Thuhet
se ka disa momente në jetë, të cilat diktojnë drejtëpërdrejtë fatin e
jetës tuaj. Në rast se ju arrini të dilni triumfues dhe të kapni shancin
që çasti ju dhuron, jeta juaj ndryshon katërcipërisht.
Po
ashtu si ju edhe unë kam patur çastet e mia në jetë, të cilët nisur nga
faktorë të ndryshëm, kam arritur ti humbas me sukses.
Kur isha
në shkollë fillore kisha shumë qejf të vizatoja. Mund të them pa më të
voglën mëdyshje se mes moshatarëve të mi isha më i miri. U hap një kurs
pikture falas tek i cili u rregjistrova rrufe, bashkë me afro 40 fëmijë
të tjerë. Nuk kalon as muaji i dytë dhe profesori ynë i talentuar niset
për emigrim në Greqi dhe thuhej se ishte bërë një bojaxhi goxha i zoti.
Pas pikturës, u hap një kurs karateje. Pa kaluar shumë kohë u bëra
nxënësi i preferuar i profesorit që mbante rripin e zi. Nuk kishim marrë
ende rripin e tretë dhe profesorit tonë i del një punë e shkëlqyer si
truprojë në Angli.
Atëherë u rregjistrova me para-para-të-rinjtë e klubit të qytetit tim dhe zuri direkt vend në formacionin bazë të ekipit.
Gjatë gjithë fëmijërisë sime kisha luajtur si sulmues, por trajneri më
vendosi në fushën e madhe të gjelbër në pozicionin e qendërmbrojtësit,
meqenëse askush tjetër në ekipin tonë nuk e godiste dot topin nga porta,
më larg se zona 20 metërshe e mbrojtjes. Më pas kalova tek
Para-Të-Rinjtë dhe më pas edhe tek Të Rinjtë. Por trajneri nuk e di pse
më kishte halë në sy e madje jo vetëm që nuk më aktivizonte, por më
linte të bëja në stërvitje vetëm xhunglime. Aty me xhunglime, bashkë me
mua ishin edhe disa djem nga fshati që për hir të së vërtetës aty po
preknin top futbolli për herë të parë. Mllefi sa vinte e më shtohej.
Ishte koha kur prindërit nuk vinin ta kapnin për fyti trajnerin e ta
detyronin t'iu aktivizonte fëmijën. Fillova njëkohësisht të bije shumë
moralisht, sa fillova të dyshoj se realisht nuk dija të luaja. Mirëpo
ishte fakt se goditje të fortë e të saktë sa timen, nuk kishte askush në
ekip, e madje as qetësinë time me topin. E megjithatë pas disa muajsh
të gjatë të lënë në harresë nga trajnieri im, trajnieri i të rriturve që
më shikon në stol habitet dhe e pyet trajnierin tim, se pse nuk më
kishte aktivizuar. Trajnieri im aty më mëson emrin.
Pastaj ma dha
një shanc dhe më futi në lojë. Unë kisha gjithë ato muaj që shtrëngoja
veten me dhëmbë nga inati, por isha shumë i edukuar për t'ia kërkuar me
idhnim aktivizimin tim. Ky ishte çasti im. Më kapën emocionet sikur po
luaja për herë të parë në jetën time e madje në ndonjë ndeshje
kombëtare. Vendosem përsëri në mbrojtje, në pozicionin "stoper", ose
shqip bllokues.
Dikush nga ekipi kundërshtar godet një top predhë
drejt e për në portën tonë, top ndaj së cilit një futbollist i
çfarëdoshëm do kthente kurrizin të mbrohej, ndërsa unë në atë moment
nxjerr të gjithë mllefin tim dhe vendos ta kthej mbrapsh topin nga erdhi
me të njëjtën forcë. Topi më fshikëllin tek këpuca e majtë dhe duke
marrë një fallco të çuditshme, nis të bëjë një hark të plotë pas meje ku
ndodhej edhe porta, për t'u ndalur kështu në rrjetë. Portieri ynë
kishte shtangur. Dëgjohet ulërima e trajnierit tim i cili më nxjerr
fishek jashtë, pa mbushur as një minut nga aktivizimi im. Heq fanellën,
ia hedh tek këmbët dhe heq dorë përfundimisht nga futbolli.
Me disa
shokë të mitë të apasionuar pas muzikës, krijojmë një grup kërcimi
Hip-Hop dhe breckdance. Ishim të parët e të vetmit dhe jo pak herë na
kanë përfolur e paragjykuar për veshjet e gjera, vëthët apo stilimet e
flokëve, por ishte fakt se shumë shpejt u bëmë të famshëm dhe në ato
diskotekat me pasqyra dhe me neonë blu që shkëlqenin ngjyrat e bardha, i
linim të gjithë pa fjalë.
Duke qenë se të gjithë shokët e mi kishin
nga një dell muzikor, kush kishte bërë shkollë muzikë, kush kishte
prindërit artistë, kush njihte ndonjë instrument muzikor, i hymë
bashkarisht kursit të kitarës që jepej falas nga një institucion i
krishterë dhe krijuam kështu një grup muzikor. Nëse ju kujtohen "The
Dream", ku Flori këndonte refrenin "Prapë më del në ëndër si një
serenatë..", ne asokohe kishim përgatitur albimin tonë të parë. Dhe
pikërisht në çastin kur gjithçka po shkonte për mrekulli, kur kishim
aktivitet e ftesa nëpër koncerte nëpër qytete të ndryshme dhe kur puna
jonë po nxirrte fryte e po prodhonte para, fillojnë grindjet brenda
grupit, sa edhe sot e kësaj dite nuk flasim më me gojë.
Fundi i
këtij investimi disa vjeçar që na kishte marrë aq mund e kohë, erdhi në
të njëjtën kohë kur kishin filluar ethet e konkurimit për në
Universitet.
Ishte koha kur konkuronin 2000 studentë për 100 vende
të lira, kur ai që fitonte familja i organizonte një festë si të djalit
kur vinte nga ushtria. Ishte një investim kolosal për familjet tona të
thjeshta, të cilat gjysmat e shpenzimeve të tyre duhej ti ndanin për
fëmijën që e kishin student. E kështu, pa kaluar as 4 vite nga
Universiteti, filloi liberalizimi i arsimit, me Universitete në qytete
të tjera, apo edhe me dhjetra e dhjetra Universitete të tjera private.
Atëherë kur pritej se kjo diplomë do të hapte një shanc real punësimi,
diploma u kthye në një "kartë identiteti", që çdo i ri duhet ta kishte,
madje pse jo të kishin nga dy a tre të tilla.
Si përfundim edhe ky
investim kolosal për kohën kur u krye, u shumëzua me zero. Si fillim
refuzova një ofertë pune në një Drejtori Arsimore pasi asokohe rrogat
shtetërore ishin qesharake dhe kryeqyteti ofronte shumë mundësi joshëse.
Si përfundim pas disa tentativave me intervista pune, fillova punë
kamarier duke qenë se njihja 2 gjuhë të huaja dhe isha ekspert në
përdorimin e kopmjuterit. Më pas, me rritjen e ambicjes shitës ambulant
me fugon, (siç quhen sot Agjentët e Marketingut) dhe në fund përfundova
tek puna ku ndodhem, me qasje 8 orëshe në internet. Aty hapa një faqe në
Facebook, e cila kishte 50 mijë anëtarë (ndër ta 35 mijë aktivë) 2 vite
më parë dhe kjo faqe u vodh pak ditë para zgjedhjeve vendore, pikërisht
në çastin kur koha e shpenzuar sapo kishte nisur të jepte frytet e
veta. Ndoshta nuk do ju besohet, por shumë prej atyre që sot drejtojnë
faqet më të famshme shqiptare në Facebook, në faqen tonë kuptuan se
ç'ishte një faqe.
E megjithatë edhe tani pas kaq shumë vitesh
eksperiencë në internet vjen çasti kur duhet të shkëputem e të nis
gjithçka nga e para.
Po, është plotësisht e vërtetë që pothuajse asnjëherë nuk e kam kapur ÇASTIN e duhur, por kam shijuar gjithë çastet e tjerë.
Shkroi: Stop Injorancës !
No comments:
Post a Comment