Thursday, April 4, 2013

Kur vajza të turpëron, nuk nxirret kafe e as hapen dyert e mortit


Valbona Begu, vajza e ekzekutuar nga babai i saj, ndoshta do të ishte gjallë nëse policia nuk do e kishte kthyer në shtëpinë ku edhe gjeti vdekjen.
19-vjeçaria mëngjesin e së martës është paraqitur në komisiariatin e Policisë së Lezhës ku dhe ka denoncuar dhunën e ushtruar ndaj saj nga njerëzit e shtëpisë.
Në denoncimin e bërë në Policinë e Lezhës, Valbona ka kërkuar mbrojtjen e strukturave të policisë pasi dhunohej nga babai i saj. Sipas denoncimit të bërë, mësohet se Valbona ka kërkuar një mbrojtje dhe një strehë për të qëndruar.
“Nuk mund të kthehem në shtëpi pasi im atë më rreh dhe më keqtrajton. Vetëm pse nuk i bindesha, më ka thyer dhe televizorin kokës”, mësohet të ketë rrëfyer Valbona Begun në komisariatin e policisë së qytetit të Lezhës.
Fakti që vajza 19-të vjeçaria ka denoncuar babin e saj për ushtrim dhune pohohet dhe në familjen Begu. Vëllai i saj, Pashk Begu, thotë për TemA-n se Valbona ka shkuar në polici për të denoncuar të atin dhe pse ai nuk ndodhej aty.
Sipas tij, Valbona ka ikur nga shtëpia mbrëmjen e së hënës dhe askush  nuk e di se ku ka ndenjur dhe si ka përfunduar në komisariatin e policisë, ku dhe ka bërë denoncim  për ushtrim dhune nga anëtarët e familjes së saj.
“Ne nuk dimë se kush e ka marrë Valbonën nga shtëpia apo se kush ishin dy personat që e kanë çuar në polici ku dhe ka bërë denoncimin. Kanë qenë atë të policisë që kanë telefonuar babain ku i kanë treguar sa kishte ndodhur. Ne jemi kthyer menjehë atë ditë dhe Valbona erdhi në shtëpi. Babai pranoi që ajo të vinte në shtëpi”, rrëfen Pashk Begu.
E ndërsa askush në shtëpinë Begu nuk di arsyen se përse Valbona ka denoncuar të atin dhe me kë ka kaluar mbrëmjen e së hënës, duket se policia e qytetit të Lezhës nuk ka barë qoftë dhe hetimin me të vogël për të vërtetuar akuzat e Valbona Begut, çka mund të kishte parandaluar vrasjen e saj.
Brenda ditës vajza është dërguar nga policia në shtëpinë e saj ku është përballur me babain e saj vrasës. Me t’u kthyer në shtëpi, Nikolla ka insistuar të dijë se me kë e ka kaluar natën e së hënës 19-vjeçaria. Sipas dëshmive në familjen Begu, vajza nuk ka pranuar në asnjë moment të tregojë miqtë e saj. Madje dhe pasditen e së shtunës, ditë në të cilën ka gjetur vdekjen, kjo ka qenë arsyeja që atë e bijë kanë debatuar sërish, ku në gjaknxehtësi e sipër Nikollë Begu ka marrë pistoletën e ka qëllur mbi të bijën në oborrin e shtëpisë.
Pashkë Begu thotë se në momentin e krimit askush nuk ndodhej në shtëpi. Sipas tij, askush nuk e di se si i ati është konfrontuar sërisht me Valbonën, por 59-vjecari ka insistuar tërë kokën për të ditur se më kë kishte ikur nga shtëpia e vajza e tij.
“Unë nuk di si ka ndodhur ngjarja pasi në atë moment në shtëpi nuk ka qenë askush, por di nëse policia do të kishte treguar me kujdes dhe do kishte hetuar ngjarjen babai im nuk do ishte në burg dhe Valbona do ishte gjallë”, thotë Pashkë Begu.
Nga ajo që thuhet në familjen Begu duket se turpi për nderin e humbur, që e bija ka bërë duke kaluar natën jashtë shtëpisë, duket se ka detyruar Nikollë Begun të marrë armën për të vrarë vajzën e pabindur.

Tale, aty ku të vrasësh për nder është burrëri
Dyert e mortit nuk janë hapur në shtëpinë e Nikollë Begut. Një grusht njerëzish vetëm sa kanë shti në dhe trupin e 19-vjeçares. Në asnjë derë, si e do zakoni, nuk kanë çuar lajm për vdekjen e Valbonës. Kanuni thotë se kur vajza të turpëron, nuk nxirret kafe e as hapen dyert e mortit. Trupi varroset, por askush nuk mban zi. Kështu ka ndodhur në shtëpinë e Nikollë Begut, i cili mbasditen e së shtunës vrau të bijën në oborrin e shtëpisë. Valbona kishte turpëruar derën e shtëpisë e askush nuk ka derdhur qoftë dhe një pikë lot për vajzën e re. Valbona kishte ikur dy herë nga shtëpia e kjo ka mjaftuar për të merituar vdekjen. Ndaj në shtëpinë e Nikollë Begës nuk gjen grua a burrë që të jetë në zi për jetën e tretur nën dhe të Valbonës.
Në shtëpi, një ndertesë njëkatëshe, ku syri nuk të sheh asnjë orendi komode, jana mbledhur vetëm të afërmit e Nikollë Begut. Dhe pse kanë pak orë që e kanë mbuluar me dhe 19- vjeçaren, askush nuk i përmend qoftë dhe emrin. Halli i vetëm i njerëzve të shtëpisë është Nikolla, i cili tashmë ndodhet i arrestuar. Me punën e tij, emigrant në Itali, familja mban frymën gjallë, ndaj dhe Liza, nëna e Valbonës nuk guxon të derdhë qoftë dhe një pikë lot për vajzën që sapo kishte varrosur. Burrat e shtëpisë kanë vendosur të mos mbahet zi e kafe nxirret veç për ato që vijnë për të qarë hallin e burgosjes se Nikollës, burrit që nxorri pushkë për të vënë nderin në vend.

Në fshat
Asnjë prej banorëve të Bregut të Lumit, në fshatin Tale të qytetit të Lezhës nuk ka shkuar për mort në shtëpinë e Nikollë Begut. Banorët e zonës, kryesisht të ardhur nga Mirdita, ashtu si dhe familja Begu, e dinë fort mirë se Nikolla ka vepruar si e do zakoni. E kur burri vret për nder, i urohet pushka e nuk i shkohet për mort. Dile Prenga, një prej banorëve të zonës, thotë se turpin e Vlobonës vetëm plumbi e lante. Megjithëse Valbonën askush nuk e kishte parë dy herë në rrugët e fshatit, fakti që ajo kishte guxuar të ikte dy herë nga shtëpia ka bërë që askush mos të ndjejë qoftë dhe keqardhje për vjajzën e re. “Valbona iku një herë nga shtëpia dhe i ati e fali, por të hënën kishte ikur prapë. Nuk mund të hash bukën e babës e të ikësh e të flesh ku të duash dhe të vish prapë në shtëpi. E sipas Kanunit vetëm me plumb mund të vësh nderin në vend e nuk mund as të hapsh mort”, të thotë Dilja.
Sipas gruas 60-vjeçare, Valbona kishte merituar vdekjen duke turpëruar derën. Në Bregun e Lumit nuk gjen njeri që të dënojë krimin e kryer nga Nikollë Bega, ndërkohë që arrestimi i tij konsiderohet një hall për shtëpinë.
“I shkreti, nuk e meriton të rrijë në burg, vuri nderin në vend, pse duhet të arrestohet. Me punën e tij mbahet familja me bukë. Në fund të fundit ajo vajzë ia plasi buzën”, thotë Preng Voci, fqinji i familjes Begu.
Dhe pse askush në fshat s’i ka dëgjuar zërin Valbonës, fakti që ajo iku nga shtëpia dy vjet më parë, pa vendosur kurorë, ka mjaftuar që ajo të quhet e përdalë, e askush mos ta dëshirojë për nuse.
Prenga thotë se dera e Nikollës u turpërua një herë, por vajza nuk zyri mend.
Ndërsa kur guxoi të ikte për të dytën herë, veç plumbi vinte nderin në vend.
Tema

No comments: