Thursday, April 4, 2013

Faji i shqiptarëve apo deformim i historisë?



Është vënë re, në harkun e viteve të fundit, se mbi bazën e metodës “moderne” të shtjellimit të Historisë dhe në emër të “së vërtetës historike”, në fakt lexojmë shpalosjen e tezave anti-shqiptare të dy shekujve të fundit (19-20) mbi historinë e popullit, figurat e shquara dhe Shtetin Shqiptar. Boshti rreth së cilës shtjellohen këto shkrime është: Shqiptarët janë fajtorë për copëtimin e trevave të tyre, për urrejtjen, shovinizmin dhe genocidin e ushtruar nga fqinjët e tyre, se Shteti shqiptar po bën një luftë të fshehtë ndaj komunitetit fetar ortodoks, dhe “politika bizantine shqiptare … ka reminishencat raciste, osmane në kuptimin e drejtimit të vendit dhe të marrëdhënieve me jashtë”. Përse duhet t’iu kushtojmë vëmendje shkrimeve që haptas janë sajesa dhe s’kanë asnjë mbështetje të fakteve historike ?

Siç shprehej studiuesi i metodës historike Marc Bloch, edhe në shkrimet ku shtrembërohet historia, studiuesi mund të gjejë fakte që plotësojnë pasqyrimin e realitetit të kohës. Në këtë kënd-vështrim, dobia e trajtimit të këtyre shkrimeve, është se këto ide, vërehen edhe në disa shkrime, debate televizive dhe median elektronike të autorëve të tjerë shqiptarë dhe të huaj. Pra është një realitet i sotëm i medias dhe ideve që qarkullojnë në shoqërinë shqiptare dhe më gjerë. Një nga tezat qendrore është ajo e “fajësisë” së shqiptarëve si bashkëpunëtorë të forcave pushtuese. Kjo tezë nuk është e panjohur për popullin tonë. Letra e “rrezikut shqiptar” është luajtur gjithmonë në tavolinat ndërkombëtare prej shteteve fqinje, për t’iu paraprirë kërkesave për pushtim. Kështu “viktima” greke, ju kërkonte Fuqive të Mëdha ta lejonin ta shtynte kufirin e saj deri “në malet Akrokeraune, në vijën që kalonte në distriktin e Himarës dhe që vazhdonte në lindje deri në Liqenin e Ohrit...dhe një shkëmbim të popullsive “greke dhe shqiptare në kushte humane dhe të barabarta”. Si variant më të mirë, sugjeronte krijimin e shtetit federativ greko-shqiptar, si “minimumin e pranueshëm” nga “epirotët” për ruajtjen e paqes në Ballkan”. Miti i “fajësisë” së shqiptarëve, ushqehej jo vetëm nga letërkëmbimi i diplomacisë serbe apo greke, por edhe nga institucionet arsimore dhe kulturore të këtyre shteteve. “Më 29 qershor 1945 Akademia e Shkencave greke deklaronte: Populli grek nuk mund të rrijë indiferent kur grekët e Vorio-Epirit vazhdojnë të masakrohen, të asgjësohen nga një popull që është ende në fazën parahistorike të zhvillimit, pa as një literaturë dhe pa asnjë shkencë, që ka vetëm një alfabet që e ka marrë hua... “. Siç vërehet, “fajësia” nuk qëndron vetëm tek “masakrat” ( asnjëherë të dokumentuara) të kryera nga shqiptarët, por edhe sepse janë “ një popull i prapambetur...”. Po kështu risjellja e “fajësisë” së shqiptarëve të kohës osmane, bëhet për të krijuar lidhjen historike të veprimeve “kriminale” të popullit tonë, me ditët e sotme. Në mungesë të dokumentacioneve, shfrytëzohen “romane horror” që shkruhen edhe nga personalitete europiane, siç ka qenë:
Transplantimi i organeve të robërve serbë, krimet e shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës
(1998-1999) dhe sidomos “Gozhda e ndryshkur e Nastradinit”- diskriminimi i minoritetit grek në jug të Shqipërisë”. Mbi bazën e kësaj letërsie të llojit racist në vitin 2002 nëpër rrugët e Selanikut shoqatat “Vorioepirote” shpërndanin fletushka kundër Shqipërisë dhe kërkonin ndërhyrjen e NATO-s për të “shpëtuar” rreth 80 mijë minoritarë grekë që jetojnë nëpër disa fshatra të Sarandës, Gjirokastrës nga gjoja “terrori” që ushtrojnë shqiptarët kundër tyre. Për të trija këto akuza, megjithë gjyqet, komisionet dhe verifikimet e ndërkombëtarëve, nuk është dëshmuar asnjë fakt. Qytetarët europianë e më gjerë, konsumues të masmedias dhe deklaratave të papërgjegjshme të disa politikanëve apo funksionarëve , ndikohen nga “fjalët” dhe askush nuk ju dëshmon të kundërtën.
Shteti ynë mjaftohet me rolin e mikpritësit të komisioneve hetimore dhe jo të përfaqësuesit të një populli të damkosur, që kërkon përgjegjësinë e prishjes së imazhit në arenën europiane dhe botërore.
Për rrjedhojë, viktima (me cytjen e BE-së) ulet e çnderuar përballë kriminelit të papenduar e të pandërgjegjësuar dhe këndohen hymne fetaro-shtetërore, të “bashkëjetesës në kohën moderne”. Kongresmeni Joseph J. DioGuardi më 25 Korrik 2008 në Kongresin e SHBA pohon se:
Është ironike që plani i Ahtisaarit u jep serbëve në Kosovë të drejtat më të mira të minoriteteve si askujt tjetër në Evropë, teksa ende kemi shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi që jetojnë nën kushte të aparteidit edhe sot”. Europianët që e kanë kaluar këtë përvojë në kurrizin e tyre, nuk e kanë të vështirë të pranojnë, se zgjidhja më reale për Ballkanin është pikërisht vendosja e popullsisë shqiptare në kushte të barabarta me popujt e tjerë ballkanikë dhe europianë.
Fatbardha Demi/Publiciste

No comments: