Sunday, March 21, 2010

Alergjia nga lulet, si të mbrohesh në pranverë

Ardhja e pranverës paralajmëron rishfaqjen e alergjive të shkaktuara nga polenet e luleve, pacientët ankohen për teshtima të shpeshta, të herëpashershme, rrjedhje të ujshme të shumta, kruajtje dhe skuqje të hundës, bllokim të tyre që kalon nga njëra anë në tjetrën.

Ndonëse për mjekët ende nuk flitet për një “bum” rastesh, klima e ngrohtë favorizon shfaqjen e simptomave më shpejt se vitet e tjera. Me ardhjen e pranverës, që përkon me atë të lulëzimit të luleve, kemi shtim të rasteve të alergjive që shkaktohen nga polenet. Gjithsesi ende nuk është arritur “piku”, që është disa javë më vonë, klima e ngrohtë, temperaturat e larta të këtyre ditëve, favorizon shfaqjen më shpejt të simptomave. Veçse ende nuk mund të parashikohet se sa do zgjasë, apo sa problematike do jetë, pasi kjo do të varet nga kushtet klimaterike të mëvonshme.

Ka faktorë që favorizojnë shfaqjen e këtyre formave alergjike?

Po. Ka disa faktorë që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes. Ndër faktorët më kryesorë janë ekspozimi ndaj polenit, vetia alergjizuese e tij, përqendrimi i tij në ajër dhe madhësia e grimcës së polenit. Po ashtu ndikojnë dhe faktorët klimaterike: ndryshimi i temperaturave të ajrit, lagështia dhe shirat.

Si shfaqet kjo alergji?

Pacienti ankon për teshtima të shpeshta, të herëpashershme, rrjedhje të ujshme të shumta, kruajtje dhe skuqje të hundës, bllokim të tyre që kalon nga njëra anë në tjetrën. Por dhe skuqje, kruajtje, lotim sysh dhe mosdurim drite (fotofobi). Po ashtu mund të ketë kollë, gërhitje në gjoks, marrje fryme, sekrecione të pastra dhe që mezi nxirren, gjë që tregon se në sëmundje kompromentohen dhe mushkëritë. Po ashtu shenjat e mësipërme mund të shoqërohen me: dobësi trupore, dhimbje koke, ankth etj.

Si mund të parandalohet acarimi i gjendjes te pacientët, që janë alergjikë nga polenet?

Mënyra më e mirë për të shmangur acarimin e gjendjes së pacientëve është shmangia në maksimum e kontaktit me shkaktarin shpërthyes: polenet e luleve. Duke qenë se një gjë e tillë nuk është e mundur plotësisht, atëherë rekomandohet shmangia në maksimum e ekspozimit ndaj tyre, sidomos në orët e pikut: mëngjes deri në drekë, dhe ditët me erë, kur prania e poleneve në ajër është më e lartë. Rekomandohet që këta persona të lajnë shpesh: duart, fytyrën dhe sidomos flokët, për të larguar polenet që mbeten në trup. Duhet të shmangen shëtitjet dhe qëndrimet në mjedise me lule, bar dhe pemë.

Një kujdes i veçantë duhet treguar dhe ndaj ushqimeve që japin alergji të kryqëzuar me polenet që janë alergjike. Po ashtu duhen shmangur aktivitete fizike: vrapimet, shëtitjet me biçikletë ose çdo lloj aktiviteti tjetër sportiv në mjedise të hapura dhe me gjelbërim.

Publiku.com

No comments: