Wednesday, March 24, 2010

Shkollat më të ndotura në Europë, efekte negative në shëndet

Sipas monitorimit të 10 shkollave 9-vjeçare nga projekti SEARCH, financuar nga REC, nxënësit kanë hapësirën më të vogël për m2 dhe mjedisin më të ndotur.

Alarmi


Alergji, kollë ditën dhe natën, fishkëllima në kraharor dhe bronke. Këto janë disa nga pasojat që vuajnë fëmijët e shkollave 9-vjeçare për shkak të ajrit të ndotur brenda në ambientet e shkollave.

Monitorimi i 10 shkollave 9-të vjeçare, ku u përfshinë 1023 nxënës nga projekti SEARCH, financuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), tregon shifra alarmante sa i takon ndotjes në ambientet e brendshme të shkollave, ndotës këto duke filluar që nga pluhurat deri tek gazrat e rëndë.

Ekspertja pranë REC në Shqipëri, Rahmije Mehmeti, theksoi se rezultatet e monitorimit tregojnë se duhen marrë masa për minimizimin e ndotjes. Ndërsa specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Elida Mata, theksoi se ndotja në mjediset e brendshme të shkollave sjell disa pasoja mbi shëndetin.

Monitorimi

Nxënësit në vendin tonë kanë hapësirën më të kufizuar ndër vendet e Europës në shkollë. Kështu, specialistja e REC, Rahmije Mehmeti, shpjegoi se nëse një fëmijë në vendin tonë ka hapësirë 1.26 m2, në Serbi kjo hapësirë është 2.5 m2 për fëmijë, në Itali është 2.08 m2 për fëmijë, në Hungari është 2.06 dhe akoma më e madhe në vende të tjera. Por, si të mos mjaftonte hapësira e pamjaftueshme për fëmijët, ambientet e brendshme janë shumë të ndotura.

"Zakonisht përmbajtja e lartë e CO2 bëhet shkak i anoksemisë (pakësimi i oksigjenit në gjak, d.m.th., nën nivelin fiziologjik) dhe paralizon frymëmarrjen, sistemin muskulor dhe ndryshon ekuilibrin acido-bazik (acidoza).

Ajri i kufizuar i klasave të mbyllura është i dëmshëm kur përqendrimi arrin 3000-5000 ppm", shpjegon specialistja, duke shtuar se NO2 (Dioksidi i Azotit) është problematik për ambientet e brendshme, pasi është element toksik që merret nga frymëmarrja. "Ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj NO2 në përqendrimet mbi 40-100 µg/m³ shkakton sëmundje me efekte të pashërueshme.

NO2 formohet kryesisht nga proceset e djegies së brendshme, të cilat përdorin ajrin si oksidues. Këtu përmendim, mostrat me djegie të brendshme, stacionet me djegie termike", shpjegon specialistja Mehmeti, duke shtuar se në klasa ka edhe ndotës të tjerë të ambientit që janë shumë të rrezikshëm për shëndetin.

Ndotësit

Nga pluhurat deri tek ajri i frymëmarrjes, të gjitha këto mundojnë fëmijët e shkollave 9-vjeçare. Sipas specialistes, Rahmije Mehmeti, vërehet që niveli i PM10 mbetet i lartë, pasi fëmijët lëvizin në ambientin e klasës, për nevoja personale, ndërrojnë librat, ngrihen në tabelë për të zgjidhur detyra klase, bile në kohë me shi, në mungesë të palestrës, bëjnë edhe mësim kulture fizikë në klase.

Në fund të orëve të mësimit, sipas specialistes, krijohet një re pluhuri që me ventilim natyral thyhet me vështirësi.

"Temperaturat gjatë kësaj periudhe janë luhatur nga 10-20°C, kështu që nuk është ndjerë shumë të ftohtit, por në disa klasa ku dritaret kishin ngecur të mbyllura (të prishura), ose hapjet ishin të llogaritura vetëm në ndarjet e sipërme, gjë që e vështirësonte manovrimin e tyre, niveli i CO2 ka kaluar 5000ppm, madje ka në disa raste edhe 7000 ppm", pohon specialistja Mehmeti, duke shtuar se gjendja e mikroklimës (temperaturë, lagështi relative, lëvizje e ajrit) luhatet në vlera jo të qëndrueshme. Kjo, sipas saj, për faktin se nuk ka sisteme ngrohje, ventilimi artificial, kondicionimi që vlerat e mikroklimës të jetë në nivele optimale.

Monitorimi i shkollave tregon se ngrohja bëhej me soba gazi, përveç ndotjes së ajrit bombolat përbënin një rrezik për shpërthim zjarri

Problem mbipopullimi i nxënësve, dritaret nuk funksionojnë.

Në të gjitha shkollat 9-vjeçare, ku u krye monitorim, orari i mësimeve ishte i ngjeshur në kuptimin që nxënësit gjithë kohën qëndronin në klasë. Por, si të mos mjaftonte kjo, vihet re se vlerat e temperaturave gjatë gjithë periudhës së monitorimit, janë 10-20 oc, kështu që kur vlerat e CO2 rriteshin ndjeshëm.

Kështu shprehet specialistja e REC, Rahmije Mehmeti, e cila thekson se disa mësues kanë shkruar në ditar se këtë e bëjnë për arsye të sigurimit të fëmijëve, disa për arsye të errësimit të shpejtë të ditës në sezonin e dimrit.

Sipas saj, në një pauzë prej 10 minutash, brenda në klasë fëmijët ushqeheshin, ndërronin librat, lëviznin në klasë, duke ngritur pluhur apo shkonin për të kryer nevoja personale duke rënduar ajrin. Specialistja thekson se një problem në të gjitha shkollat paraqet pastrimi i klasave.

"Meqenëse koha ndërmjet mbarimit të mësimit të klasave të mëngjesit dhe fillimit të mësimit në klasat e pasdites është 30-40 minuta, pastrimi i klasave shpesh bëhet nga nxënësit, dritaret pothuajse nuk hapen dhe për një farë kohe pluhuri qëndron pezull, punonjëset e pastrimit lajnë me detergjent në fund të ditës ose gjatë kohës që nxënësit janë në mësim, korridoret, shkallët etj.", shpjegon specialistja Hehmeti, duke shtuar se në të gjitha shkollat e Shkodrës dhe në një të Durrësit, ngrohja bëhej me soba gazi, përveç ndotjes së ajrit brenda, bombolat përbënin një rrezik për shpërthim zjarri në një rast banal të paparashikuar.

Gjithashtu, vihet re se në të gjitha shkollat punohet në tabela të zeza me shkumës dhe fshirja bëhet me sfungjer të thatë dhe jo me markera në tabela të bardha, çka sjell evitimin e pluhurit të shkumësit. E. Bardhi

MASAT

• Shkollat duhet të ndërtohen në vende ku të mos ketë trafik të rëndë, stabilimente që ndotin, afër.

• Numri i lartë i nxënësve në klasë duhet të zvogëlohet.

• Një regjim i përshtatshëm ventilimi natyral duhet rregullohet në klasë gjatë gjithë orëve të mësimit në shkollë.

• Mbulimi i dyshemesë së klasave duhet të jetë prej materiali të zgjedhur me kujdes, që të mos ndikojë në shëndetin e aparatit të frymëmarrjes së fëmijëve.

• Lyerja me boje zmalti e mureve, nuk duhet të bëhet për asnjë arsye.

• Në lidhje me pastrimin e klasave dhe ambienteve të brendshme të shkollës duhet të bëhet një instruktim mbi praktikat e pastrimit punonjësve që merren me këtë punë


Disa konsiderata mbi problematikën e vërejtur

1. Numri i madh i nxënësve për një klasë
2. Mësim me 2 turne (shfrytëzim i klasës 200%)
3. Mungon sistemi qendror i ngrohjes
4. Mungon sistemi i ventilimit
5. Shkolla me rikonstruksion jo të plotë
6. Oborret e shkollave të pashtruara
7. Mungesa e mjaftueshme e luleve

Eglantina Bardhi, Shekulli

No comments: