Zhvillimi i vendit në këto 20 vite prodhoi shumë realitete të reja, me përjashtim të një fushe: për shkak të lugës së zgjatur të donatorëve, vendi nuk arriti dot asnjëherë të kishte një shoqëri civile të vërtetë.
Programet e veprimit importoheshin nga jashtë, nevojat e vendit retushoheshin sipas plan-veprimit të donatorëve, rezultatet falsifikoheshin...
Programet e veprimit importoheshin nga jashtë, nevojat e vendit retushoheshin sipas plan-veprimit të donatorëve, rezultatet falsifikoheshin...
Sa herë që shoqërisë civile shqiptare iu ofrua nga politika një lugë më e madhe se ajo e donatorëve të huaj, përfaqësuesit e saj braktisën pozitat e të paangazhuarit duke veshur ngjyrat e lugës së zgjatur. Për këtë arsye, në shumë rangje të larta politike sot kemi njerëz që origjinën e suksesit e kanë në lozhën e shoqërisë servile, të cilën tani as ndërkombëtarët nuk kanë më atë vullnet të parë për ta ushqyer e mbajtur në këmbë.
Ne kemi sot shoqata çadra (ombrellë - sipas përkthimit anglisht të fjalës nga letrat e donatorëve), kemi shoqata aktive dhe pasive, kemi nisma dhe lëvizje, por nuk kemi asnjë aksion civil. Nuk kemi shpirt, as mbështetje publike për nisma që burojnë nga interesa komunitare, sado të vogla qofshin këto grupe interesi.
Në një cikël veskeq, ky fenomen ka penguar rikrijimin e komuniteteve si grupe të interesit - të cilët të mund të ndërtonin një mënyrë shprehjeje të ndryshme jashtë presionit korruptiv. Ky presion korruptiv detyrimisht duhet të bjerë mbi politikën, e cila absorbon kostot, e përbalt sistemin në shkëmbim të një grushti parash. Kaq.
Ka ardhur koha që kjo epokë të mbyllet në Shqipëri.
Si themelues i Unionit Shqiptar për Cilësinë e Jetës kam bindjen se grupimet civile në Shqipëri duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese, duhet të garantojnë autonominë e çdo qelize përbërëse brenda një optike të re etike, duhet të ushqejnë ndjesi të reja shumë më të larta për nevojat e vendit dhe të shpërfillin aksionet që nuk prodhojnë rezultate të matshme lokale. Çdo përpjekje e dështuar është një shans i pakthyeshëm.
I pari dhe kryesori partner yni në këtë përpjekje mbetet individi fundor, përfituesi i vogël qytetar, ai guri i çmuar i kurorës shoqërore që ndriçon arsyet e ekzistencës së të gjithëve ne - shtetit dhe institucioneve të tij - qendrore dhe lokale, shoqatave dhe mjedisit shumëngjyrësh të veprimtarëve socialë, sektorit publik e atij privat.
Edhe pse vetëm me 22 shoqata anëtare, Unioni synon t’i japë shoqërisë civile shqiptare një vizion të ri të ngritur mbi bashkëpunimin dhe sinergjinë, ku nuk ka mbivendosje programesh e fondesh dhe ku së pari nuk ka falsitet.
Pa kërkim sociologjik e shkencor, pa ekspertizë të vërtetë teknike në identifikimin e nevojave, nuk mund të ketë programe, as rezultate të matshme. Për mua rezultati më i vlerë është rindërtimi i vetëdijes shoqërore të grupeve përfituese, si dhe riorientimi i politikave që mundësojnë një zhvillim të qëndrueshëm.
Jetojmë në epokën e rrjeteve sociale, në epokën e komunikimit të shpejtë e të personalizuar, jetojmë në erën e individit të lire dhe dinjitar, i cili meriton më shumë sepse pranon të marrë më shumë përgjegjësi, duke kërkuar më shumë nga të gjitha palët dhe duke i garantuar të drejtat e tij me aftësinë për të prodhuar nga vetja vlerë të shtuar komunitare, në bashkëpunim.
Unë jam i bindur se në kushtet e reja të integrimit të vendit, beteja ndaj varfërisë, veçimit gjeopolitik dhe ekonomik të individit shqiptar do t’i lërë tani vendin një tjetër beteje: asaj kundër defaktorizimit social të bashkësive të krijuara në emër të interesit të përbashkët. Kjo kërkon rikthimin në përmasën komunitare të grupeve të interesit, kërkon rindërtimin e parakushtit bazë të zhvillimit të qëndrueshëm: gjenerimin e vetëdijes dhe kërkesës shoqërore për një cilësi të re dhe më të lartë jete, kjo kërkon modernizimin e vizioneve individuale, të cilat përbashkohen tek një e mirë publike dhe private me përfitueshmëri kolektive më të lartë, më të besueshme dhe jetëgjatë.
Është kjo qasje që e bën punën tonë një sfidë reale dhe të pandërprerë për të ruajtur ritmin e reformave pa deformuar vullnetin e shumicës, e cila duhet t’i përqafojë ato si kërkesa të brendshme kombëtare, jo si importe politike dhe kulturore - qoftë edhe evropiane.
Nëse ka një koncept që në kuptimin tërësor të fjalës i bashkon shqiptarët me Evropën e bashkuar, kjo është kërkesa legjitime për një cilësi të rritur të jetës.
Cilësia e jetës është produkt i ideve dhe aspiratave të reja, ku liria bën ligjin dhe ku përgjegjësitë realizohen të ndërthurura - si gurët e latuar në një mur solid, i cili duhet t’i qëndrojë kohës. Mosha e re e Shqipërisë dhe vizioni i saj euroatlantik janë garancia më e mirë se kemi zgjedhur objektivin e duhur për dekadat që vijnë.
*Kryetar i Unionit Shqiptar për Cilësinë e Jetës
Nga Edmond Stojku*, G. Standart
No comments:
Post a Comment