Thursday, October 17, 2013

Rob i vesit

Ptuh!
E urrej veten time. Paradoksale, por më duket se e urrej gjithçka që me kaq kënaqësi bëj, çdo ditë. E urrej atë që jam bërë. Urrej gjithçka me të cilën vras kohën, papjekurinë për të jetuar vetëm për të sotmen.
Nga dreqin mu ngjit si këpushë kjo papërgjegjshmëri që ndjek çdo ditë me korrektësi?!
Endërroj çdo ditë për një ditë të largët që do të jetë e bukur, e vizatuar sipas dëshirave të mia dhe pse akoma nuk e ndjej të jem përpjekur qoftë një çast, të luftoj për to.
A do të vijnë vetvetiu këto të mira,

që prej kohës me mungesën e tyre më kanë rrëmbyer harenë, optimizmin, energjinë?! E megjithatë njeriu duhet patjetër të gjej paqe me atë që do, me atë që është e kërkon nga vetja.
Jam rob i vesit, jam rob i qejfit, më duhet ta pranoj.
Çdo gjë që më pëlqen dua ta konsumoj pa fund. Nuk ngopem me atë që më pëlqen dhe nuk e gjej dot atë kufirin ku kënaqësia kthehet në abuzim.
Dhe meqenëse si çdo fajtor që kam aftësi të jashtëzakonshme për të gjetur justifikime, fajin për këtë ua kam hedhur prindërve, që duke na treguar gjithmonë ata se kur duhet ti jepnim fund një argëtimi, nuk na lanë të mësojmë kurrë ta gjenim vetë këtë kufi.
Abuzoj me gjumin, me regjimin, me pijen, me duhanin, me internetin, me lojërat e ndryshme e gjithçka tjetër më jep kënaqësi.
Nuk mundem ta imagjinoj dot një ditë të vetme pa kaluar kohë me një argëtim të caktuar. E kam kthyer si një dozë droge të domosdoshme. E kam plotësisht të pamundur të heq dorë nga kënaqësitë e të kthehem një kalë pune, i cili punon e sakrifikon për një ditë të largët, të sigurt e të mirë. Do doja, por nuk mundem.
Nuk e di pse, por më është krijuar ideja se njerëzit që punojnë kaq fort, duke sakrifikuar gjithçka nga jeta e tyre sociale, nuk i ka shtyrë në këtë vendim karakteri i tyre i fortë dhe ambicia, por fakti se ata nuk kanë ditur kurrë ta shijojnë jetën, ata nuk kanë patur kurrë një jetë të shëndetshme sociale. Nuk është e rastësishme që po këto njerëz pasi arrijnë të sigurojnë të ardhmen e tyre, me pasuri e mirëqenie, nuk dinë ta shijojnë atë. Nuk dinë të ndërtojnë marrëdhënie me vartësit e tyre. Madje as nuk e kuptojnë këtë mirëqenie që tashmë kanë dhe kënaqësia e tyre nis e mbyllet vetëm tek puna. Edhe kohën e lirë, e llogarisin si para që po i humbasin...
E padyshim që veset nuk mund të kapnin çdo njeri.
Sa njeri pa ndjenja duhet të jesh të heqësh dorë nga ajo kënaqësia që të dhuron ajo e mallkuara cigare? Të heqësh dorë nga dehja lozonjare e alkoolit? Të çohesh nga një tavolinë miqsh ku të gjithë po gajasen me lot, se u bë vonë dhe të nesërmen si çdo ditë, do duhet të zgjohesh në 5 të mëngjesit?
Si mund të jetosh pa e provuar njëherë adrenalinën e të fituarit një tufe të mëdha parash në kazino, për pesë minuta? Ose ti humbasësh të gjitha, po në ato pesë minuta?
Si mund të heqësh dorë nga një lojë futbolli me shokët? Apo nga një fundjavë me zgarë e birra në natyrë?
Jo, jo. Disa njerëz janë bërë për tu goditur nga veset, disa njerëz nuk e kuptojnë dot jetën pa vese. Nuk e kuptojnë dot jetën aq të përgjegjshme, aq të rregullt e të "mirë-kalkuluar".
Të gjithë nuk mund të jemi pasanikë, por as të gjithë nuk mund të jetojmë një jetë plot adrenalinë e aventura të papërsëritshme.

Nëse prindërit tuaj kanë kaluar një jetë të mrekullueshme, mos u bëni budallenj të prisni prej tyre edhe trashëgimi.


Në këtë jetë disa i duan paratë si mjet për të arritur kënaqësinë, disa të tjerë e ndjejnë kënaqësinë duke mbledhur paratë e këtyre më sipër.

Shkroi: Stop Injorancës !

No comments: