Thursday, October 3, 2013

Ritualet mortore sot

Para pak ditësh mora pjesë në një mort, diku në një qytet të Shqipërisë së mesme.

Ajo që më bëri realisht përshtypje ishte fakti se në varreza shkuan vetëm burrat. Sapo arkivoli i të ndjerit u vendos mbi një beton të posaçëm, fjalën e mori hoxha ku në pikë të vapës mbajti një fjalim afro 20 minuta me tona të larta propoganduese mbi agjërimin. Dhe e gjitha kjo, duke shfrytëzuar një fatkeqësi. Më pas e morën arkivolin e ngritën 3 herë lart dhe e nisën drejt varrit. Pasi familjarë, miq e të afërm hodhën nga një dorë dhe mbi të, hoxha ndërhyn përsëri dhe i fton të gjithë ti mbanin duart në një formë të hapur përballë njëra-tjetrës, siç i mbajmë për shembull kur duam të themi "Hë, çfarë ka"?
Aty pastaj ia nisi një recitimi në arabisht edhe kjo jo më pak se 15 minuta. Sigurisht që aty arabisht nuk dinte askush dhe me aq sa arrita të kuptoja edhe vetë hoxha nuk është se e dinte ujë, se shpeshherë i ngesnin fjalët nëpër gojë e shpeshherë dukej sikur fliste ç'ti vinte nëpër mend.
Nuk e ndërpreu këndimin e tij edhe pse zilja e celularit me një melodi shumë "perëndimore" nuk pushoi për asnjë moment. Me siguri mund të ketë qenë ndonjë klient tjetër...

Prisja ndonjë nekrologji të lexuar mbi jetën e të ndjerit, por më kot. Varrimi u mbyll me fjalët e Hoxhës, që askush nuk i kuptoi se ç'ishin.

Më pas hoxhës i duhej një automjet për ta kthyer në shtëpi dhe kështu e mora përsipër, sigurisht pa i kërkuar para për shërbimin. Fundja po e çoja në shtëpi, jo në parajsë...

Në bisedë e sipër e pyes se pse nuk kishte gra në varrim. A nuk e kanë edhe ato njeriun e tyre, të ndjerin?
Nuk e lejon hoxha - ma ktheu. Ti, dmth, e pse kështu ?- e pyes sërish. A nuk i pe ?! - më thotë. Gjysmat i kishin nxjerrë shalët jashtë.

Tani po mendoja me veten time se përse ditën e varrimit u dashka një ndërmjetës mes Perëndisë e të vdekurit, që Perëndia ta pranojë shpirtin e tij?
Jo për gjë, por i ndjeri 20 minuta para se të jepte shpirt u fal vetë sepse ishte besimtar. E megjithatë, hoxha këtë shërbim nuk e bën kurrsesi kështu thjeshtë vetëm për Perëndinë apo të ndjerin. Ai fut paratë në xhep. Dikur kishte qenë marangoz, por ja që ndërrimi i sistemit ia dha lirinë që ai të merrte një zanat më fitimprurës.

Ndokush do thotë "Po ty ç'të duhet, muslimanët kanë traditat e tyre", se dihet tashmë reagimi i atyre me "konflikt interesi", por më e forta është se pas varrimit, të gjithë të pranishmit "muslimanë", në kohë agjërimi, u mblodhën për një drekë të shtruar nga familja në nder të të ndjerit...


No comments: