Thursday, October 3, 2013

Letër para Vetëvrasjes

Eshtë bërë e modës në vendin tonë të begatë njerëzit të vrasin veten, por para se të kryejnë aktin e fundit të jetës së tyre, disa prej tyre shkruajnë edhe nga një letër lamtumire njerëzve të tyre të afërm. Ndoshta edhe për të mos shkaktuar dyshime dhe që dikush tjetër të mund ti marrë autorësinë e veprës së tyre.
E kështu as unë nuk është se jam nisur nga ideja se kam shumë për të thënë, më tepër se nga fakti që të mos dyshohet autenticiteti i aktit tim të fundit dhe mos të ngrihen hipoteza të kota.

Po, unë do vras veten dhe këtë akt po e kryej i vetëm, me dëshirën dhe vullnetin tim të plotë.

SHKAKU I VETEVRASJES

Nuk janë borxhet.
Nuk kam më tepër se 3-4 milionë lekë të vjetra.

Nuk janë konfliktet në çift.
Mund të jem idiot që vret veten, por kurrë për një arsye kaq idiote.

Nuk është vetmia.
Jam gjithmonë i rrethuar prej njerëzish dhe vuaj prej kohësh për të gjetur pak vetmi. Por as nuk kam përjetuar ndonjë zhgënjim të madh prej shoqërisë. Kush është ai idiot që i vari ndonjëherë shpresat e veta tek ndihma që do të duhej ti jepnin shokët e tij.

Nuk është karakteri i dobët.
Dikush do të thotë se vetëm frikacakët që nuk ia mban të përballen me jetën, zgjedhin të largohen prej saj. Ju garantoj se do shumë karakter të fortë dhe guxim të marrësh jetën tënde. Dikush do thotë se egoistët ikin nga kjo botë pa menduar për të tjerët që lanë pas. Çdokush prej nesh është përgjegjës ekskluzivisht vetëm për jetën e tij.

Nuk është depresioni.
Po e ndërmarr këtë vendim në kthjellësi të plotë e madje duke buzëqeshur mes të tjerësh, si kurdoherë.

Nuk është moda.
Nuk e ndjek modën. Nuk jam as artist apo ndonjë personazh publik i famshëm, të cilit do ti lartësohej vepra pas vdekjes, e mes qindra fjalësh të mira.

Nuk është hakmarrje.
Edhe njeriut që do ti dhimbsesha më tepër, me shumë gjasa gjatë varrimit tim do ti shpëtonte ndonjë e qeshur dhe me siguri që kur të hanin atë drekën e zakonit, do ti mbaronin të gjitha pjatat një e nga një. Në fund të fundit jeta vazhdon. Askush nuk ka pse të shkatërrojë jetën e tij, për ikjen time, për zgjedhjen time. Lindim vetëm, pandehin se jetojmë me të tjerë e përsëri vetëm vdesim.

Po pse kam vendosur të vras veten atëherë?
T'iu them të drejtën nuk është se kam ndonjë arsye madhore që do kënaqte pikëpyetjet e ndokujt prej jush. Veçse prej vitesh kam kuptuar se kam humbur aftësinë për të ndjerë, për të përjetuar, për të reaguar, për të nxjerrë dhëmbët, duke u rrjeshtuar kështu në ushtrinë e miliona njerëzve që jetojnë inercisht dhe pse s'ndjehen të gjallë prej vitesh. Kjo është pikërisht edhe arsyeja pse si metodë vetëvrasjeje kam zgjedhur të hidhem nga kati i 9-të. Më kujtohet se kur isha i vogël dhe hidhesha prej lartësive të mëdha direkt e në ujë, trupin ma përshkruanin disa emocione që më kanë munguar gjatë gjithë jetës. Dakord, dikush mund të thoshte se këtë emocion mund ta riprovosh duke u hedhur përsëri në ujë e jo direkt e në beton, por ja që poshtë pallatit tim nuk ka asnjë pishinë.
Padyshim që nuk duket ndonjë arsye e fortë dhe ju paralajmërova që në fillim, por më thoni ju tani një arsye të fortë pse u dashka jetuar jeta?!
- Pse çdo vit në vendin tonë vrasin veten qindra njerëz, të rinj e të reja, burra në moshë madhore e gra me fëmijë?
- Pse askush prej nesh nuk ndodhet pranë tyre në çastin kur ata vendosin për aktin e vetëflijimit?
- Sa prej nesh, me ose pa vullnetin e tyre, ua kanë zbrazur jetën rregullisht këtyre fatkeqëve?
- Sa prej nesh i kanë tallur, j'ua kanë vrarë ëndrrat duke ua nxirë parreshtur jetën?
- Sa njerëz të tjerë si ne do duhet të vrasin veten, derisa ne të zgjohemi e të shikojmë në sy njëri-tjetrin?
- Sa të tjerë si ne duhet të zgjedhin këtë rrugë, derisa ne të kthehemi dhe ti japim një dorë njëri-tjetrit?

Për këtë jetë nuk mund të jemi të gjithë të zotë, apo fatlum për të jetuar mes luksit të pafund, por për dinjitet kemi të gjithë nevojë dhe ky dinjitet nuk kushton asnjë qindarkë nga portofoli juaj.

E mbani mend kur ishim fëmijë dhe luanim me njëri-tjetrin?
Ne jemi po ata fëmijë, por kemi harruar të luajmë, kemi harruar të jemi bashkë. Kemi harruar ta duam njëri-tjetrin.

Dhe unë për herë të parë në jetën tim dua të jem unë ai që vendos për të, sipas mënyrës time, duke shpresuar që dikush që do ta lexojë letrën time, nesër do të gjejë një ambjent më miqësor, një arsye më tepër për ta dashur jetën e për t'iu gëzuar agimeve.

Por ama edhe unë...

Kjo ishte letra e papërfunduar, e gjetur e zhubrosur në xhepin e xhaketës së një zotërie, i cili u gjend shtrirë në lulishten e një lokali, ku pas të shtënave mes dy grupesh rivale, u qëllua aksidentalisht nga një plumb qorr dhe ndërroi jetë, dje pasdite...

Shkroi: Stop Injorancës !

No comments: