Thursday, October 3, 2013

“Ç'do të thotë të jesh moderne?

Ose me saktë, të mos shijosh muzikën e vendit tënd?

Se kam dëgjuar shpesh edhe këngëtare që e këndojnë me dëshirë një këngë botërore, por me përtesë një këngë shqiptare.

Ose ndodh shumë që edhe në konkurset e shumta muzikore, të ketë më shumë këngë të huaja e shumë pak shqiptare. Këtë mendësi, e kam dëgjuar edhe nga ata që e vetëquajnë veten Elitë e vendit. I kam dëgjuar në biseda televizive të thonë se janë qytetarë të botës. E vërtetë shumë. Ashtu ndihem edhe unë, qytetare e botës, në çdo aspekt. Por, përpara se unë të njoh komshiun, ose gjitonin tim, duhet të di kush është babai im.
Nuk mundet kurrsesi të duash e të respektosh komshiun, kur ti përbuz familjen tënde.
Dhe kjo gjë ndodh rëndom tek Elita jonë. E shohin të qënurit shqiptar, barrë të rëndë. Të jesh qytetar i botës, duhet të jesh njëherë anëtar i familjes tënde, i lagjes, i qytetit, vendit tënd. I them këto sepse shpesh gjendem përballë edhe muzikantëve e këngëtarëve që kujtojnë se po këndove vetëm muzikë të huaj, ashtu bëhesh moderne, ashtu quhesh Elitar.
Dua të këndoj në shumë gjuhë të botës, pse jo të kem mundësi të kendoj repertorin më të bukur botëror? Por, s'kam se si, nqs nuk këndoj një herë atë këngë që më ka tingëlluar në shpirt qysh fëmijë. Edhe nuk kam turp të them se nga vij, e ku ka lindur e jam rritur. Atë gjë nuk e zgjedh unë. Ashtu e vendos Zoti. Të lindësh në fshat apo qytet, në Shqiperi , a diku tjetër në botë, përsëri se vendos dot ti (se maternitetin mund ta gjesh ku të duash me këto ditë që kanë ardhur, por prindërit nuk i ndryshon dot).
Populli i thjeshtë e do veten e vetë. Elitaret mesa duket jo.

5-6 vjet më parë, unë sapo isha kthyer nga USA dhe për ato 2 javë që isha, doja të dilja, të shijoja diçka me shoqërinë. Këndonte këngëtari, këndoi disa këngë të huaja, pastaj nisi disa këngë shumë të njohura shqiptare, rock, pop. Dhe mbasi mbaron,vjen të më takojë. Dhe më thotë si i turpëruar, ‘eh, ja na duhet të këndojmë edhe disa nga këto shqiptaret, s'kemi ç'bëjmë’. Unë u çmenda. Nuk e kam harruar atë fjali dhe e keqja është se vazhdojnë akoma me këtë mendësi. Të shprehesh ashtu, do të thotë që ti nuk do veten.
Po ja psh, më ftojnë mua të këndoj në ndonjë program televiziv. Dhe ata më ftojnë mua, por duan që unë të këndoj një këngë të huaj. Absurdeeee. E turpshme.
Nqs une do të kem një program prej 10 këngësh, po, patjetër, do të këndoj edhe të huaja, sepse janë shumë të bukura dhe s'ka asgjë të keqe. Por ti, si program, me fton mua të këndoj një ose dy këngë dhe megjithëse unë kam këngët e mia, me të cilat e krijova edhe karrieren, këngë me të cilat krijova lidhjen me publikun, ata paturpesisht më kanë kërkuar të këndoj diçka të huaj, përpara se të këndoj këngët e mia. E kam quajtur fyerje. Dhe përgjigjen ja u kam dhënë siç e kanë merituar”.
Aurela Gace


No comments: