Friday, March 28, 2014

Pse themi që Tirana është 400-vjeçare

Për 400-vjetorin e themelimit të Tiranës së sotme, ashtu si për historinë e saj, nga antikiteti e deri në vitin 1945, kam shkruar mjaft artikuj, kam dhënë disa intervista dhe kam botuar së fundi një libër. Mirëpo, vërej se në mënyrë të përsëritur, në mediat vizive dhe të shkruara, personazhe që s’kanë ndonjë kontribut të përmendur në qartësimin e historisë së qytetit, pretendojnë se qyteti i Tiranës këtë vit nuk mbush 400 vjeç, se ai është shumë më i moçëm, se po mohohet lashtësia, etj.
Po çfarë thonë?

Të gjithë rizbuluesit përmendin mozaikun (d. m.th. mbetjet e Bazilikës që ndodhet në rrugën “Naim Frashëri”), pastaj kalojnë te gjetjet arkeologjike, na kujtojnë dioskurët, kalanë e Dorëzit etj. Më tutje citojnë Barlecin, i cili përmend disa herë Tiranën e madhe dhe të vogël te “Historia e Skënderbeut”, “Memoriet” e Gjon Muzakës, etj. Pra, Tirana, me këto gjetje arkeologjike, me këto “dokumente”, si mund të themelohet nga një “pasha turk”, Sulejman pashë Bargjini, më 1614?
Dhe në përfundim shtrojnë detyra se duhen shkruar libra, etj., se Tirana është kryeqendra e shqiptarëve. Mirëpo, ignoriantia non est argumentum. Dhe kjo ndodh edhe në fusha të tjera të mediave të shkruara dhe elektronike, kur njerëz të ndryshëm marrin përsipër të jenë specialistë për gjithshka. Por, a është Tirana qytet antik, apo qytet 400-vjeçar? Le ta marrim me radhë:
Hartat
Mëtuesit e qytetit të lashtë, pavarësisht se nuk guxojnë të përmendin ekzaktësisht ndonjë shekull të themelimit, (sepse s’dinë gjë dhe flasin me hamendje) së paku, duhet të na tregojnë apo citojnë ndonjë hartë antike, që ka të shënuar Tiranën si qytet, si fshat, apo thjesht si vendbanim. Mirëpo, Tirana nuk figuron as në hartat antike dhe as në hartën e viteve 1431-‘32 të sanxhakut Arvanid, të botuar nga albanologu Halil Inalçik. Tirana figuron e shënuar në hartë për herë të parë, në formën Terrana, në vitin 1669, në hartën e botuar nga Giacomo Cantelli. Pra, vetëm pasi qyteti i sotëm u themelua nga Sulejman pashë Bargjini (Mulleti).
Treva apo qyteti?
Pseudoargumenti tjetër për “lashtësinë” e qytetit të sotëm është: Tirana përmendet më herët se viti 1614 nga Barleci, Muzaka, Biemmi, etj., pra si pasojë ishte qytet prej kohe. Ky pohim s’ka lidhje me logjikën. Asnjë nga autorët e sipërpërmendur (por edhe të tjerë) nuk ka shkruar se Tirana asokohe ishte qytet. Përkundrazi, ambasadori venedikas Lorenco de Bernardo, në vitin 1591 shkroi se “kaluam në fushën e madhe dhe të famshme të Skënderbeut që quhet Tiranë”; por jo në qytetin e Tiranës. Këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur: Ky është një rast i përsëritur anekënd botës, kur qyteti duke u themeluar më vonë, merr emrin e trevës.
Por, kur përmendet për herë të parë Tirana, (si territor) në dokumente? Kjo ka ndodhur në vitin 1372 në aktet përpiluara nga noteri Vasallo në Venedik (K. Frashëri, Historia e Tiranës, 2004, f.60). E si qenka atëherë Tirana e sotme qytet 2.000-vjeçar? Po ashtu në regjistrin sanxhakut Arvanid të viteve 1431-32, Tirana nuk është shënuar as si fshat, sepse nuk ekzistonte si vendbanim, (H. Inalçik, Ankara, 1954).
Banorët
Të pretendosh se qyteti i sotëm i Tiranës është njëmijë apo dymijë-vjeçar, kjo duhet dëshmuar, (ndër të tjera), edhe me statistika të popullsisë dhe me banorët, që në raste të tjera nuk mungojnë, qoftë me përafërsi. Kurse për Tiranën nuk ka, sepse vendbanimi nuk ekzistonte. Nga ana tjetër, asnjë familje e vjetër tiranase nuk pretendon më shumë se 400 vjet autoktoni. Vetë mbiemrat Petrela, Kusi, Mëniku, Vaqari, Preza, Farka, etj., etj., tregojnë se këto familje dhe banorë kanë ardhur nga këto qendra të banuara, të cilat janë më të hershme se qyteti i sotëm i Tiranës. Kjo është e provuar njëkohësisht me dokumente dhe me hartat e kohës.
Albanologët dhe historianët
Cilët autorë kanë pretenduar se qyteti i sotëm i Tiranës u themelua në vitin 1614 nga Sulejman pashë Bargjini (Mulleti), kur ky ndërtoi Xhaminë e Vjetër? Këtë e ka shkruar, së pari, konsulli austriak Johann Georg von Hahn, në vitin 1854, në veprën “Studime shqiptare” (Albanesische Studien). Albanologu i shquar me këtë rast na ka treguar se në fushën ku sot ngrihet qyteti kishte vetëm 15 shtëpi (f.86). Këtë fakt e kanë pohuar më pas Hyacinthe Hecquard më 1858 dhe albanologu tjetër francez August Degrand në librin “Suvenirs de la Haute-Albanie”, Paris, 1901, (në botimin shqip: ‘Kujtime nga Shqipëria e epërme’).
Sami Frashëri tek e famshmja Kamus al-alam (Dictionnaire universel d’histoire et de geographie, Constantinople, 1893) bëri për herë të parë saktësisht konvertimin e vitit 1023 hixhri (sipas kalendarit islam) në vitin 1614 (sipas kalendarit Gregorian); vit që lidhet me ndërtimin e Xhamisë së Vjetër nga Sulejman pashë Bargjini (Mulleti). Shumë autorë shqiptarë të paraluftës shkruan afërsisht të njëjtat gjëra, por më i shquari ndër ta ishte Osman Myderizi, i cili më 1937 përgatiti një histori të shkurtër të qytetit. Historiani Kristo Frashëri, në vitin 1964, shkruante një artikull tek revista “Ylli”, “Tirana 350-vjeçare”, pikërisht kur Tirana mbushi 350 vjet. Punime të tjera të Frashërit dhe libri i tij “Historia e Tiranës”, botuar më 2004 thonë të njëjtën gjë.
Gjetjet arkeologjike
Megjithatë, mohuesit e qytetit 400-vjeçar kapen pas Bazilikës, dioskurëve dhe gjetjeve të tjera arkeologjike, kalasë së Dorëzit. Harrojnë të përmendin ose nuk i dinë, 10 kala të tjera që gjenden në trevën e Tiranës, si për shembull kalanë e Persqopit që daton shekujt IV-III para Krishtit, e cila me shumë gjasë ashtu si Dorëzi, kanë qenë qytete ilire. Por, nuk kuptojnë se kalatë, bazilika, kisha e Brrarit dhe gjetjet e tjera arkeologjike nuk kanë lidhje me qytetin e sotëm, se themelimi i qytetit të sotëm është një akt më vete dhe jo vazhdim i ndonjë qyteti të lashtë. Themelimi i qytetit të sotëm ndodhi në një kuadër të caktuar historik, të ringjalljes dhe ripërtëritjes së jetës ekonomike në trevat arbërore, pikërisht në një udhëkryq të rëndësishëm fushor karvanesh nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug, në një kohë që luftërat ndaj osmanëve ishin fashitur.
SULEJMAN PASHA
Një mëri e çuditshme vërehet ndaj legjendës së themelimit të Tiranës së sotme dhe sidomos ndaj themeluesit Sulejman pashë Bargjinit (Mulleti), duke mos munguar epitetet e rastit. Ky i fundit, more zotërinj ka qenë një shqiptar, që në periudhën e errët të sundimit osman, themeloi një qytet dhe kjo njihet si meritë e tij nga të gjithë albanologët e mëdhenj. Natyrisht, formimi i një qyteti është një proces dhe nuk mund të thuhet se me ndërtimin e një xhamie, furre dhe hamami u ndërtua qyteti. Por, e gjitha kjo është njohur dhe është pranuar në kuptimin simbolik. Xhamia Vjetër (apo Xhamia e Sulejman Pashës) ka qenë objekti më i fotografuar dhe më i rëndësishëm i qytetit në Tiranën e paraluftës derisa u rrafshua në vitin 1945.
Legjenda e themelimit të Tiranës është nga më interesantet, që hasim ndër gojëdhënat popullore. Ajo ka pjesën e vërtetë dhe pjesën e sajuar, si çdo legjendë. Pjesa që flet për ndërtimin e Xhamisë së Vjetër, të furrës, të hamamit dhe varrimin e Sulejman Pashës në Tiranë është e vërtetë dhe e dokumentuar. Pjesa që thotë se themeluesi i qytetit i vuri edhe emrin atij nuk është e vërtetë, sepse (siç thamë) emri i trevës përmendet që në vitin 1372. Po, për etimologjinë e emrit të qytetit dhe për historinë e Tiranës, unë kam shkruar gjerësisht në librin “Tirana e Vjetër, Një histori e ilustruar”, botuar në vitin 2013, prandaj nuk po zgjatem.
Në vend të konkluzionit
Të thuash se qyteti i Tiranës është 2.000-vjeçar është po aq absurde (në krah të kundërt), sa të thuash (siç pohonte një gazetar në një media vizive) se deri para 80 vitesh, Tirana ishte fshat. Qyteti i sotëm i Tiranës u themelua më 1614, u njoh si qytet rreth vitit 1661 dhe u bë qyteti tretë nga popullsia në Shqipëri, në kohën që u shpall kryeqytet, më 1920.

Nga: GAZMEND A.BAKIU
Balkanweb

No comments: