Friday, March 5, 2010

Mbi Besën dhe kulturën e gënjeshtrës

Besoj nuk diskutohet, as nga të majtët e sotëm e as nga të djathtët e djeshëm, as nga të ndershmit e patriotizmës e as nga të përndershmit e nacionalizmës e më të shenjtë se betimi e stërbetimi mes vedi, veçmas e, n’daç, edhe publikisht, sidomos kur duam të fshehim të vërtetën.

Nganjëherë na duket sikur, medemek, po e dhamë Fjalën, ne “mund të therim edhe djalën”!

Ndaj sipas kësaj kuturi-dukurie të trashëguar nga koha kur jetonim në fise, “institucionin e Besës” vazhdojmë ta vlerësojmë, në marrëdhënie me njëri-tjetrin, po edhe me ndërkombëtarët, si një krye-vlerë morale, sa pan-shqiptare dhe mbi-ballkanike, sa pan-njerëzore edhe universale; madje edhe më gjerë se kaq: si një virtyt specifik e të padiskutueshëm të kombit tonë të lashtë e lavdimadh!

Po sa e vërtetë është kjo? A mos përnjëmend ne shqiptarët e sotëm jemi “skllevër” të Fjalës, d.m.th të Besës së dhënë, apo...apo mos kur japim besën ne fshehim hilenë dhe pabesinë?

Kjo çështje ia vlen të hulumtohet pa asnjë ngarkesë emocionale prej shpirtit tonë nacionalist. Në një shoqëri të lirë e të hapur, demokratike dhe pluraliste, në një shtet të së Drejtës, fuqia dhe nevoja e gënjeshtrës presupozohet të jetë e kufizuar, e kontrollueshme, e ndëshkueshme! Kështu pra, ndërsa në diktaturë ne përbetoheshim “për ideal”, “për Flamur”, “për Parti”, “për Enver”, “për nder”, “për besë”, “për gjakun e dëshmorëve”, “për këtë bukë!” etj, po sot për ç’ka betohemi e stërbetohemi sinqerisht, nj’i tash kur “njeriu i ri i partisë” ka cofur e duket sikur nuk ka asnjë rol e ndikim?

Mos vallë ne sot betohemi për Kushtetutën? Mos betohemi për Shqipërinë, për NATO-n, për BE-në, për partinë e demokracinë? Apo mos betohemi për Flamurin kombëtar që lipset të bashkojë në një trup të vetëm Fjalën me veprën, nderin me meritat, historinë me të tashmen, prejardhjen me nostalgjinë, interesin kombëtar me atë vetjak?
Dhe, më në fund, sa janë ata bashkëkombës të komunitetit (apo partnerë të huaj) që na besojnë kur shqiptojmë një nga betimet e mësipërme, qoftë edhe kur themi: “për nder të familjes”, madje edhe kur e vëmë dorën mbi Kuran, mbi Bibël e ca më pak mbi Kushtetutë, se fjalën e dhënë do ta mbajmë!? A është pra i saktë përfundimi i hidhur se ky lloj pluralizmi ynë tranzicional, fatkeqësisht, e ka shtuar në maksimum dozën e kulturës së gënjeshtrës, që na duket si mjeti i vetëm dhe më i sigurt për të hedhur lumin e mëpastaj për të menderosur kalin e Besës së dhënë?
Ia vlen të vrasim pak mendjen e të jemi sadopak të sinqertë së paku me veten lidhur me këto pyetje dramatike që kërkojnë një përgjigje të çiltër: sa, si dhe kur e mbajmë ne Fjalën?

Pra, a jemi të gatshëm ne “të therim edhe djalën” për hir të Fjalës së dhënë?
Dihet se para-popujt administrohen me rregullat e Besës së dhënë në Kuvend apo Log të burrave (sipas Kanunit, kur dikush shkel besën ndëshkohet, poshtërohet e dëbohet nga katundi), ndërsa popujt e qytetëruar administrohen me Ligje, me Kushtetuta, me Kuvende parlamentare, me të zgjedhur demokratikisht, të cilët po ashtu ndëshkohen rëndë kur gënjejnë publikisht e nuk e mbajnë Fjalën e dhënë...

Pra, pyetja është e thjeshtë: cilën nga këto dy sisteme po zbatojmë ne sot?

Më ngjan se as njërën dhe as tjetrën, sepse tek ne drejton, mbizotëron dhe sundon kultura e gënjeshtrës, e gënjeshtrës publike që na shpëlan çdo ditë trutë.

***
Krizat e zgjatura në një tranzicion pa kufi, lufta dhe sfilitjet e njeriut të zakontë për mbijetesë, kryesisht nëpërmjet trafikimit të Fjalës, d.m.th, të shkeljes së Besës e më pas edhe të Ligjit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse mbjellin në shoqëri farën e mosbesimit, të konfliktit e të moskomunikimit. Por ndërkaq mosbesimi i tejzgjatur ka thyer dhe shkërmoqur të gjitha rregullat e normat e mirëkuptimit e të mirëbesimit. Jeta shoqërore bie kësisoj në kaos dhe rendin e vendos më i forti, i cili blen, shet e dhunon jo vetëm drejtësinë, por i kthen kokëposhtë edhe normat më të thjeshta morale. Kështu, ajo që dje quhej e drejtë, sot duket e padrejtë; ajo që quhej gënjeshtër, sot merret si e vërtetë...
Nëse një prostitutë të semaforit e shohim me përbuzje e neveri, një prostitutë politike, mediatike apo të botës së biznesit e shohin me respekt, nderim e zili...Vjen pra një çast kur betimi e stërbetimi i bërë publikisht shërben për të dëshmuar, maskuar e justifikuar të kundërtën, gënjeshtrën e mashtrimin, vjedhjen dhe krimin, manipulimin dhe sundimin, allishverishet dhe trafiqet, natyrisht jo vetëm nëpër fushata zgjedhore, po edhe në përditshmëri.
Kultura e gënjeshtrës bën vlerën antivlerë e anasjelltas. Ky është “gripi i derrit” i një shoqërie në tranzicion: kultura e gënjeshtrës së ambalazhuar me spote, me sfilata, me mitingje, me demagogji, me premtime, me mashtrim, me shitblerje të dinjitetit njerëzor! Tash janë bërë më se të rëndomta fjalët aq të shpeshta të udhëheqësit tonë legjendar që në çdo fjalim del e thotë: “unë ju garantoj”, “unë ju siguroj”, “unë ju premtoj”, paçka se pas tyre, nuk vjen besimi, po reaksioni zinxhir: gënjeshtra do të shërbejë si ilaç narkoze; gënjeshtra e madhe do të pjellë gënjeshtra të tjera në të gjithë hierarkinë shtetërore e shoqërore, deri në komuna e në zgëqe militantësh, sepse tani i madh e i vogël e di që në këtë vend vetëm duke gënjyer mund të bësh prokopi e të korrësh rezultate pozitive për të sunduar sa më gjatë! Sot të jesh anëtar i një partie, që të bësh karrierë duhet të mbrosh e të thuash në publik edhe ato që nuk i beson vetë!
A nuk janë të gënjeshtërta diplomat e blera në shumicën e universiteteve private?
A nuk është fals ushqimi që hamë bashkë me sondazhet që “provojnë” sikur ne jemi populli më i lumtur dhe se vendi ynë ka rritjen ekonomike më të lartë në botë?
Gënjen INSTAT-i, gënjen qeveria, gënjehet opinioni publik bashkë me atë ndërkombëtar, gënjejnë zëdhënësit, gënjejnë të përmbyturit “e lumtur” të Shkodrës, por ama organizmat ndërkombëtare e kanë shumë të vështirtë të besojnë që të gjithë këto institucione e zëra individësh “të lirë”, në korr dhe në sinkron, mund të gënjejnë njëkohësisht edhe për statistikat zyrtare!
Sigurisht që profilaksia për pandeminë e kulturës së gënjeshtrës vështirë të kryhet. Ne po i largohemi për ditë e më tepër atij që e kemi pas quajtur me krenari “institucion i Besës”. Jo se po bëhemi më të pabesë nga ç’kemi pas qenë, jo se tani nuk funksionon mercenarizmi, si dikur, porse tani, në këtë tranzicion të pakufi e të pakuptimtë, ne jemi të detyruar të kemi gjithnjë e më pak besim te Besa e dhënë, ngaqë nuk jemi e nuk mund të quhemi më një para-shoqëri primitive...Sot kufijtë e tokave e sinoret e pronave nuk mbrohen dot as me Besën e dhënë midis njëri-tjetrit, të fqinjit me fqinjin e aq më pak me ndihmën e Ligjit e të institucioneve të shtetit. Policia, gjykatat, përmbarimi, ALUIZNI, bashkitë etj, janë të prirura t’i nënshtrohen kulturës së gënjeshtrës që kultivohet e drejtohet nga politika e ditës. Kush i beson Fjalës së dhënë e humbet edhe pronën, edhe nderin. Kush e kërkon zgjidhjen e hallit nëpër zyra, me ndihmën e Ligjit, humbet jo vetëm kohën, po edhe shpresën. Sot ai që vuan, që mbetet pa punë dhe quhet pa vlerë morale, është ai qytetar që respekton “vijat e bardha”, normat e moralit, zyrat, administratën, ai që e mban fjalën, që respekton ligjet, që beson te Drejtësia.

Arsyet e kësaj rropame morale janë të shumta. Sa ekonomike, të mbijetesës, aq edhe të traditës. Po mbi të gjitha ato burojnë nga shembulli që jep paria, drejtuesit e lartë të shoqërisë, zyrtarët, administrata publike militante, qeveritarët, gjykatësit, kryetarllëku partiak. Mosbesimi te njëri-tjetri e më pas te institucionet e shtetit në këto vite të gjasme-demokracisë, në vend që të fshihej e të shuhej, u shtua edhe më tepër. Sot nuk ka hall më të madh se të kesh nevojë të trokasësh në një zyrë, në një administratë publike. Sot shembullin më të përkeqtë lidhur me këtë zezonë na e japin përditë krerët, sidomos ata partiakë; pas tyre, vijnë të fortit e lagjeve, të partive, të qyteteve si dhe pasunarët që u bënë të tillë nëpërmjet allishverishit me “Besën” dhe me Ligjin.
Fatkeqësisht marrëdhëniet e reja të vendosura pas përmbysjes së diktaturës që në krye të herës shkatërruan në themel jo vetëm “institucionin” e Besës, po edhe besimin te Ligji e te demokracia, gjë që po e bën shoqërinë gjithnjë e më të shfytyruar e të pasigurt.
Këto hamendësime ndjellakeqe më përforcohen kur shoh e dëgjoj “live” deputetët që ngrihen në këmbë si nxënës shkolle e kryejnë, si një detyrim kushtetues, betimin e deputetit para kryetares Jozefinë. Edhe pse thonë në mikrofon “betohem”, besoj se shumëkush ndër ne, shikuesit e pafajshëm, është i bindur që për shumicën syresh betimi ceremonial është një akt më se formal që mjafton sa për t’i ligjëruar si deputetë dhe vetëm kaq! Ata asesi nuk do të vareshin nga shenjtëria e formulës së betimit e as nga respektimi “deri në vdekje” i Kushtetutës, por nga “besa” që ata paraprakisht i kanë dhënë kryetarit përkatës të partisë. Kjo do të thotë se “kushtetuta” e vetme e politikanëve të tillë, (më shumë të emëruar se të zgjedhur), është urdhri dhe nënshtrimi pa kushte ndaj kryeministrit, ndaj kryetarit të partisë, “filozofi” kjo e bërë tashmë zyrtare në të gjitha nivelet: të tjera bëj e të tjera thuaj! Ose: mos bëj si bëj unë, po bëj si them unë!

Për këtë arsye shohim e dëgjojmë aq rëndom deputetë që dalin nëpër kamera e në mënyrë të paturpshme sulmojnë madje edhe Gjykatën Kushtetuese, kur kjo ka marrë vendime që nuk i kanë pëlqyer kryetarit. Kjo sepse shumica e deputetëve të sotëm janë në borxh ndaj kryetarit, pasi me ndryshimet e Kodit Zgjedhor është kryetari ai që i ka zgjedhur një për një dhe jo votuesi; është ai pra që i ka futur fillimisht në sitë e mëpastaj në listë; është ai që i ka marrë nga thesi i anonimatit dhe i ka bërë “baballarë të kombit”; kështu që ata e dinë fort mirë se nuk janë të detyruar të mbajnë Fjalën e dhënë para Kushtetutës, para Ligjit, para institucioneve të shtetit e as para votuesit. Ndaj ata do t’i binden si ushtarë kazerme urdhrit të partisë, d.m.th, urdhrit të kryetarit, edhe kur “porositë” e këtij të fundit dalin ashiqare në kundërshti me Kushtetutën, me nderin, me dinjitetin, me reputacionin vetjak, me Ligjin, me interesat e popullit e të votuesit.

Ja pra përse kultura e gënjeshtrës, kjo sëmundje e administratës sonë publike, është e vështirë të çrrënjoset me metoda “demokratike”!

Kico Blushi, G. Shqiptare

No comments: