Monday, April 29, 2013

Gjëagjëzë


Nuk i kushton rëndësi pamjes së jashtme edhe pse preferon aq shumë ato syzet me xham pasqyrë, që qëndrojnë pozicion jashtë loje me fytyrën e tij, ku pas dhëmbëve të shtrembëta me ngjyrë xhelozie të bien në sy mollëzat në ngjyrë molle të kuqe.
Kur përtyp çamçakëz e shqyen me dhëmballë sikur të jetë duke shkitur ndonjë copë dell. Tek qafa mund ti dallosh lehtësisht vizën që i ndan ngjyrën e fytyrës me atë të trupit. Por edhe koka nga ana tjetër nuk ka pothuajse asnjëherë formë të rregullt, që vetullat e trasha ia nxjerrin edhe tej në pah.
Kur flet në telefon, bërtet aq fort saqë të jep idenë se me atë volum me bashkëbiseduesin e krahut tjetër do mund të merrej vesh edhe pa përdorur telefon fare. Hapat nuk i hedh asnjëherë drejt apo të rregullta, por zakonisht këmbët i hap nga brenda në atë ecjen e tij plot ulje-ngritje, pavarësisht se rruga mund të jetë e drejtë. I ashpër, më tepër se duart e veta, me një fjalor të rëndë që ndot më tepër se vret. Takimet me shampon gjatë një muaji mund t'ia numërosh me gishtat e një dore.
Nuk merr vesh nga arti e kultura se këto nuk prodhojnë para.
Nuk merr vesh nga biznesi, por nisur prej guximit të njeriut që s'ka patur asgjë për të humbur, ka kapluar biznesin shqiptar.
Nuk merr vesh nga politika, por kur hyn në politikë nuk i zdryp më!

Kush është?
Shkroi: Stop Injorancës !

No comments: