Ngjarja ka ndodhur në piramidën 1920, pranë liqenit të Prespës, në orën 00:45, kur patrulla e policisë që merrej me kontrollin e peshkimit të paligjshëm, ushtroi një patrullim, pasi kishte informacion se ishin vjedhur rrjetat e peshkatarëve në liqen.
Patrulla e la automjetin në rrugë dhe përshkoi në këmbë për rreth 30 minuta, derisa vuri re një kasolle rreth 2 km larg liqenit të Prespës, kasolle që shpesh sipas policisë, përdoret nga trafikantët e emigrantëve të paligjshëm apo trafikantët e drogës.
Dy nga policët shkuan për të kontrolluar kasollen, ndërsa i treti qëndroi më pas, për t’iu mbuluar atyre krahët.
Kur u afruan, policët kanë bërtitur në gjuhën shqipe “Policia, policia!”, ndërsa një nga shqiptarët ka hapur zjarr me kallashnikov.
Plumbat kanë plagosur policin 43 vjecar Ilia Kosteni dhe pas kësaj polici tretë që ndodhej jashtë kasolles hapi zjarr mbi njërin nga shqiptarët duke e plagosur per vdekje. Tjetri mori armën e të vëllait dhe vijoi të qëllojë mbi policinë, por nga shkëmbimi i zjarrit edhe ai mbeti i vdekur.
Sipas mediave greke që i referohen informacioneve të policisë, gjithcka ndodhi në rreth 2 minuta, ndërkohë që temperatura në zonë ishte -15 gradë celcius.
Polici i plagosur nuk iu mbijetoi dot plagëve dhe vdiq rrugës për tek makina e patrullës së policisë, e cila ishte larg zonës ku ndodhi ngjarja.
Në foto polici grek i vrarë, Ilia Kosteni
Nga kontrolli në kasolle nuk u gjet drogë apo armë dhe hetimet përqëndrohen në faktin që shqiptarët kishin hyrë në tokën greke për peshkim të paligjshëm në liqenin e Prespës.
Presidenti i Federatës Panhelenike të rojeve kufitare tha për gazetën “To Vima”, se përgjegjësia per këtë ngjarje të rëndë është e drejtimit politik të policisë greke. Sipas tij, prej dy vjetësh është kërkuar përforcimi i shërbimeve kufitare. Ai shtoi se në qoftë se do të kishte patur staf në operacionin e kërkimit të trafikantëve duhet të ishin 10 dhe jo tre policë, gjë që mund të shmangte humbjet e jetëve.
Vetëm pak orë pas ngjarjes policia e Korcës, bëri të ditur se viktimat janë vëllezërit Melsi dhe Elvis Çollaku nga fshati Shuec i Devollit, ndërkohë që viktimat nuk kishin asnjë mjet identifikimi me vete.
(a.n/Balkanweb)
No comments:
Post a Comment