Çfarë mund t'u themi prindërve tanë të mirë?!
Ëndrrat e tyre të vjetra dhe të reja janë dy paralele në udhëkryq. Çfarë mund t'i thuhet një 60-vjeçari që ka punuar mbi 40 vjet dhe sot si shpërblim gjen emrin në një listë varur në murin e ftohtë të ndërmarrjes, pas derës apo xhamit të dritares së shefit të tij?!
Edhe dinjiteti i tyre mbeti në udhëkryq e bashkë me të thinjat e rrudhat e tyre. Puna, dinjiteti dhe ëndrra e thyer e prindërve tanë janë peng i papërgjegjshmërisë, i ndërgjegjes, i arrogancës dhe mungesës së horizontit të njerëzve të politikës.
Eh, demokracia!
E pritën si shkopin magjik që do të mbushte shtëpitë e tyre me orendi e ushqim të mirë për fëmijët. Si qilimin fluturues, i cili do t'i shëtiste të shihnin botën e bukur e të ndaluar për ta.
Por, edhe demokracia vet ishte një ëndërr e bukur që i përplasi keq sapo hapën sytë. Qilimi fluturues i trepsur u gris copë -cope. Fëmijët kanë vite të tëra që bukën e fëmijëve të tyre e nxjerrin larg Shqipërisë. Sa shtrenjtë kushton buka e fëmijëve të tyre në emigrim, aq sa malli i patretur i prindërve dhe gjyshërve në atdhe.
Nëse për ëndrrat do të kishte njësi matëse, jam e bindur se ëndrrat e prindërve tanë do të kishin masë më të madhe se ëndrrat tona e të fëmijëve tanë, sepse në ëndrrat e tyre jemi dhe ne. Në çdo rrudhë dhe thinjë të tyre janë malli, brenga dhe meraku për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.
A duhet ta kthejmë kokën pas e të kujtojmë të kaluarën?
Nëse e bëjmë këtë na akuzojnë si komunistë. Ky është dështimi ynë si komb. Ne mohojmë të kaluarën. Një njeri që mohon të kaluarën e tij sado e hidhur të ketë qenë ajo, nuk mund të ketë të ardhme. E kaluara jonë "komuniste" ka jetën e prindërve tanë dhe fëmijërinë tonë.
Aty mbeti djersa e derdhur në vite, rinia dhe bukuria e tyre. 60 vjetori atë kohë nuk ishte një ditë dhimbjeje pa kufi, por ishte një darkë e ngrohtë me fëmijët dhe nipërit, një tortë e ëmbël dhe urimin e bukur "E gëzofsh pensionin!"
Këtu prindërit tanë bëhen nostalgjik e psherëtijnë në heshtje për të kaluarën. Mirënjohje dhe respekt thinjave dhe rrudhave të prindërve tanë!
Lindita Qalliaj, Shekulli
No comments:
Post a Comment