Thursday, October 3, 2013

Po të mos kisha sedër...


Po të mos kisha sedër do ta kisha ngrënë atë gjellën e shijshme të komshijes, në shtëpinë e saj, ku i palëvizsshëm qëndroja në një cep të vogël të divanit.
Po të mos kisha sedër do tu kisha treguar prindërve për edukatoren plakë që më godiste në kopësht aq pa takt.
Po të mos kisha sedër do t'ia përplasja në fytyrë shokut tim që guxonte të tregonte në praninë time histori të përjetuara bashkë, aq ndryshe nga e vërteta.

Po të mos kisha sedër do kisha refuzuar në ditën e parë të shkollës të qëndroja në bangën e fundit, ku më vendosi mësuesja e fillores.
Po të mos kisha sedër nuk do skuqesha asnjëherë kur vihesha në qendër të vëmendjes.
E përsëri po të mos kisha këtë dreq sedre, nuk do prisja të martohej shoqja ime e bangës për të gjetur guximin ti tregoja sekretin më të madh të zemrës sime.
Sedra ishte pikërisht shkaktarja që dhjetra e dhjetra shance të jetës time kam preferuar ti humbas, për të mos prishur atë rehatinë e të qëndruarit në hije.
Sedra të mbyll gojën...
Sedra të bën të kesh keqardhje për tjetrin, më tepër sa ka ai për veten e ty bashkë. Sedra që do duhej të shtonte respektin, thyen pa mëshirë respektin karshi teje. Ose e thënë më trashë, sa më i mirë të jesh e të sillesh, aq më tepër sjellje harbute do të duhet të amortizosh.
Yyyy sa gjëra do të kisha bërë po të mos kisha sedrën. Kushedi sa njerëz të sjellshëm do mblidhja rreth vetes...
Po po, kjo sedër është autore e pjesës më të madhe të dështimeve të mia. Ajo qëndron gjithmonë me mua, herë e strukur e herë duke dalë me gjoks përpara. Nuk e di si lindi kjo bashkëjetesë e gjatë torturuese. Nuk e di nëse këtë sedër e krijova vetë për vetëmbrojtje, për vetëngushëllim, apo ma imponuan me anë të të edukimit, diktatit. Ajo që di me siguri është se sedra, e trajtuar përgjithsisht si virtyt, si tipar i një njeriu me norma e vlera, realisht bën reaksion me guximin.
Dhe sot në të gjitha disfatat e mia të suksessshme jam njëkohësisht dëshmitar se si pafytyrësia, moskokëçarja, të qenit harrakat dhe me mendjen "të dalë ku të dalë", gjithmonë del diku më mirë se sedra.
E megjithatë, mes meje e sedrës ekziston një marrëdhënie pasionante e përkryer, të cilën askush nuk mund ta rrezikojë dot.

Shkroi: Stop Injorancës!

No comments: