Megjithëse firmave prodhuese u është pezulluar aktiviteti gati një javë më parë, bidonat e ujit që ata ambalazhojnë dhe tregtojnë, i gjen në çdo dyqan. Bëhet fjalë për ujin "Tirana", "Shën Mëria", "Selita" dhe "Kristal". Tregtarët shprehen se ata vazhdojnë të furnizohen normalisht dhe nuk e dinë se firmat që kanë ekskluzivitetin e këtyre markave janë ndëshkuar për shkak se nuk plotësojnë kushtet për tregtimin e tyre.
Problemi
Ndonëse u është bllo-kuar aktiviteti, që prej një jave, produktet e tyre i gjen në të gjitha pikat e shitjes së kryeqytetit. Bidonat e mëdhenj 7 litroshë të këtyre markave të ujit të pijshëm, vazhdojnë të tregtohen normalisht, megjithë nga një kontroll i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë rezultuar me një mbingarkesë të madhe mikrobike, për shkak se nuk filtrohen si duhet. Tregtarët e pakicës shprehen se ata nuk kanë dijeni që uji të jetë bllokuar dhe vazhdojnë të furnizohen normalisht nga pikat e shumicës. "Ne e marrim te pikat e shumicës ku e kemi marrë gjithmonë dhe nuk na kanë thënë gjë se ka dalë me probleme", - shprehet një pronar dyqani afër Pazarit të Ri.
Pikërisht, duke u nisur nga kjo situatë, Autoriteti Kombëtar për Ushqimin (AKU) ka pezulluar aktivitetin për katër subjekte të prodhimit, ambalazhimit e tregtimit të ujit të pijshëm në Tiranë. Kështu, në bazë të kontrollit të ushtruar ka rezultuar se uji 'Santa Maria', prodhuar nga subjekti 'Altrade' ka mangësi në procesin teknologjik të larjes së ambalazhit, tapos-jes dhe etiketimit. Një tjetër ujë problematik ka rezultuar edhe ai i markës 'Shën Mëria', makineria e prodhimit të të cilit ka pësuar defekt dhe nuk garanton produkt të sigurtë.
Në listën e zezë të markave, të cilat kanë rezultuar me probleme renditen edhe uji 'Selita' e uji 'Tirana'. Ndërkohë që subjektit 'Ferra', i cili prodhon ujin 'Kristal', Autoriteti i Ushqimit, i ka lënë një sërë detyrash të cilat duhet t'i plotësojë brenda një afati prej dy javësh, në të kundërt edhe për këtë kompani do të merret vendimi për pezullimin e aktivitetit.
Esmeralda Keta, G. Shqiptare
No comments:
Post a Comment