Thursday, April 4, 2013

Pedofili në Devoll, nëna e 12-vjeçarit: Im bir humbi veshkën, autori u lirua e na kërcënon


Monstrat të dënohen me vdekje. Gjyqtarët të kenë turp që i lënë të lirë pedofilët për të kapur sërish ‘gjahun e radhës’.
Djali im, viktimë e abuzimit seksual, nuk mund të bëhet kurrë më njeri normal dhe nuk mund të jetë kurrë më si shokët e tij. Drejtësia e liroi njërin prej autorëve që abuzoi me tim bir, edhe pse fillimisht u dënua me 6 vjet e 8 muaj burg. Kjo është drejtësia shqiptare. Personi që më la ‘çyryk’ djalin më kërcënon haptas se do të bëjë të njëjtën gjë dhe me tre fëmijët e tjerë. Kam frikë t’i dërgoj në shkollë”. Kështu u shpreh dje në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” nëna e 12-vjeçarit XH.P., i cili në korrik të vitit 2011 u abuzua seksualisht në mënyrë të përsëritur nga dy bashkëfshatarët e tij. Nëna e të miturit, Adriana Pajo shprehet e indinjuar për vendimet e gjykatave, ndërsa i bën apel shtetit të ashpërsojë dënimet për këtë kategori personash. Ngjarja e rëndë u shënua më 7 korrik të vitit 2011 në fshatin Bitinckë të rrethit të Devollit. Sipas policisë, Romario Mulla 17 vjeç dhe Eduard Bufi 21 vjeç mashtruan të miturin Pajo dhe abuzuan seksualisht me të për orë të tëra në periferi të fshatit. Policia arrestoi autorët e krimit, ndërsa u zbulua se dy të rinjtë kishin abuzuar edhe herë të tjera me të miturin dhe e kishin kërcënuar që të mos tregonte.
Si e keni përjetuar ngjarjen e ndodhur në kryeqytet, në një kohë që ju si familje jeni prekur më herët nga abuzimi seksual?
Më rrënqethet mishi ende nga ajo natë, kur dëgjuam dhe pamë në televizor historinë e abuzimit seksual me dy të miturit në Tiranë. Mjerë ajo nënë dhe ai baba. Unë i kuptoj mirë. Djali im u abuzua seksualisht nga dy bashkëfshatarët tanë, jo njëherë por më shumë se tri herë, deri sa e bënë ‘çyryk’. Ai nuk është më si të tjerët. Krahas dëmtimeve të shumta në trup dhe gjendjes së rënduar psikologjike, im bir sot është edhe pa një veshkë. Është e tmerrshme të përjetosh në familje një abuzim seksual. Nuk ka krim më të shëmtuar se ky, por kur nuk ka shtet, gjithçka ndodh. Fëmija im nuk gjendet më pranë nënës se nuk është si të tjerët. Për shkak të abuzimit çnjerëzor seksual me të, djali aktualisht ndodhet në një qendër rehabilitimi. (Përlotet)
Si ndiheni tani, kur ka kaluar gati 1 vit e gjysmë nga ngjarja e rëndë?
Jam vrarë për herë të dytë. Pavarësisht kohës, ajo dhimbje nuk mund të më hiqet kurrë. Për më tepër kur njëri prej autorëve është lënë i lirë nga Gjykata e Korçës, edhe pse ishte dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg. Kjo është akoma edhe më e rëndë. Teksa dal në fshat unë shoh atë që abuzoi seksualisht me djalin tim, ma shndërroi në një gjysmë njeri, m’i shkatërroi jetën. Shoh atë të qeshë, ndërsa djali im qan ende nga plagët. Im bir nuk është më dhe nuk ka për të qenë kurrë si më parë. Më dhëmb shpirti teksa ai vuan për diçka që nuk e ka merituar.
Ju thoni që njëri prej autorëve është lënë i lirë?
Po, u lirua pak muaj më parë Romario Mulla. Asnjë nuk e di arsyen e këtij lirimi, por sigurisht që nuk është diçka e pazakontë për drejtësinë tonë. Ai është i lirë dhe më kërcënon sërish se do të marrë hak tek fëmijët e tjerë. Kjo më frikëson më tepër. Kam frikë nga ndonjë abuzim i radhës, më besoni...(qan))
Pra, ju jeni të kërcënuar aktualisht?
Sigurisht që po. Kam tre fëmijë të tjerë dhe Romario flet në fshat se pasi të qetësohet gjendja, do të merret me fëmijët e tjerë të mi, pasi nuk mund të na e falë atë pak burg që ka bërë.
Familja ime është e varfër dhe nuk di ç’të bëj. Për këtë rast kam vënë në djeni dhe kryeplakun e fshatit, pasi unë si nënë nuk mund të fal më. Janë fëmijët e mi dhe do t’i mbroj me jetë. Mjaft më me këto skandale të drejtësisë, që tallet haptazi me ne! Unë tani rri me gjak të ngrirë deri sa fëmijët më vijnë nga shkolla dhe nuk i lejoj të luajnë jashtë. Kam frikë në çdo moment. Ai që abuzoi seksualisht me djalin tim, mund ta bëjë paturpësisht sërish me fëmijët e tjerë, pasi pavarësisht dënimit, drejtësia e la të lirë.
Si reaguat pas kërcënimeve që keni marrë nga i riu Romario Mulla?
Me familjen Mulla kemi lidhje krushqie. Pas kërcënimeve, unë takova xhaxhain e tij, të cilit i kërkova që nipi i tij të mos e lëndojë më familjen time. Ai më dha fjalën se gjithçka do të jetë nën kontrollin e tij dhe se ne duhet të rrimë të qetë. Pavarësisht kësaj, unë kam frikë dhe fëmijët nuk i lë të luajnë me shokët në fshat.
A e takoni djalin tuaj dhe cila është ëndrra e tij sot?
E takoj njëherë në muaj se është larg, në Tiranë. Mundësitë ekonomike nuk më favorizojnë shumë. Im bir më thotë shpesh se dëshiron të jetë ai që ka qenë më parë. Kjo është dëshira e tij.
Apeli juaj si nënë?
Dënim me vdekje për këta “monstra”. Shteti të veprojë sa më parë dhe të ndryshojë dënimet, pasi shumë familje si unë po shkatërrohen. Gjykata liron dhe i hedh sërish në rrugë këta persona për të kapur “gjahun e radhës”. Kjo është e turpshme dhe e pafalshme për këtë shtet. I lutem shtetit të dënojë abuzuesit me dënime maksimale që fëmijë të tjerë të mos kenë fatin e fëmijës tim.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

No comments: