E para: Anarkia fetare:
Katër fe të ndryshme, që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.
E dyta: Anarkia sociale: Këtu s’ka as klasë bejleresh, as klasë bujqësh, as klasë burzhuazie. Këtu bujku është me bej se beu dhe beu me bujk se bujku.
Kemi një shembull të bukur për partinë popullore, e cila sot mbahet në fuqi prej bejlereve nga oxhakët me te vjeter, kurse anetarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve.
E treta: Anarkia morale:
Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojne formë e ngjyrë nga dita në dite si në kaleidoskop. Këtu ambicjet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për te gjitha.
E katërta: Anarkia patriotike:
Këtu brenda një dite si për magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapërdisen si patriot të mëdhenj ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqiperinë e Mesme ose që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar te shenjterojnë anë e mbanë Toskerinë. Këtu si më thoshte një mik është më mirë qe njëriu të jetë tradhëtar e të shikojë
interesat e tij sepse kështu do te jetë i sigurtë që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.
E pesta: Anarkia e idealeve:
Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit të Buhares përfyten e përleshen për jetë a vdekje me idealet e gjalla, me elegantë e më të ndritshme të Perëndimit. Na mungojnë vetem idealet e antropofageve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofaget, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten ne plagët e infektuara të Shqiperisë në lengim, këpusha që mund t’i copëtosh, por jo t’i cqitesh nga trupi qe kafshojne dhe thëthijnë. Herodi tregon se në betejën navale te Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë e atëherë e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atëherë e kapi me dhëmbë e s’e lëshoi gjersa i prenë kokën.
Sikur të ngjallej Herodi, përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetersisë antike. Qe t’i çqitesh këta tanët nga kolltuku duhet t’i presësh jo vetëm duart e kokën, por edhe këmbët dhe trupin.
Fan Noli
No comments:
Post a Comment