Brezat e ardhshëm nuk duhet të mendojnë në asnjë lloj mënyre se ne ishim të gjithë të korruptuar, të gjithë të pavëmendshëm dhe të gjithë të pavlerë. Ndaj, përveç krimeve të diktaturës, duhen renditur edhe krimet e demokracisë.
Demokracia ka sëmundjet e veta, dhe mbi to ka edhe disa nga teprimet tona, që janë ekskluzivisht tonat, ose thënë ndryshe “thelë mbi bisht”. Do të vijë një ditë, që edhe nëse dikush nuk do të përgjigjet për krimet e demokracisë, të paktën ato do të analizohen. Dhe që gjurmët të mos humbin gjatë 20 viteve të tranzicionit, po japim një përmbledhje të tyre.
Krimet e demokracisë janë të larmishme dhe të shumta:
vjedhja e votës, shitblerja e votës, korrupsioni me tenderat,korrupsioni i organizmave ndërkombëtarë në kurrizin tonë, falsifikimi i ushqimeve, shitja e ujit me çmim qumështi, prodhimi i rakisë me nitrat, shitja e duhanit radioaktiv, shitja e çimentos radioaktive, ndërtimet me cilësi të dobët, krijimi i mitit të doganierit, kthimi i mjekëve nga humanistë në xhepistë, abuzimi me ilaçet, shkatërrimi i shtratit të lumenjve, shkatërrimi i pyjeve, golemizimi, abuzimet me pronat, kthimi i gjakmarrjes, trafikimi i fëmijëve, trafikimi i femrave, aksidentet rrugore, vdekjet aksidentale, vrasjet, korrupsioni i sistemit të drejtësisë, vonimi i drejtësisë, shumëzimi i sistemit gjyqësor me zero për shkak të mosfunksionimit të përmbarimit, mosqarkullimi i elitave, abuzimi me ndihmën sociale, shkatërrimi i mjediseve kulturore e sportive, shkatërrimi i tokave bujqësore nga erozioni, zënia e tokave me ndërtime, moskthimi i pronës te pronari legjitim, grabitja masive e kursimeve të shqiptarëve nga firmat piramidale, trafiku i makinave, trafiku i armëve, grabitja e municioneve, shkatërrimi i pasurisë ushtarake, zhdukja e transportit hekurudhor, shitja për një copë bukë e aseteve kombëtare, tentativa për shitje të kufijve, vjedhja e naftës dhe aseteve naftënxjerrëse, falsifikimi i diplomave, vjedhja e tullave të shkollave, vjedhja e gurëve të kalave, shitja e zhivës së kuqe, vjedhja e thesarit të shtetit, tentativa për vëllavrasje Veri-Jug, bastardizimi i muzikës popullore shqiptare, vjedhja e ikonave, shitblerja e pushtetit, personalizimi i pushtetit, trafiku i klandestinëve, përzierja e ujërave të bardha me ujërat e zeza, vjedhja e energjisë elektrike, mosndëshkimi për shkak të imuniteteve, dhënia pa kriter e pasaportave diplomatike, trafiku i pasaportave të zakonshme, abuzimi me certifikatat, shtimi i njerëzve të mirë (magjistarët, shëruesit, profetët, fallxhorët), trafiku i drogës, prodhimi dhe përdorimi i drogës, përhapja e SIDA-s përmes transfuzionit të gjakut, diagnostikimet e gabuara të sëmundjeve, vdekjet klinike për shkak të neglizhencës, shtimi i krimit në familje, përhapja e pedofilisë, rrëmbimi i personave-pengmarrja, blerja e diplomave të huaja, privatizimi i konkurrimeve publike, pasurimi i përfaqësuesve të shoqërisë civile, skllavërimi i shoqërisë civile, vjedhja e fondeve të kanaleve ujitëse e kulluese, përmbytja e territoreve nga uji për shkaqe abuzimi, mos-hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, kthimi i Shqipërisë në një problem të vazhdueshëm për ndërkombëtarët, trafiku i vizave, shtesat e pallateve, betonizimi i qyteteve, falsifikimi i pijeve, mungesa e parqeve të lodrave për fëmijët, krijimi i mitit të sekserit, vendosja e antenave në monumentet e kulturës, mbulimi i tarracave të pallateve me rezervuarë uji, abuzimi nga kompanitë celulare, shlyerja e borxhit qindra miliona euro të Albtelekomit në një mënyrë që askush nuk e di, abuzimi që bankat bëjnë me kredidhënien për shkak të mungesës së informimit të publikut, shtimi i kredive të këqija pa pritur e papandyer, asfalti elektoral, mosngritja për 20 vjet e Teatrit Kombëtar, shtimi i borxhit të jashtëm të Shqipërisë, degjenerimi i qyteteve-muze, ndotja e ajrit në përmasa biblike, ndotja akustike, kthimi i apartamenteve në pallate në njësi prodhimi dhe tregtimi, shkolla me tre turne, shtimi i diplomave të juristëve me progresion gjeometrik, largimi i trurit, mosthithja e trurit, shitja e dosjeve të komunizmit te agjenturat e huaja, sorollatja e qytetarëve nga sistemi bankar që nuk respekton afatet dhe kontratat, mostrajtimi i minorancave, kioskëzimi, vrasja e shqiptarëve në kufi, mosdënimi i krimeve të komunizmit, liberalizimi i licencave në mënyrë të pakontrolluar (taksitë, ushqimi social, shërbimet), tregtimi i valutës në rrugë, ndërtimi i garazheve në hapësirat publike, masivizimi i vjedhjes, moszbatimi i dhjetëra strategjive të shkruara e të miratuara, mungesa e politikave aktive, politizimi i të gjitha hapësirave të jetës shqiptare, dhuna në futboll, monopolizimi i iniciativave sportive, krijimi i monopoleve ekonomike, vrasja e biznesmenëve, mungesa e sigurisë ushqimore, veshja e shqiptarëve me hedhurina, lënia e shtetësisë shqiptare, përzierja e karburanteve me lëngje të tjera, moszbatimi i ligjeve, obeziteti i popullatës, mungesa totale e veprimtarisë sportive mbarëpopullore, shtimi i duhanpirjes sidomos i femrave, shitja e medias te politika, lidhja me zinxhirë e njerëzve me probleme mendore, shitja e minierave për dy groshë, shitja e librave në rrugë, varfërimi i njerëzve të artit dhe kulturës, politikanë që deklarohen të varfër dhe jetojnë si të pasur, futja e dhunshme e milionerëve në politikë, vrasja e peshkut me dinamit dhe e gjahut me kallash, vjedhja e parave të caktuara për fatkeqësi natyrore, shtimi i pickimeve të vejushës së zezë, mungesa e ujit në rubinet, dritat me orar, rrëshqitja e kodrave me gjithë shtëpi në kurriz, këmbimi i peshkut të freskët me peshk frigoriferi, humbja e shijes së ushqimeve, shkatërrimi i monumenteve natyrore dhe kulturore, balta në dimër dhe pluhuri në verë nuk shqiten nga këpucët, stres i nivelit të shtuar deri në depresion masiv, bërja lëmsh e telave të korrentit, vjedhja e programeve audio-vizuale dhe kompjuterike, shpërdorimi i pronësisë intelektuale, caktimi i festave me ligj, multiplikimi i lokaleve dhe pabeve, mungesë intelektualizmi, e kështu me radhë...
T. Observer, Shkroi Erion Kristo
No comments:
Post a Comment