Thursday, October 3, 2013

Muharrem Xhediku, mbreti i tangos shqiptare, i arratisuri prej të gjitha burgjeve

-Muharrem Xhediku është një kompozitor që i përket gjeneratës së artistëve të viteve ‘40-‘60, por ai është pak i njohur, për shkak të vdekjes së tij të parakohshme dhe për shkak të heshtjes që u mbajt ndaj figurës së tij nga qarqet kulturore të kohës.


Zall Dardha, vendi ku fëmijët lindin duke kënduar
Zall Dardha quhet djepi i artistëve. Në këtë zonë lindën dhe u rritën njerëz që lanë gjurmë në muzikën etnike shqiptare si Muharrem Xhediku, Hazis Ndreu, Skënder Cala, Lirie Rasha, Qerim Sula, Caje Poleshi, Xhelal Çerpja, Sherif Dervishi, etj. Janë me dhjetra muzikantët, instrumentistët, valltarët, këngëtarët popullorë nga Zall Dardha që me kontributin e tyre jo vetëm kanë dhënë shfaqje në Zall Dardhë e Dibër, por edhe në mbarë Shqipërinë, madje në skenat më prestigjioze të Amerikës dhe Europës. Muharremi shkollën fillore e mbaroi pranë strehës vorfnore në Tiranë. Përveç bukës së përditshme, aty arriti të siguronte mundësi që i hapnin rrugë për t’u njohur me botën muzikore dhe që në fillim u vu re talenti i tij. Kërkoi të shkonte për studime, por nuk e siguroi dot. Mllefi i Muharremit për gjendjen e tij të mjerë ekonomike po rritej gjithmonë e më tepër. Pjekuria e moshës dhe ndërgjegjësimi i tij bën që ai të kalonte në kampin tjetër, ku rreshtoheshin të pakënaqurit ndaj regjimit monarkist. Ai kritikonte dhe stigmatizonte regjimin e kohës që e kish pllakosur vendin në varfëri ndaj ky ishte shkaku që regjimi e burgosi disa herë. Herën e fundit arriti të dalë nga burgu duke e thyer atë. Në vitin 1937, ai u shpall nga mbretëria si element i rrezikshëm dhe u burgos. Edhe në burg ai i binte çiftelisë dhe këndonte këngët e bukura dibrane.

Arratisja nga burgu zogist
Fati nuk kishte vendosur ta përkëdhelte akoma Muharremin, prandaj në bazë të akt akuzës ai do të dënohej me 20 vjet burg, prandaj rruga e vetme e shpëtimit ishte arratisja nga burgu dhe largimi për në Itali, për të ndjekur ëndrrën e tij të bukur, shkollimin për muzikë. Një natë para se të dilte në gjyq, një shok i dërgoi një pako me ushqime. Brenda pakos ishte futur një ibrik me kos ndërsa në fund një sharrë hekuri dhe një kastravec në mesin e të cilit fshihej lima e hekurit. Gardianët nuk e kontrolluan ushqimin e këngëtarit të tyre të preferuar. Muharremi kërkoi të shkonte në banjë nga mesi i natës dhe atje u mbyll brenda, derisa arriti që të sharrojë hekurat e dritareve të banjës dhe të arratisej nga banja, e cila nuk vëzhgohej nga rojet. Pas pak, në burg u dha alarmi. U rrethua edhe pjesa në periferi të burgut. Muharremi ndodhej pikërisht tek Bregu i Lumit. Për t’u shpëtuar të shtënave të rojeve dhe ndjekjes së tyre hidhet në lumë dhe bën sikur mbytet. Në fakt gjen një tub llastiku të cilin arrin ta mbajë në gojë dhe ta nxjerrë mbi ujë. Kështu ai arriti të mbijetojë. Ndërsa xhandarët dhanë lajmin se Muharremi ishte mbytur dhe dërguan lajmin në shtëpi. Nënë Sudja e mjerë në barrakën e vogël shpalli vdekjen e djalit dhe njoftoi të afërmit në Dibër. Milicët kishin hapur lajmin se kafshët ia kishin copëtuar kufomën dhe nëna e vajtoi djalin për së gjalli pa kufomë.

Studimet teologjike në Itali
Muharremi arriti të shpëtojë dhe të mbijetojë pas rënies në lumë. Ai arriti të vishet si fshatar, por vendosi të mos kthehej më në shtëpi, por të udhëtonte drejt Shkodrës. Pasi punoi për një farë kohe si karrocier për shpërndarjen e qymyrit nëpër shtëpitë e qytetit të Shkodrës, me emrin Martin Mirashi dhe me dokumenta të rreme të një shoku, futet në kolegjin jezuit të Shkodrës. Mundësia që arriti të futej në këtë kolegj ishte se fare rastësisht ai shpëton jetën e nipit të drejtorit të kolegjit, i cili ra nga një pemë. Por emri Martin Muharremi iu fiksua si një emër i dytë, si një emër i dashur. Pas tre vjetësh, kolegjin e mbaroi shkëlqyeshëm dhe u diplomua si prift. Drejtori i këtij kolegji, që e kishte shumë për zemër Muharremin (Martinin) e ndihmoi të shkonte për studime teologjike në Itali, bursë nëpërmjet Vatikanit. Ishte ende i ri kur emigroi në Itali, ku u gjend nën përkujdesjen e një prifti i cili e bëri bir në shpirt. Edhe në kolegjin e lartë të jezuitëve të qytetit të Laningos u dallua për zell në mësime dhe zgjuarsi. Por në vitin e fundit të kolegjit, ai shpalos të vërtetën e fesë së tij dhe të bindjeve të tij që tani nuk ishin as muslimane dhe as katolike, por ateiste. Kjo dëshmi e hapur i solli mjaft pasoja të rënda pasi provoi përsëri privimin nga liria, por këtë herë duke vuajtur burgimin në Vatikan. Me ndihmën e Luçias, vajza e një pedagogu të jashtëm të tij, por që nuk jepte lëndë fetare, por shkencore, arriti të arratiset nga ky burg duke u veshur si murgeshë.

Në Konservatorin e Bolonjës
Pas arratisjes nga burgu në Itali filloi jetën e vështirë të emigrantit ekonomik. Pa punë, pa përkrahje, i vetmuar dhe pa shpresë shkon në Siçili dhe fillon punë si kamerier. Punoi tre muaj dhe mori vlerësimin e pronarit të lokalit. Ajo që i jepte më zemër dhe e mbushte me shpresa pa fund Muharremin, ishte se pronari i lokalit administronte një konservator muzike. Muharremi (Mario) iu lut pronarit që të studionte për muzikë në këtë konservator jashtë orarit të punës dhe në fund t’iu nënshtrohej provimeve. Fati i hapi këtë herë plotësisht krahët për të. Edhe pse duhet të punonte, arriti të vazhdojë studimet në konservatorin e Bolonjës, duke shpalosur talentinNuk e pati të vështirë t’i mbaronte studimet e konservatorit me rezultate të larta. U diplomua në konservatorin e famshëm të Bolonjës dhe sigurisht që tani ndihej më krenar.

Kthimi në Shqipëri
Pas pushtimit italian të vendit, Muharremi vendosi të kthehej në Shqipëri. Ishte shpallur amnisti për të dënuarit e regjimit të Zogut. Ishte koha kur Shqipëria vuante nën thundrën e pushtuesit italian, ndërsa Muharremi kishte shtatë vjet që nuk e kishte parë familjen, e cila e konsideronte të zhdukur. Ai vendosi të kthehej në atdhe dhe të jepte kontributin e tij, tashmë si një intelektual profesionalisht i formuar.

Dashuria me Jelicën
Jelica. Një emër, një dashuri, një ëndërr, një këngë, një shpresë, një gëzim, një hidhërim, një vuajtje... Një femër jo si të gjitha femrat, një vajzë e veçantë që ia ngriti peshë zemrën që në momentin që e pa për herë të parë. Pikërisht, atëherë kur shpresat ishin ndërprerë, u shfaq ajo, Jelica, vajza malazeze. Ajo ishte e bija e kryegardianit të burgut. Ajo hynte e dilte në kamp për të takuar të atin. Ishte vetëm 16 vjeçe dhe babai e kishte dritë të syrit. Një ditë u takuan rastësisht në oborrin e kampit Jelica, malazezja 16- vjeçare, e bija e komandantit të kampit dhe Muharremi, i burgosuri shqiptar, që nuk pajtohej me asnjë regjim e padrejtësi. Muharremi, ky muzikant i lindur që prodhonte dashuri me sy, zemër, buzë, me këngë dhe me kitarën që s’e ndante asnjëherë, e tërhoqi si një magnet vajzën që dukej sikur kishte dalë nga bota e personazheve të një përralle të bukur. Çdo ditë nuk mund të kalonte pa u takuar, pa u parë. Muharremi, për këtë vajzë të bukur që më vonë do të bëhej gruaja e tij, kompozoi këngën e famshme “Jelica”.

Partizan në Brigadën e 18-të Sulmuese
Muharremi së bashku me bashkëshorten e tij Jelicën, inkuadrohen në Brigadën e 18-të, ku shërbeu në sektorin e propagandës dhe dha një ndihmesë të jashtëzakonshme në korin partizan. Muharrem Xhediku njehsohet me ata kompozitorë partizanë që krijuan këngë, himne dhe balada për Luftën NAÇL siç ishin Dhora Leka, Paparisto, Jakova, Avrazi, etj. Ndërsa bashkëshortja e tij, Jelica, dha një kontribut të madh si infermiere për mjekimin e të plagosurve të Brigadës. Muharremi mban Medaljen e Çlirimit për pjesëmarrje me armë në dorë në rreshtat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Miço Kallamata, kuadër i Brigadës së 18-të Sulmuese, shkrimtar, në kujtimet e tij shkruan: “Muharrem Xhediku ishte një partizan dhe kuadër shembullor i Brigadës. Ai kryente me përpikmëri të gjitha detyrat e ngarkuara, duke luftuar me pushkë, penë dhe kitarë.” Sëmundja e rëndë, pasojë e vuajtjeve të luftës, e shkëputi nga gjiri i artistëve të Shqipërisë në kulmin e jetës dhe të krijimtarisë së tij artistike, që po njihte veç progres.

Në varr për së gjalli
Në vitet e pushtimit fashist, një natë, kur po futej në shtëpinë ku banonte, dy njerëz të armatosur e kapin dhe arrestojnë. Të nesërmen merret në pyetje në kuesturën fashiste. Qëndroi 35 ditë në arrest, me tortura dhe i mbytur në ankth, kurse ditën e tridhjetë e gjashtë e fusin në një makinë të mbyllur, të lidhur këmbë e duar dhe e ndalojnë diku andej buzë Korabit. Ishte buzë përroi, greminë. I zgjidhën sytë dhe i thanë: “Tani bëje varrin vetë!” Kështu na kanë urdhëruar. Ti do të varrosesh i gjallë!”. Muharremi punoi me një kazëm dhe një lopatë për shtatë ditë me radhë me dy ushtarakët e armatosur mbi kokë, që herë flisnin shqip dhe herë anglisht. Në ditën e shtatë arriti të hapte një gropë të madhe 2 metra të gjatë dhe po aq të thellë. Në ditën e tetë i kërkuan përsëri kompromis për bashkëpunim. I dhanë 48 orë kohë për t’u menduar. Pas kufirit kohor, dy ushtarakët u kthyen dhe e pyetën nëse kishte reflektuar. Muharremi u tha se nuk kishte parë e dëgjuar të torturohej njeriu pa faj dhe pa shkak. Ai firmosi në letër të bardhë se nuk kishte asgjë për të thënë dhe për të bashkëpunuar. E hypën të lidhur në një makinë të mbyllur dhe u nisën. Rruga ishte shumë e keqe, gropa-gropa. Makina tundej shumë dhe ushtaraku që ishte lart në karroceri nuk duroi më, por e ndaloi makinën dhe kërkoi që edhe ai të rrinte përpara. Mbeti vetëm. Në një kthesë Muharremi pa se dera ishte e hapur. Nuk mund të jepte dot shpjegim nëse u hap vetë nga tronditjet e makinës në rrugë apo e harroi oficeri fashist, por Muharremi menjëherë filloi të përpunonte me shpejtësi mundësinë e hedhjes nga makina. Shtyu derën e makinës me këmbë dhe në një kthesë të padukshme u hodh. Pas 25 ditë dhe netë udhëtimi, arriti në Prishtinë tek Ivan Tomasheviqi, për të cilin kishte patur një rekomandim nga Alush Zari, me të cilin kishte patur lidhje që në Tiranë. Ivani e pranoi në shtëpi, i ofroi strehim dhe e ndihmoi të punonte si përkthyes në Dhomën e Tregtisë. Më vonë, Muharremi arrin të futet si nëpunës, protokollist-arkivist në zyrat e pushtetit fashist në Prishtinë. Ai njihte disa gjuhë të huaja dhe kjo e ndihmonte në punën e tij. Megjithatë, ai ishte kurdoherë në vëzhgim. Në vitin 1943, një spiun kishte dorëzuar një listë për burgosjen e 92 shokëve kosovarë në Federalin e Ferizajt. Muharremi njoftoi shokët dhe ata arritën që të shpëtonin. Ai ndiqej në çdo hap që hidhte dhe nga shkonte. Këtë e ndjente edhe vetë, prandaj, pasi e gjurmoi, vendosi që spiunin Alush Agai ta qëllonte, por nuk arriti ta vrasë. Pas këtij atentati, 7 karabinierë e rrethuan, e kapën dhe në tetor 1943 e burgosën në kampin e Prishtinës.

Sëmundja e rëndë
Në dhjetor të vitit 1944 e deri në janar të vitit 1945 sëmuret rëndë nga tuberkulozi dhe ftohja e rëndë që kishte marrë maleve, burgjeve e internimeve dhe kurohet në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Pas daljes nga spitali, aktivizohet me Ansamblin e Ushtrisë ku qëndroi deri në maj të vitit 1946. Nga viti 1946 rimobilizohet dhe shkon me shërbim në Korçë. Përsëri sëmuret dhe detyrohet përfundimisht të largohet nga ushtria për arsye shëndetësore. Për rreth dy vjet kurohet në spitalin e Tiranës dhe pas daljes nga spitali fillon si kitarist në Orkestrën e Teatrit Popullor, që më vonë kthehet në Filarmoninë e Tiranës. I besohet detyra e përgjegjësit të orkestrës së Estradës së Tiranës. Por Muharremi tani kishte një armik edhe më të egër se ai i luftës, këtë herë brenda trupit të vet, sëmundjen e rëndë të tuberkulozit. Edhe pse ndihej i ligësht prej sëmundjes, ai gjente forcën e madhe për të mos u dorëzuar tek muzika, ilaçi dhe ushqimi shpirtëror

Trashëgimia e kompozitorit Xhediku
E veçanta e tij ishte se ai i shkruante vetë tekstet dhe i kompozonte mbi bazën e tabanit tonë kombëtar. Këngët si "Falmi sytë e shkru", "Engjëllushes", "Matura", "Jelica", etj. kanë mbetur edhe sot në kujtesën e asaj gjenerate si këngët me motivet më të bukura plot pasion të dashurisë. Është me të vërtetë kënaqësi kur dëgjon sot nga goja e këngëtarit të mirënjohur Aleksandër Gjoka këngën e riorkestruar nga Edmond Zhulali “Falmi sytë e shkru”. Teksa dëgjon këtë këngë hit në ato vite, që u ka rezistuar kohëve për vetë forcën e poezisë dhe ëmbëlsisë së muzikalitetit, bindesh për talentin e Muharrem Xhedikut, pinjollit nga treva e artistëve, sikurse është quajtur me të drejtë Zall Dardha e Dibrës. Krahas muzikës së lehtë, ai kompozoi dhe këngë popullore si: “Cuca e Radomirës”, “Hajde shpirt se erdh pranvera”, “Te kroni”, etj. Mrekullohesh kur dëgjon nga Eranda Libohova këngën “Cuca e Radomirës”. Xhediku është kompozitori i parë që solli me profesionalizëm ritmet e muzikës së lehtë, sidomos të tangos në Shqipëri. Ai shkroi dhe kompozoi në të gjitha gjinitë e muzikës, jo vetëm këngë, por edhe romanca, pjesë për koncerte, suita orkestrale, opereta, muzikë vallëzimi, etj. Tangot e tij këndohen dhe kërcehen edhe sot. Kemi dëgjuar në origjinal këngët e herëshme të Muharrem Xhedikut dhe jemi impresionuar. Kur dëgjon “Artistin e Popullit” Ramiz Kovaçi të këndojë “Bareshë e malit”, shoqëruar në piano nga Margarita Kristidhi, të duket sikur je pranë burimeve të malit e mes cicërimave të zogjve. Karakteristika të veçanta ka edhe kënga “Kur më zbret bregut”, kënduar nga Pranvera Baçe, këngëtare e grupit artistik të Korçës. Sjell humor por shoqërohet nga ndjenja “Kënga e pleshtit”, interpretuar nga artisti Hysen Pelingu. Kënga “Matura” ose “Unë për ty nuk do të shkruaj”, në ato vite himn i tangos shqiptare, interpretohet nga një zë dinjitoz i muzikës shqiptare, Anita Take. Mjaft interesant është gjithashtu interpretimi i Gaqo dhe Luiza Çakos në këngën “E dua jetën”, nën dirigjimin e Nesti Uçit. Dueti Anita Take dhe Xhavit Xhepa është një kombinim i mahnitshëm zërash tek kënga “Te burimi”. Muzika si në këngë, ashtu edhe orkestrale, p.sh. tek kënga “Në parkun e qytetit”, kënduar nga Anita Take, është shumë ngacmuese, ngazëlluese, duke provokuar lëvizje të pashmangshme. Zëri i Pjetër Gjergjit tek kënga “Lisi plak” tingëllon si kënga e një bilbili mali. Dhe më tej, dueti Pjetër dhe Florinda Gjergji tek kënga popullore e Xhedikut “N’at” livadh” duket sikur me të vërtetë vallëzon nëpër livadhet dhe lëndinat e bukura dhe të pafundme shqiptare. Të befason zëri i ëmbël i Xhavit Xhepës tek kënga “Ja bilbili ligjëron” (Çelin lulet), një zë melodioz, i pjekur, i padëgjuar në ditët e sotme, një zë që ta mbush shpirtin plot kënaqësi dhe të mrekullon. Duetet Pjetër Gjergji dhe Anita Take vazhdojnë me këngët “Ndarja nuk na ndan” dhe “Të pres”, këngë karakteristike të tangos shqiptare, vepra të papërsëritura të Xhedikut.

Shekulli

No comments: