Monday, March 1, 2010

"Një copë rrugë me autobusin e unazës..."

Sot bëra një copë rrugë me autobusin e unazës së Tiranës. Ja panorama që pashë brenda pak metrave: Një njeri që vraponte me një qese në dorë, prej ku i ranë nga nxitimi, dy feta bukë. Një plakë e mbështjellë nga të ftohtët mbi një karton të shtrirë përpara gjunjëve që lypte.

Një grup fëmijësh në mes të rrugës që puthte makina plot pluhur në tentativë për të marrë ndonjë monedhë në shkëmbim. Të rinj me kufje në vesh që duket sikur kanë frikë ta shikojnë e dëgjojnë realitetin që i rrethon.

Një shitës që ngriti dhe uli qepenin me një nervozizëm të dukshëm. Një grua dhe një burrë të zhytur përgjysmë, duke rrëmihur në një kazan mbeturinash.
Secilën prej këtyre pamjeve po ta shihja larg e larg dhe në ditë të ndryshme, ndoshta nuk do më bënte kaq përshtypje.

Por, i pashë të gjithë njëri pas tjetrit në pak metra rrugë dhe në një ditë të vetme.

Mizerie me intensitet të lartë.Në autobus, ndërkohë njerëzit vijnë erë, ata shtyjnë e shajnë. Pse nuk lahen dhe pse janë të stresuar?

Sepse nuk kanë para të paguajnë fatura të kripura për dushe të përditshme. Dhe nuk kanë as dëshirë e as motiv të respektojnë njeri-tjetrin. Mjafton një vështrim në rrugë që të ndjehesh menjëherë keq. Ndaj shtyhemi dhe shahemi. Thika ka shkuar në palcë e dhimbja është e madhe.

Ky realitet veç të tjerash na përçan e na ndan, na varfëron jo vetëm ekonomikisht, por edhe shpirtërisht, e kështu secili ul kokën e shkon tutje. Nuk ka as dëshirën e as mundësinë të kërkojë të jetojë si njeri.

Atëherë?

Politikanët e këtij vendi janë larg "autobusit të unazës".

Ata nuk lenë seancë parlamentare pa shpalosur pafytyrësinë e tyre me shaka të tharta e idiote. Kjo tregon se ata janë të pandjeshëm ndaj asaj që po ndodh jashtë.

I drejtohem veçanërisht qeverisë dhe në mënyrë të posaçme kreut të saj. Zonja dhe zotërinj, shumë shpejt do t'ju vijë dita e gjykimit e do t'ju zërë mallkimi i këtij populli. Gëzojuni edhe ca kolltukut tuaj fundosës.


qylollari@yahoo.com, Shekulli

No comments: