Tuesday, March 16, 2010

Ç'ti mësoj nesër fëmijës tim...?!

Prindërit më edukuan të jem i urtë dhe i sjellshëm. Ky edukim ndoshta ka kërkuar edhe disa dacka të mira, për të frenuar çapkënien fëminore ndaj një bote të paeksploruar.

Madje kujtoj që edhe kur shkëmbenim vizita, isha i detyruar të luaja pjesën "Ngriva", të lojës "Ngriva-shkriva", në një cep të divanit të komshiut.
U edukova të respektoj të madhin, më të vjetrin. Kam patur përherë më të drejtë se im vëlla, pikërisht sepse kisha parë diellin pak vite më parë.
Më kujtohet një plak në shtëpinë tonë, që më pyeste rreth shëndetit, të babait, të mamasë, motrës apo vëllait, të cilët sapo i kishte pyetur personalisht pak më parë dhe unë që e kisha mësuar përmendësh ritualin, përgjigjesha vetëm duke thënë "Mirë, mirë". Pastaj më tërhoqi vëmendjen një pyetje e tij e përsëritur - "Miri", të cilës i kthehesha "Mirë". Ai - Miri?, unë - mirë. Ai - Miri?, unë - mirë. Më kishte pyetur për emrin...

Kyr hymë në klasë të parë, çuditërisht të gjithë e njihnim mrekullisht të ashtëquajturin shkrimpule, por pas disa fletëve të grisura të fletores së bukurshkrimit, të cilat të merrnin ditë të tëra për ti mbushur, duart filluan të miqësohen me stilolapsin.
Dhe kështu duke dalë tek këndi i nxënësve të dalluar, ndjeheshe i suksesshëm.

Edhe kur rriheshim, kishim apo jo faj, godisnim apo na godisnim, përherë dënoheshim nga prindërit, mësuesit, të cilët respektin ndaj të tjerëve, e konvertonin në dënime ndaj nesh.
Na mësuan të flasim më pak dhe të dëgjojmë më tepër. Na edukuan të tolerojmë, të durojmë. I duruari i fituari thuhej...
E ndërkohë fëmijët e paedukuar, të paduruar, rrjedhimisht duhej të ishin të humburit.

E sot bëj një retrospektivë duke kujtuar e peshuar.
Luani, la 8-vjeçaren në mes, e ndërpreu investimin e tij për të ardhmen... Sot jeton në Romë, është i martuar me një italiane dhe ka një vajzë të mrekullueshme me emrin Sara. Edi, kishte mbetur 2-vjet në 8-vjeçare dhe kurrë nuk mësoi të lexojë. Sot jeton në Gjermani dhe merret me shitje makinash. Gimi, me zor përfundoi 8-vjeçaren. Sot jeton në Athinë. Drejton biznesin e tij, një piceri të madhe dhe është shumë i suksesshëm. E kështu vazhdon kjo listë e gjatë emrash të njohurish, të cilëve u uroj me gjithë shpirt mirësi, dashuri dhe sukses në jetën e tyre.

Problemi qëndron diku tjetër. E gjithë kultura që morëm dhe e besuam, duket vërtetë si për një botë ideale. Në realitetin e sotëm shohim sesi shumë nga ato virtyte e vlera me të cilat u rritëm, po na kthehen kundra, në armë kundra vetes. Na bëjnë të ndjehemi inferiorë, të humbasim shance, të hedhim hapa të vegjël.

-Tolerojmë të tjerët duke u lënë të kuptojnë se po gabojnë. Dhe një njeri i mirëedukuar, duhet ta kuptojë dhe ta vlerësojë tolerancën, jo të përfitojë prej saj duke rritur dozën e të sjellurit gabim. Përkundrazi, ndaj personit që nuk toleron, shfaqet respekt dhe akoma më pak doza abuzimi.

-Njerëzit e edukuar, që kanë sedër dhe moral, kurrë nuk do tentonin të punësoheshin në një pozicion pune, ndaj së cilit nuk do kishin pregatitjen e duhur për ta ushtruar. E kundërta ndodh me njerëzit e quajtur "të paedukuar". Ata nuk ngurojnë. Tentojnë përherë dhe po aq herë dalin të fituar.

-Njerëzit e edukuar e përshëndesin policin kur ai bën kontrrollin rutinë të dokumentave. Këtu polici, roja, nënpunësi, drejtori, menaxheri a kushdoqoftë në cilëndo rrethanë, gjëja e parë që nuhasin, është fakti që kanë të bëjnë me një njeri të dobët, që nuk flet rëndë, që nuk shan, nuk ulëret, që nuk kërcënon, që nuk merr njerëz "të fortë" në telefon dhe mjafton kjo etikë, që polici, roja, nënpunësi, drejtori apo menaxheri të ofrojnë pikërisht sjelljen e atij të vrenjturit që flet rëndë, që shan e kërcënon.

E të tilla krahasime mund të bëjmë pa fund duke parë sesi njeriu i edukuar, në rrethana të ndryshme më tepër humbet sesa fiton...

A është ky realiteti, a është kjo normale për natyrën njerëzore ?

A është e drejtë që kultura qytetare të përkthehet publikisht, si dobësi ?

Nëse natyra njerëzore është e tillë, që e mira abuzohet dhe e keqja respektohet, atëherë me çfarë logjike prindërit duhet të edukojnë fëmijët e tyre ? Për ti kthyer në viktima të njerëzve të paedukuar?

Të dashur miq më ndihmoni. Si ta edukoj nesër fëmijën tim, të bëhet një dështak i kulturuar apo një rrugaç i sukseshëm ?


Shkroi dhe përgatiti: Stop Injorancës
http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: