi parë kohët e lashta si pagane, dhe një kohë më të afërt si më shumë fetare, ne përsëri do të vazhdojmë të besojmë. Por, për sa kohë nuk do të shpikim perëndi të reja, apo edhe kur ti shpikim, se nëse një ditë perëndia bëhet, nga emri i lakuar në gjininë mashkullore në perëndeshë, atëherë ata që do të vijnë, ndoshta edhe ata kanë për ta parë besimin tonë të tanishëm më paganë, seç i kemi parë ne të parët tanë. Kjo është ajo që mendimi bashkëkohor dyshon, sepse mesazhi i Krishtit nuk ka qenë ky qe njohim ne sot. Sepse njerëzit sot nuk besojnë, madje nuk kanë shumë interesa as për Krishtin e as për fenë, madje të gjitha këto i kanë si formalizma të kota, sa për të bërë një veprim të radhës. Por ata ende nuk ndjejnë gjë, dhe mesazhi i Krishtit ndoshta qe një tjetër, jo i atij të përfitimit. Po aq e rëndësishme sa është dita e diel në meshë, në katedralen e një stili dizajn, tek sa prifti predikon e thotë se kisha ka një armik të madh, Zhan Pol Sartrin. Ndoshta, kush ka sy le të shikojë, kush ka veshë le të dëgjojë...
Së këndejmi, ajo që të bën të mendosh është, nëse një ditë do të shkojmë në vende të tjera, nëse do krijojmë një jetë të re, diku në një planet tjetër, a do ta marrim me vete kishën, xhaminë, apo teqenë?

Për të vetmin njeri social të parë që vdiq në kryq...


Eljan Tanini

Shikoni ndërkohë edhe dokumentarin që tregon historinë më të bukur të treguar rreth historisë së miteve : http://www.youtube.com/watch?v=GIBmgByKjPA

NDAL PADITURISE !

No comments: