Wednesday, March 31, 2010

Bashkimi kombëtar na bën faktor stabiliteti rajonal

Shqiptarët kanë qenë gjithmonë faktor stabiliteti në Ballkan, por jo për arsyet që artikulon politika e Tiranës dhe e Prishtinës.

Roli stabilizues nuk ka qenë pasojë e një mentaliteti politik paqësor, por i rrethanave të caktuara historike, të cilat nuk u kanë mundësuar kurrë shqiptarëve të kenë aq fuqi sa që, nëse nuk e përdornin atë, do të kuptohej natyra paqësore e tyre, e nëse e përdornin, thjesht do të kishin bërë si gjithë fqinjët e tyre.

Gjatë luftërave ballkanike, shteti i saposhpallur shqiptar qëndroi asnjanës pse nuk kishte asnjë mundësi të përfshihej në luftë me njërën apo tjetrën palë. Palët ishin shtetet ballkanike së bashku dhe Perandoria Osmane. Pozicioni asnjanës i Shqipërisë ka vazhduar deri më sot në konfliktet rajonale, por, si gjithmonë, për shkak të pafuqisë së muskujve të saj politikë, diplomatikë apo ushtarakë e jo për shkak të ndonjë strategjie paqësore apo pse kështu e këshillon dokumenti i Konferencës së Ambasadorëve në Londër, 1913, e cila la jashtë shteti shqiptar gjysmën e trojeve shqiptare.
Madje, mund të thuhet pa frikë që s’ka qenë një asnjanësi dinjitoze, shumë herë ajo ka pasur natyrë inferioriteti.

Grekët dhe serbët kanë qenë shumë agresivë ndaj Shqipërisë, edhe kur e drejta ka qenë në anën e saj. Në vitin 1935, OKB dhe Gjykata e Hagës e dënoi botërisht politikën arsimore të Shqipërisë, të nxitur nga diplomacia greke në lidhje me minoritetin grek, ndërkohë që Greqia ka qenë dhe vazhdon të mbetet shteti më diskriminues në Evropë ndaj minoriteteve.
Në fillim të viteve njëzet, në Shqipëri kishte një peshkop serb, Viktori, por sa u mor vesh se Shqipëria mendonte ta largonte nga vendi peshkopin sllav, Beogradi kërcënoi se do të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me Tiranën. Zgjidhja “stabilizuese” e Tiranës ishte lejimi i peshkopit të qëndronte “si mik”. Duhet pranuar, Mbretëria ishte ende me një shtet në konsolidim e sipër dhe, krahasuar me ç’pasoi, diplomacia e saj ka qenë shumë dinjitoze.
Pas Luftës së Dytë Botërore, shteti shqiptar nuk ka pasur asnjëherë kurajë të punojë për ta ndëshkuar diplomatikisht ose ligjërisht (në Hagë) Greqinë për gjenocidin çam.
Ndërsa Greqia s’ka humbur asnjëherë rast të na imponohet, me ose pa drejtë, gjithmonë në shërbim të interesave të saj që shpesh kanë qenë edhe në kundërshtim me marrëveshje ndërkombëtare të firmosura nga të dy palët.
Kush i kujton me krenari qëndrimet sfiduese të regjimit komunist të Tiranës ndaj Beogradit, Moskës apo Pekinit, duhet të ketë parasysh që motivi ishte thjesht pushteti personal i klikës komuniste, ndërsa motivimi në publik për këto “beteja” ishte çështje ideologjike, “devijim nga rruga e marksizëm-leninizmit”. Ato ishin marrëdhënie – si të rregullta si të prishura – në dëm të Shqipërisë. Për të qenë faktor stabilizues në një rajon, dy palë duhet të bëjnë politikë lëshimesh të ndërsjella. Shqiptarët kanë qenë faktor stabilizues serioz vetëm atëherë kur s’kishin as shtet. Veprimtaria e Lidhjes së Prizrenit ka qenë me synime stabilizuese rajonale, qoftë kur merrej me diplomaci, qoftë kur futej në luftë. Qëndresa ushtarake e Lidhjes hodhi farën e lindjes së vetëdijes në kancelaritë evropiane për ekzistencën e shqiptarëve.
Sikur kufijtë shqiptarë të ishin vendosur sipas planeve të Lidhjes, në Ballkan do të kishte pasur më pak luftëra, me Serbinë shqiptarët nuk do të ishin të acaruar sa sot, Maqedonia nuk do të ishte një minë me sahat, e cila nuk shpërthen vetëm se shqiptarët e atyshëm dhe Republika Dykrerëshe (Tiranë-Prishtinë) të mos pranonte poshtërimin kaq shumë, Greqia nuk do të kishte kryer gjenocidin ndaj çamëve, rajoni nuk do të ishte ushqyer me kujtime që s’do ta lënë kurrë të qetë, pavarësisht buzëqeshjeve diplomatike para kamerave, e pavarësisht elitave politike kalimtare në pushtet.

Kujtesa e kombeve është diçka e përjetshme. Vizita e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në Beograd javën e shkuar u komentua shumë në mediat shqiptare, por unë do të veçoja mendimet e dy analistëve kosovarë. Nexhmedin Spahiu e shikon vizitën si “hap pozitiv të diplomacisë shqiptare”, sepse prej saj u la të kuptohet që “Shqipëria tashmë nuk diskuton me Beogradin për Kosovën. Tashmë diskuton për Luginën e Preshevës”. Kjo është e vërtetë, por Shqipëria nuk duhet të harrojë të flasë si anëtare e NATO-s në marrëdhënie me fqinjët e saj që nuk janë anëtare të Aleancës e ku nuk mund të anëtarësohen pa votën e saj, në rast se NATO nuk ndryshon procedurat e zgjerimit të vet. S’duhet të harrojmë se asnjë nga etnitë rrotull nesh nuk është diskriminuar pozitivisht në favor të minoriteteve sa janë diskriminuar shqiptarët, fillimisht në Shqipëri dhe vitet e fundit në Kosovë.

Analisti Milazim Krasniqi, i cili i kujton Tiranës të mos flasë më për Serbinë si shtet fqinj (sepse nuk ndajnë kufi mes tyre pa u bashkuar me Kosovën), lexon nuanca të tjera në vizitën e Metës në Serbi.
Sipas tij, përmirësimi i marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, pa e përmendur çështjen e Kosovës, e kthen Kosovën në një çështje të ngrirë, ashtu siç i intereson Serbisë.
Ai mund të ketë të drejtë që kjo vizitë mund të ketë qenë më e dobishme për Serbinë sesa për Shqipërinë, po të kemi parasysh edhe deklaratën e dy senatorëve amerikanë, Jeanne Shaheen, George Voinovich “se ëndrra për një Evropë të bashkuar nuk mund të arrihet pa një rol udhëheqës të Serbisë në rajon”, në gazetën “Wall Street Journal”, të martën.
Por pamja nuk është aq pesimiste sa e shikon zoti Krasniqi, nëse Prishtina dhe Tirana nuk flasin si dy qendra të veçanta për integrim të tyre në BE, por punojnë fillimisht për bashkimin kombëtar dhe kjo është ajo që duhet bërë.

Askush s’mund të na ndalojë të bashkohemi, edhe nëse Kosovës nuk i lejohet prej dokumentit të pavarësisë, s’duhet të harrojmë se edhe statusi i Shqipërisë ka devijuar nga “principatë e trashëgueshme, autonome dhe indipendente” në republikë e pavarur dhe Fuqitë e Mëdha s’janë dëgjuar, përderisa ky transformim nuk prekte palë të tjera veç Shqipërisë. Bashkimi, megjithatë, s’duhet bërë nisur nga motive romantike, por pragmatike.

Nëse shtete që nuk kanë asgjë të përbashkët me njëri-tjetrin po bashkohen për të formuar atë që quhet BE, përse të mos bashkohen Kosova e Shqipëria që i kanë lidhjet e përbashkëta qysh në zanafillë të njerëzimit në këtë rajon.

Një Shqipëri e bashkuar do të ketë treg më të gjerë, do të ketë kapacitete prodhuese më të shumta, do të ketë fuqi punëtore më të numërt, prodhim mendor më të bollshëm dhe shpirtërisht do të jetë më e plotësuar. Një krijesë e tillë do të jetë një faktor stabilizues real për rajonin.


Çelo Hoxha, Standart

No comments: