Banorët e lagjes “Bylis” kërkojnë investime dhe transparencë për përdorimin e parave publike.
Pamje nga fushata elekorale - Ballsh
Banorët e lagjes “Bylis”, një nga lagjet e vjetra të qytetit të Ballshit, janë ngritur paraditen e së shtunës në protestë. Shkak i protestës së banorëve ka qenë mungesa e investimeve në zonën ku ata jetojnë. Rreth orës 10.30 të paradites së djeshme, dhjetëra banorë të kësaj lagjeje, që nga vendasit njihet si Ballshi Fshat, janë mbledhur në qendër të qytetit dhe kanë marshuar me pankarta në duar drejt bashkisë së qytetit.
Në lagjen “Bylis” jetojnë më tepër se 400 familje. Një përfaqësi e tyre, burra, gra, fëmijë dhe të moshuar, pjesëmarrës në protestë, ankohen se kanë mbi 15 vjet që ndihen të braktisur. Më emergjente për ta duket se është infrastruktura. Protestuesit tregojnë se në rrugët e lagjes nuk është ndërhyrë prej vitesh. Lagjja nuk e ka sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha. Gjithashtu, edhe dy rrugët kryesore që lidhin lagjen në fjalë me qendrën e Ballshit janë totalisht të amortizuara.
Nga banorët mësohet se kërkesën për investime ata e kanë përsëritur me dhjetëra herë. Ajo është bërë edhe te bashkia, që ka ndërruar disa kryetarë në këto vite, edhe te deputetët, që në kohë fushate kanë premtuar ndërhyrje. “Në shumë legjislatura deputetët që kanë kandiduar dhe kanë fituar, premtimin e parë e kanë bërë për përmirësimin e situatës. Por premtimet e tyre kanë qenë vetëm elektorale”, tha një nga organizatorët e protestës së djeshme. Si pasojë e kushteve të krijuara, ku askush nuk po interesohet për ta dhe kur Bashkia e Ballshit asnjëherë më parë, por edhe për vitin 2010 nuk ka asnjë projekt për lagjen në fjalë, banorët kanë gjetur si zgjidhje rrugën e protestës.
Një grup prej afro 200 vetash kanë marrë pjesë në protestën e së shtunës.
Gjatë përshkimit të rrugës kryesore të qytetit, protestuesit bënë thirrje që me ta të bashkohet i gjithë komuniteti i Ballshit, pasi të gjithë ndihen të braktisur nga investimet. Në duart e protestuesve, parullat që janë mbajtur kishin tekst të tillë “Stop ndotjes”, “Stop keqmenaxhimit të taksave tona”, “Stop persekutimit të ‘Bylis’” etj.
Në krye të rreshtit të parë të protestës mes pankartave ka qenë edhe flamuri kombëtar. Protesta është shoqëruar nga uniformat blu të Ballshit, pasi organizatorët kishin marrë edhe lejen e policisë lokale. Albert Aliaj, organizator i protestës, tha se “sot kemi dalë në protestë jo politikisht. Nuk përfaqësojmë asnjë forcë politike, por kushtet e këqija të jetesës për mungesën e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha. Kemi dalë në protestë për rrugën tërë gropa që nuk duket më si e tillë”. Protestuesit kanë kërcënuar me përshkallëzim të reagimit të tyre. Ata thonë se do të shkojnë deri në bllokimin e rrugës nacionale Ballsh-Tepelenë, si dhe në grevë urie. Festim Selimaj, një nga protestuesit, tha për gazetën se “ka tre vjet që jepen fonde dhe nuk dihet se ku shkojnë ato. Ne duhet të dimë se ku shkojnë paratë e taksave tona. Para fushatave se ku i gjejnë ca lopata bitum që i hedhin, por më tej nuk bëjnë asgjë”.
Pas afro dy orësh protestë, banorët e lagjes “Bylis” janë shpërndarë duke e mbyllur protestën e tyre pa asnjë incident. Ata kërcënuan se javën e ardhshme do të dalin sërish në protestë. Nga ana tjetër, drejtues të Bashkisë së Ballshit pohojnë për gazetën se investimet për këtë lagje mungojnë. Po ashtu, Bashkia e Ballshit ka dalë me një deklaratë për shtyp, ku është shprehur se është parashikuar që për vitin 2010 të ndërhyhet në këtë lagje. “Për shkak të fondeve të mëdha që duhen për ndërhyrje, investimi kërkon mbështetjen e qeverisë.
Kjo e fundit duhet të kthejë sytë nga Ballshi”, thuhet në deklaratën e bashkisë.
Matilda Troka, Shqip
1 comment:
Ju lumtë ballshiotë!
Post a Comment