Thursday, April 18, 2013

Vota e bardhë është e zezë!

Ditët e fundit pas bashkimit të LSI-së me PS-në janë shtuar zërat nga shoqëria civile për të bojkotuar zgjedhjet, apo siç thonë ndryshe të protestosh kundra kësaj kaste politikanësh që nuk po mbjell dot shpresë, vëri kryq të gjithëve, çoje votën tënde kot.

http://www.facebook.com/votobardhe

Sigurisht që zhgënjimi ka kapluar një pjesë të mirë të shoqërisë, por nuk mund të lejojmë që pikërisht kjo pjesa gri, kjo pjesa shpresëdhënëse e shoqërisë të humbasë jo vetëm shpresën, por dhe arsyen.

Në rast se shoqëria jonë do të kishte atë shkallë të lartë ndërgjegjësimi sa e gjitha si një trup i tërë të bojkotojë zgjedhjet duke i dhënë kështu një shuplakë të fortë politikës shqiptare dhe vetë sistemit të kalbur që ajo ka prodhuar, ne nuk do ta kishim tashmë këtë zhgënjim, këtë politikë që nuk mbjell shpresë.

Por ç'ndodh realisht me anë të këtyre nismave që ftojnë një pjesë të shoqërisë për bojkot zgjedhjesh?

Ndodh pikërisht e kundërta e asaj që kjo nismë kërkon. Militantët do të votojnë, barktharët do ti marrin ato thasë mielli, të papunët do të këmbejnë votat me një premtim punësimi...
Duke bojkotuar pjesa më e arsimuar e shoqërisë, ndodh që të zgjedhë dhe vendosë për të ardhmen e tyre pikërisht pjesa më e paarsimuar e shoqërisë. Ndodh që të fitojë zgjedhjet alternativa më e gabuar, të fitojë pushtetin politikani mё dinak, mё i pamёshirshmi, ai qё ka mё pak rregulla, mё pak skrupuj e moral.

Ky sistem funksionon me anë të votës dhe vota është arma e vetme qytetare për të përkrahur apo ndëshkuar. Vota e qytetarit është kontributi yt në demokraci.
Tё thuash se gjithçka ёshtё njёsoj, tё mos kuptosh ndryshimet, ёshtё njё gjest antidemokratik.

Në rast se nuk votoni apo e dërgoni votën tuaj të pavlefshme, ju realisht nuk keni pse ankoheni, nuk keni pse kërkoni ndryshim në 4 vitet e ardhshme. Kontributi juaj ka qenë fare i thjeshtë: "Votë për politikën më të gabuar"!

Prandaj e dashur pari intelektuale qytetare, mos BOJ KOT, por BOJKOTO ... Injorancën tënde!

Shkroi: Stop Injorancës


No comments: