Raporti më i fundit për dhunën në familje, dhe kryesisht për dhunën ndaj grave, tregon qartazi se dhuna është prezente në forma nga më të ndryshmet në familjet shqiptare. Sipas këtij raporti, një në katër gra në Shqipëri dhunohen.
Kryetarja e shoqatës "Në dobi të gruas shqiptare", Sevim Arbana, në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" ka treguar histori rrëqethëse të vajzave dhe grave të cilat dhunohen dhe janë ende të detyruara të jetojnë me burrat e tyre për shkak të mungesës eko-nomike, mungesës së një shtëpie apo pune. Por, ajo tregon se dhuna nuk është në nivelet e para 10 viteve, kjo pasi edhe shteti nuk është aq pasiv sa më parë. "Duke iu referuar raporteve ndërkombëtare për vendin tonë, 1 në 4 gra në Shqipëri dhunohen, raporti i 2005-2007. Por, dhuna nuk është në nivelet e para 10 viteve, pasi dhe shteti nuk është më aq pasiv", - ka deklaruar Arbana. Ajo ngulmon se shteti duhet të marrë më tepër masa që të rrisë shërbimet sociale që ofrohen falas për gratë e kësaj kategorie. Rastet e dhunës në vendin tonë janë të shumta, dhe këtë gjë e dëshmon më së miri edhe numri i lartë i telefonatave që vijnë në 'Telefonin Grua: 2247502' pranë kësaj shoqate, ku çdo ditë telefonojnë më shumë se 5 apo 6 gra të dhunuara.
Zonja Arbana, duke u bazuar në rastet e denoncuar në shoqatën tuaj, ku mendoni se e ka zanafillën dhuna në familje?
Dhuna është një trashëgimi në mentalitetin shqiptar, duke qenë shoqëri patriarkale që dalëngadalë u zhvillua. Në kohën e diktaturës u ndryshuar me forcë mentaliteti, bëri disa ligje që e propagandoi gruan shumë të barabartë, ndërkohë që nuk ishte fare e barabartë, por dhuna deri diku u zhduk se ishte një sistem diktatorial. Por, në vitin 1990 me lirinë e mendimit, me lirinë e veprimit, me anarshinë e çdo gjëje që shoqëroi zhvillimin shqiptar, duke pasur një të kaluar shumë primitive dhe patriarkale, u duk haptazi që dhuna ishte prezente në shoqërinë shqiptare. Dhuna ndodh në ato familje ku gratë kanë minuse në edukim, kanë minuse në avantazhet e tjera, si të dalin nga shtëpia. Një grua që është e punësuar, e cila ka një ekonomi të sajën, është shumë më pak e mundshme ta dhunosh. Nuk themi që është e pamundur se ka dhe raste të tilla, por përqindja është shumë e pakët. Nëse ne do të arsimojmë gratë, do t'i nxjerrim nga dyert e shtëpive dhe të punojnë, atëherë ato kanë shumë më pak mundësi të jenë të dhunuara. Por, dhe të jetuarit në familje shumë të mëdha, ikja e burrave në emigracion, kthimi i tyre 1 herë në vit, xhelozitë, i shtojnë rastet e dhunës. Ka raste dhune ndaj grave që janë për t'u bërë filma dhe një histori e tillë është rasti i gruas në një fshat të Elbasanit që e vret bashkëshorti, pasi ai ishte kthyer për Vitin e Ri. E shoqja kishte parë filma porno, dhe bën seks në një formë tjetër, ai i thotë ku i ke mësuar këto dhe e vret. Megjithatë, duke e krahasuar me fillimet e shoqatës tonë, ne na u deshën 10 vjet të bënin gratë që të mos heshtnin kur dhunoheshin, dhe ato filluan të flasin. Denoncimi i dhunës është një akt pozitiv.
Sa raste ka përditë që femrat denoncojnë dhunën që ushtrohet ndaj tyre?
Në telefonin tonë ka përditë 5-6 raste, denoncojnë dhunën dhe kanë probleme të ndryshme. Çdo ditë psikologia jonë asiston psikologjikisht dy gra. Duke iu referuar raporteve ndërkombëtare për vendin tonë, 1 në 4 gra në Shqipëri dhunohen, raporti i 2005-2007. Dhuna ekziston, është shumë e egër, ka të bëjë me mentalitetin, por fakti që janë bërë ligje, kjo është pozitive. E rëndësishme tani është që këto ligje të zbatohen dhe të mos mbesin vetëm në letër. Siç thashë në rastin e strehëzave më sipër, përse asnjë dhunues nuk kapet dhe të largohet nga shtëpia? Duhet të punojnë të gjitha institucionet; shoqata ime është një levë e parëndësishme ndërkohë që levat e tjera nuk punojnë.
Po probleme të tilla, që gruaja ka denoncuar dhunën dhe e ka kërcënuar i shoqi?
Po ka plot raste të tilla, vijnë, ndjekim seancat dhe tërhiqen, pasi kanë disa rrethana që dhe ato tremben dhe nuk kanë faj, se bashkëshorti i kërcënon se do t'i marrë fëmijën apo kërcënime për pjesëtarët e tjerë të familjes së saj. Por, një problem tjetër është se nëse vjen një grua që kërkon asistencë juridike, kërkon të divorcohet, ne japim vetëm asistencë psikologjike dhe sociale dhe i dërgojnë në një shoqatë tjetër, "Qendra Avokatore e Grave", për të marrë asistencën juridike. Ajo shoqatë i bën falas të gjitha. Këtë e bëjmë në Tiranë, por në zonat e tjera nuk kemi mundësi, prandaj institucionet duhet të kenë shërbime falas për këto target-grupe, sepse nuk kanë mundësi të paguajnë. Një divorc shkon deri në 500 mijë lekë të vjetra, ku do t'i gjejë kjo grua këto para?
Gratë që dhunohen, divorcohen në shumicën e rasteve?
Jo, në përgjithësi jo, rikthehen prapë tek burrat. Por, ka dhe raste që divorcohen. Që ato të divorcohen duhet të kenë përkrahje të familjes, të ambientit ku jetojnë, të kenë një ekonomi. Çështja ekonomike është dhe kryesorja, se nuk e mbështet ekonomikisht as familja e saj. Shteti duhet të jetë më prezent për të drejtën e grave në pronë, në shëndetin e saj. Duhet nisur që në bankat e shkollës, ku të mësohet se femrat dhe meshkujt janë të barabartë dhe kanë të njëjtat të drejta. Pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare jeton në fshat, rreth 60 për qind është shoqëri fshatare, edhe pse ato kanë lëvizur në qytete, komportohen me mentalitet rural, mentalitet i cili mund të ndryshojë me ligje, me edukim dhe punësim.
"Edhe pse shumë hapa janë ndërmarrë me qëllim mbrojtjen e të drejtave të grave, ende mbetet shumë për të bërë nga të gjithë aktorët shoqërorë, politikëbërës e vendimmarrës e nga vetë komuniteti i gjerë, të ndjeshëm ndaj çështjes së grave".
Ermelinda Hoxhaj, G. Shqiptare
Eshtë e vërtetë që gratë në Shqipëri e meritojnë një ditë feste, kur partnerët e tyre të rikujtohen për kontributin e tyre të pamohueshëm në familjen, në bërthamën e shoqërisë, por statistikat e këtij raporti janë të tmerrshme, 1/4 gra dhunohen dhe kjo është kafshërore për një shoqëri europiane të mijëvjeçarit të III-të. Pikërisht kjo është arsyeja pse gratë e Shqipërisë duhet të protestojnë edhe për ato gra të mjera që dhunohen çdo ditë dhe ndaj këtyre dhunuesve nuk merret asnjë masë.
Familja është bërthama e shoqërisë dhe një familje ku ushtrohet dhunë, kurrsesi nuk mund të premtojë një shoqëri të nesërme të begatë. Ndal Paditurisë
No comments:
Post a Comment