Friday, March 28, 2014

Filloi?

Pas shumë e shumë diskutimeve të gjata, të flakta, të ashpra, me tone banale apo kërcënuese nëpër të gjitha arenat virtuale, fatkeqësisht konflikti duket se po rrëshket atje në terren, në realitetin tonë të përditshëm.

Eshtë një konflikt që nuk ka qenë kurrë traditë e shqiptarit, të cilit nuk i është dashur feja për ta dalluar prej të tjerëve.
Nuk është traditë e shqiptarit që gjithmonë e ka përdorur fenë si gunë për t'u mbrojtur, apo siç thotë në kujtim e saj Edit Durham pasi viziton Ballkanin e mbërrin në Shqipëri: "Më në fund shpëtova nga njerëzit Zotkrijues".

Kështu ia arriti shqiptari, i cili për hir të së vërtetës nuk shquhet për tolerancë, të jetë shembulli botëror i tolerancës fetare, pikërisht duke mos qenë fetar, duke mos e trajtuar fenë më seriozisht sesa një festë më tepër.
Dhe kjo është arsyeja pse aq lehtë shqiptari hiqte dorë nga feja e tij, sepse pragmatizmit të shqiptarit, ajo nuk i vlente asgjë.
Kështu hoqi dorë nga Krishtërimi, kështu hoqi dorë edhe nga islami.
Sepse kurrë feja nuk ka arritur të depërtojë në botëkuptimin e pasur e të lashtë të shqiptarit.
Kështu madje shqiptari nuk e kishte fare problem që të ndalonte edhe vetë fenë, siç nuk na ndodhur në asnjë vend në botë. Shqiptari ka besuar në Zot, apo në shumë Zota, por jo në përfaqësuesit e tij të vetëshpallur këtu në tokë.
Kjo ndikuar edhe prej faktit se dogmat fetare kanë ardhur tek shqiptari për ti tjetërsuar gjuhën, traditat, ritet, zakonet, emrat, folklorin.
Pasuri të cilat shqiptari i ka trashëguar shumë më të pasura e të vyera nga e kaluara e tij.

Por fill pas viteve 90' në Shqipëri vërshuan qindra e qindra misione të ndryshme fetare, që shqiptari i varfër e mikpritës, ua hapi krahët dhe i pranoi me bujari.
E kështu dalëngadalë, shtyrë nga urrejta për sistemin e kaluar, ndihmuar nga mungesa e shtetit, nxitur nga varfëria, nga indiferenca apo në disa raste edhe padija, shqiptari i pas viteve 90' filloi një indoktrinim masiv.

Shqipëria Ateiste e pas viteve 90' ishte një tokë e virgjër, për plot 245 grupe organizatash dhe fondacionesh fetare (34 organizata islamike dhe 189 organizata protestante) të cilët të etur e vaditën tej për tej.

Dhe sot pas 2 dekadash kanë nisur të lulëzojnë frutat e para, për të sjellë atë që kemi parë se ekziston në të gjithë botën, urrejtjen fetare, ndarjen, përçarjen, sulmet e dhunshme, terrorizmin.

Dhe fajtorë për këtë situatë janë fillimisht politikanët, që duke ngritur plot hipokrizi Kupën e Tolerancës, lejuan një indoktrinim të dhunshëm të shoqërisë shqiptare.
Janë mediat që kurrë nuk guxuan ta ngrenë si shqetësim që po preken figurat kombëtare, që po përbalten rilindasit, që po indoktrinohen fëmijët, që po abuzohet në emër të ndihmës edhe pse plot dëshirë televizionet e radoit jepnin papushim dokumentarë propogandues, që binin plotësisht ndesh me dijen që marrin fëmijët në shkolla.
Fajtorë janë gjithashtu ata besimtarë tradicionalë (nuk ekziston si term, por nënkupton besimtarin shqiptar për sy e faqe), të cilët kanë justifikuar në emrin e besimit në Zot, çdo ekstremizëm e devijim të shfaqur, apo edhe më keq, zgjidhnin të heshtnin.

Nesër, ditën e premte të 14 Marsit, të një feste pagane tashme të ringjallur si traditë e zyrtarizuar në të gjithë Shqipërinë, në Ditën E Verës (Rilindjes së Natyrës) disa qindra apo dhe mijëra qytetarë shqiptarë që mallkojnë Qeverinë shqiptare dhe nuk ua bën syri tërr as për Policinë, janë të gatshëm e të motivuar për të dalë në Protestë kundra arrestimit të një imami, i cili akuzohet që ka dërguar mbi 50 shqiptarë të luftojnë në Siri dhe ka bërë thirrje për një Shtet Islamik dhe Ligjin e Sharias.

Urojmë që edhe kësaj here pragmatizmi shqiptar të fitojë, por mjaft me indiferencë. Një ditë mund të jetë vërtetë vonë.

Shkroi: Stop Injorancës !

No comments: