Thursday, May 5, 2011

Perëndia im, nuk perëndon...

E kujtoj si sot muzgun e asaj pasdite, kur vështroja përmes xhamit të dritares shokët e mi, të luanin plot gaz e gumëzhima në lulishten poshtë palltatit.
T'u luta të bashkohesha me ta, por këpucët e vogla i kisha lidhur pisk, siç dhe i kisha hequr prej këmbëve dhe nuk po mundja ti vishja.
Do të dalësh vetëm nëse i zgidh, por mos u vono, sepse po u err nuk ke më ku të dalësh - më the.
Nxitoja ti zgidhja e jashtë errësira dukej sikur nxitonte më tepër se unë. Po djersija nga marazi, që lidhëset e këpucës ngatërroheshin edhe më keq e nuk pranonin ti dorëzoheshin doçkave të pasprovuara. Isha gati të qaja, kur ti more këpucët e mia duke i zgidhur ato lidhëse "të mallkuara" me një lëvizje vetëtimthi të dorës dhe me tjerën më godite të pasmet duke më thënë : "Shko tani e luaj me shokët".

Ka kaluar shumë kohë, afro një çerek shekulli prej kësaj dite dhe yt bir tashmë është bërë burrë, e fiton vetë jetesën, larg teje, i gatshëm për të qenë dhe vetë baba, e përpara teje ende ndjehem ai fëmija i vogël dhe i pafuqishëm.

Gjithmonë, e akoma më shumë sot, kam e kam patur nevojë për përkrahje.
Kam nevojë të më mbështesësh, të më udhëzosh ende në rrugën e drejtë, të më qortosh kur gaboj dhe të më japësh kurajo kur dorëzohem.
Kam nevojë të më hapësh shtigje të reja, të më ndezësh dritën kur befas ndodhem i humbur në errësirë. Kam nevojë të më godasësh tek shpatullat kur pëpiqem, kam nevojë për atë fjalën tënde të mirë.

Në këtë botë prerjesh drejtëzash të padrejta, kam nevojë ende për ty babai im.
U linda dhe u rrita me baba, ky nuk është faji im, por sot po të shoh ty, të dorëzuar para jetës. Rrudhat të kanë mbuluar fytyrën, ato pak flokë që nga mbetur nga kaçurrelat e tua tashmë pothuajse janë zbardhur. Nuk lexon dot më pa syze, ushqimin nuk e shijon më me dhëmbët e tua. Lëvizjet të bëhen gjithmonë e më të ngadalta dhe gjumi yt, gjithmonë dhe më i shkurtër.
Dhe sikur të mos mjaftonte as mplakja e parakohshme e qindra mijërave betejave të guximshme që ke përballuar, presioni i lartë i gjakut, shkaktuar nga qindra shqetësime që ende mban mbi supe, ta goditi fort zemrën bujare dhe një pjesë të trurit, duke e vdekur përfundimisht atë.

Zemrën tënde nuk mundi të ta mposhtë dot ai tension i lartë, por zemrën time e theri aq fort, sa ndjeva botën të më shkërmoqej para syve. Djersë të ftohta më mbuluan.

Si mund të ishte goditur kështjella ime, si mund të rrëzohej im atë?
Përse kaq fuqishëm e papritur ky tërmet?



Nuk e di si e mbajta veten kur neurologu me një ftohtësi vrasësi profesionist fliste rreth babait tim, se truri i ishte atrofizuar nga stresi, se gjysma e trupit mund ti paralizohej dhe kjo ishte vetëm një minë me sahat e pa ç'montueshme, për të cilën duhej të përgatisnim veten nga çasti në çast, të dëgjonim shpërthimin.
Ndoshta ishte shpresa e pavetëdijshme se kjo ishte gjithçka një gabim. Kurrë një njeri i maturuar nuk mund të flasë për dhimbjen e dikujt tjetër në rolin e një mospërfillsi gaztor. Ndoshta ishte pafuqia ime, ndoshta ishte ideja se po ai doktor mund të ishte shpëtimi im, e gjithsesi ia doli mbanë të dalë i pashpërfytyruar nga ajo bisedë vrastare, madje duke marrë edhe paratë që kërkoi.

Nuk isha më unë.
Mes meje dhe botës u kris arsyeja, u zhubros jeta.
Si i marrë i dhashë makinës të të gjendesha me një frymë, sa më parë tek ti. Sapo më pe tek dera e reanimacionit, buzëqeshe forcërisht, por nuk munde të fshihje dot atë shikimin e trembur e të trishtë, atë shikimin e atyre syve që më kanë shpjeguar shkëlqimin, që më shumë se kurrë ishin fshehur përmes fytyrës tënde të bërë zjarr. U orvate të çoheshe në këmbë, me tubat e serumit varur nëpër krahë.

Ti kishe nevojë të më gënjeje, unë akoma më shumë të të besoja, por zëri yt kishte humbur atë kumtimin krenar, dora forcën për atë shtrëngimin unik at-bir.
Unë, borxhliu i përjetshëm, larg teje, një skllav metropoli, që puna për të fituar bukën e gojës e ka burgosur dhe nuk më lejon të të jem pranë, ti lidh e zgidh këpucët, babait tim....

Ti ishe, je dhe do të jesh gjithmonë.
PERENDIA IM, NUK PERENDON...!

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: