Flasim dhe vetëm flasim.
Dhe pastaj fjalët i merr era, sepse sado të rënda, sado prekëse, sado goditëse, megjithatë ato janë vetëm fjalë. Atëherë kur fjalët ngelin vetëm fjalë, do të thotë se ato janë hije e zbehtë e çfarëdo mendimi, synimi apo revolte që i ka nxitur. Prandaj nuk duhet habitur pse pakkush ato i merr seriozisht, sepse sot as fëmijët nuk tremben më nga hijet.
Çfarë ndodhë me ata që tërë kohën vetëm flasin për gjërat që i mundojnë?
Pas një kohe, pa asnjë konsideratë dhe shumë troç, akuzohen se tërë kohën po i përsërisin gjërat e njëjta. Kjo është një mënyrë e butë për t'ju thënë se janë bërë të mërzitshëm, ndërsa ankesat e tyre janë diçka bajate. Po aq sa është komike, në të vërtetë, ky zhvillim është diçka shumë e trishtë. Pavarësisht dhembjes, telasheve, vështirësive dhe të tjera që ta trazojnë jetën, për ironi dhe pa e vënë re, e gjen veten në një situatë ku duhet të turpërohesh për atë se vazhdimisht je duke u shprehur për gjërat që të trazojnë. Kësaj i thonë: Në hall të durosh dhe në hall të flasësh.
Nuk ia vlen ta bëjmë pyetjen "Pse ndodhë kështu?", sepse kjo është një nga ato pyetjet përgjigjen e të cilës e dimë të gjithë. E vërteta është se problemet tona, pavarësisht fjalëve që përdoren sot, që janë përdorur dje dhe që do të përdoren nesër, në thelb janë përherë të njëjta. Kjo është arsyeja pse, pavarësisht elokuencës, tonit, revoltës apo çfarëdo tjetër, në fund, ato gjithnjë tingëllojnë thuajse përherë po përsëriten. Prandaj, ata që janë mbi ne, të gjithëpushtetshmit që e shohin veten patricë të kohëve të reja, shpejt mërziten dhe, ndonjëherë, nuk ngurrojnë edhe ta shprehin pështirosjen. Nëse ndalesh dhe mendon më thellë është lehtësisht e kuptueshme se, në të vërtetë, ata po pështirosen nga hallet tona.
Patricët e kohëve të reja: klasa politike, që për njerëzit kujtohet vetëm para zgjedhjeve; biznesmenët e pasuruar shpejt, që besojnë se paraja u jep pushtet edhe mbi dinjitetin dhe jetën e të tjerëve; analistët mediokër, që veten e shohin elitë, ndërkaq për jetën tonë flasin thuajse ne jemi jashtëtokësorë; ndihen të sigurt. Siguria e tyre fuqizohet nga bindja se ata që tërë kohën vetëm flasin, pavarësisht çfarë ndodhë, gjithnjë do të vazhdojnë vetëm të flasin dhe me kohën do të heshtin. Madje, kjo ndjenjë e sigurisë, ua jep komoditetin që të kundër-ankohen për ankesat e vazhdueshme dhe, me fuqinë e injorimit dhe pështirosjes, të na detyrojnë ta zbehim edhe tonin e ankesës.
Kështu, fjalët e se djeshmes zëvendësohen me ato të sotshmes, këto të sotshmes do të zëvendësohen me ato të së nesërmes dhe, pavarësisht sa me kujdes t'i zgjedhim fjalët, problemet vazhdojnë të jenë të njëjta. Ironia është se edhe ata, drejt kujt drejtohemi për zgjidhje, vazhdojnë të jenë po të njëjtit që përherë shtirren thuajse po na dëgjojnë. Në të vërtetë, këta janë po ata që edhe dje janë mërzitur nga fjalët tona dhe që do të vazhdojnë të mërziten edhe nesër. Mërzinë e tyre me ne, nuk do të ngurrojnë të na shprehin kohë pas kohe, ndërkaq, atëherë kur nuk i shohim, në mes vete, do ta shprehin edhe pështirosjen e tyre. Mos u habit, sepse në botën e patricëve të kohëve të reja, hallet tona janë gjëra të shpifura.
Nuk besoj në atë se në shekullin 21 ka ngelur hapësirë për revolucione, sepse, pavarësisht mllefit që mund ta ndiejmë, bota nuk mund të rikrijohet vazhdimisht nga fillimi. Revolucionet e hallexhinjve rrallëherë i kanë zgjidhur problemet e atyre që janë ngritur në revolucion, por vetëm e kanë krijuar një brez të rinj të patricëve. Ndonjëherë edhe më mizor se ata para tyre. Por kjo nuk do të thotë se duhet të dekurajohemi dhe të heqim dorë. Përkundrazi, duhet ta bëjmë atë që më së shumti i bezdis dhe i mërzit patricët tanë të kohëve të reja. Nuk duhet të heshtim! Duhet të flasim dhe të vazhdojmë të flasim për gjërat e njëjta, ato që në realitet edhe na zënë frymën, derisa t'i shurdhojmë aq shumë saqë do të detyrohen të na marrin seriozisht.
Ky shkrim është dedikim për vendosmërinë dhe syçeltësinë e të gjithë atyre grupeve qytetare që nuk heqin dorë nga qëllimi për t'i vetëdijesuar të përgjumurit. Një heqje e kapelës për "Thirrjet e nënave", që me vendosmërinë e tyre në Gjakovë i treguan botës se krimet nuk guxojnë të harrohen; për të rinjtë nga REAGO dhe të tjerë përreth tyre, që, me vendosmërinë e tyre, e bashkuan Shqipërinë përtej dallimeve partiake; për gratë e guximshme nga "Në dobi të gruas shqiptare", që vazhdimisht na përkujtojnë për qyqarllëkun e disa prej burrave shqiptarë, për vizionarët e MJAFT dhe shumë të tjerë të ngjashëm, që vazhdimisht i përsëritin të njëjtat gjëra. Një himn për ta, në mënyrë që mos të heqin dorë dhe të vazhdojnë të na shurdhojnë.
Fjalët tona nuk guxon t'i merr era.
Nga: Albatros Rexhaj
No comments:
Post a Comment