Një skandal me fondet e buxhetit të shtetit, këtë herë në fushën e librit. Kështu ka rezultuar nisma e qeverisë për pasurimin e bibliotekave të shkollave të mesme e 9-vjeçare në të gjithë Shqipërinë. Një fond që arrin shifrën e afro 1 .5 milionë euro ka përfunduar në xhepat e një grupi botuesish fare pranë qeverisë.
Botues të prekur nga ky skandal pohojnë se procesin e tenderimit e kanë zotëruar parregullsitë, manipulimet dhe klientelizmi. Investigimi i ‘Gazetës Shqiptare’ nxjerr në dritë shumë prej këtyre shkeljeve.
Botues të prekur nga ky skandal pohojnë se procesin e tenderimit e kanë zotëruar parregullsitë, manipulimet dhe klientelizmi. Investigimi i ‘Gazetës Shqiptare’ nxjerr në dritë shumë prej këtyre shkeljeve.
Bibliotekat
Që në gusht të 2008, kryeministri Berisha e shpalli prioritet ngritjen e rrjetit të bibliotekave dhe pasurimin e tyre në çdo shkollë të vendit, duke ju drejtuar ministrit të Arsimit që të bashkëpunonte me Bibliotekën Kombëtare, duke u konsultuar dhe me grupet e interesit, shkrimtarët, botuesit, që të hartohej një platformë me të cilët qeveria të shënojë një kthesë rrënjësore të qëndrimit indiferent zyrtar ndaj librit.
Pas kësaj thirrjeje, vetëm 6 muaj më vonë, në janar të vitit të kaluar, kryeministri Berisha iu rikthye sërish kësaj teme.
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të 14 janarit 2009, Berisha deklaroi se, “në dy vitet e kaluara, Ministria e Arsimit ka pasur një fond për blerjen e librave. Por, ne do të shtojmë fondet për librin dhe do të ngremë biblioteka moderne në çdo shkollë”. Sipas tij, duhej bërë një përzgjedhje e titujve më të mirë të letërsisë shqipe dhe asaj botërore.
“Një çështje e rëndësishme, - tha Berisha, - është edhe përzgjedhja e fondit të librave, pasi ato blihen me paratë e taksapaguesve. Natyrisht, është e domosdoshme që librat më të vlerësuar, librat më të shitur të letërsisë shqipe dhe asaj botërore të gjenden në bibliotekat e shkollave.
Por, a u ndoq më pas kjo praktikë mjaft e vlefshme, e këshilluar nga kryeministri?
Deri në këtë moment gjithçka dukej se po shkonte si s’ka më mirë. Në Ministrinë e Arsimit u ngritën borde për të hartuar listat me titujt më të vlefshëm që do u propozoheshin drejtorive arsimore. E, në bazë të këtyre listave, këto drejtori duhet të bënin përzgjedhjen e titujve. Publikimi i këtyre listave ngjalli mjaft optimizëm. Njohësit më të mirë të fushave të historisë, filozofisë, letërsisë, etj, kishin propozuar botimet më të mira që janë në treg. Deri në fund të verës së 2009-ës, askush nuk e dinte se në xhepat e kujt do të përfundonte ky fond, më i madhi i akorduar ndonjëherë për pasurimin e bibliotekave të shkollave.
Reagimet e para
Në muajt shtator–tetor të 2009 u shënua pjesa më e madhe e tenderave të mbajtur për blerjen e librave artistikë. Në sitin zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve Publike, gjatë këtyre dy muajve, bien në sy shumë njoftime tenderash për blerje të botimeve nga Drejtoritë Arsimore të të gjitha qarqeve të vendit. Një pjesë e njoftimeve lajmërojnë edhe fituesit e tenderave së bashku me shumën e akorduar për blerjen e titujve të librave, të cilat shkojnë deri në 2.5 milionë lekë të reja si në rastin e Shkodrës, dhe kjo vetëm arsimin 9-vjeçar, pasi për arsimin e mesëm për Shkodrën janë lëvruar edhe 999.250 lekë të reja. Menjëherë pas kësaj, drejtoritë arsimore kanë nisur furnizimin me libra të këtyre bibliotekave, si për shkollat e mesme edhe ato 9-vjeçare. Dhe bashkë me nisjen e këtij aksioni, mbërritën dhe reagimet e para. Sipas hulumtimeve të korrespodentëve të ‘GSH’-së në të gjitha rrethet e vendit, bie në sy se blerjet janë bërë vetëm në titujt e një rrethi të ngushtë botuesish, si “Uegen”, “55”, “Plejad”, “CDE”, “EDU Alba”, “EDFA” etj.
Këtij hulumtimi i bashkëngjitet edhe reagimi i një varg botuesish të rëndësishëm në vend, titujt e të cilëve, ose janë përfshirë dy apo tre, ose mungojnë tërësisht. Sipas tyre, në këtë rast janë favorizuar botues të cilët kanë interesa të caktuara ose njihen si mbështetës të qeverisë, si në rastin e botuesit të “55”, Fahri Balliu, “Uegen”, Xhevahir Lleshi, “Plejad”, Ndriçim Kulla, apo botuesi i “CDE” dhe “EDU Alba”, Bardhyl Musai, i cili është edhe këshilltar për arsimin i kryeministrit Berisha.
Admirina Peçi, Fatmira Nikolli G. Shqiptare
No comments:
Post a Comment