Friday, March 28, 2014

Sipas teje, deri kur?!

Sipas moshës, ata ishin të dy shumë të rinj.
Sipas të dhënave djali ishte 24 vjeç dhe vajza diçka më pak.
Sipas vajzës, ai ishte çun mamaje që dëgjonte prindërit.
Sipas djalit, ajo nuk i donte prindërit e tij.
Sipas prindërve të djalit, ajo duhet të zgjidhte të jetonte me prindërit e djalit, ose të rikthehej të jetonte me prindërit e saj.
Sipas babait të vajzës, krushqit për prishjen e martesës meritonin të rriheshin.
Sipas nënës së vajzës, ata meritonin edhe plumbat e kallashit.


Dhe sipas gjasave kështu ndodhi.
Sipas hetimeve të Policisë, një divorc 2 javë para dasmës, përfundoi me vrasjen e krushkut si dhe plagosjen e dhëndrit dhe të një kalimtareje të rastit.

Sipas qytetarëve, kjo është kafshëri.
Sipas kafshëve, këto janë punë njerëzish.


Sipas shqiptaro-fobëve, këto janë vepra shqiptarësh.
Sipas gazetave, këto janë ngjarje interesante.
Sipas politikanëve, këto janë fajet e kundërshtarit.
Sipas ushtarakëve, këto janë pasojat e pajisjes së qytetarëve me armë, pas rënies së shtetit në vitin 1997.
Sipas sociologëve këto tregojnë dramën e familjes shqiptare.
Sipas ekonomistëve, këto janë efektet e krizës ekonomike.
Sipas arsimtarëve, këto janë efektet e mungesës së dijes e kulturës.
Sipas kohës, dramat e tragjeditë shqiptare përbëjnë ngjarje të rëndomta.

Sipas teje, deri kur?!

Shkroi: Stop Injorancës !

No comments: