Ti sytë i ke mbushur me lot dhe derën e dhomës ke mbyllur me çelës.
Në sfond dëgjohet një muzikë alternative që amplifikon artificialisht dhimbjen tënde.
Prindërit nuk të kuptojnë dot më dhe akoma më pak ti ata. Sjelljet e tyre ndaj teje, të padrejta, kufizimet... të paarsyeshme. Ndoshta nuk është e ekzagjeruar që mendon se ata nuk të duan dhe ti këto caste më tepër se këdo, i urren.
Me shoqen tënde të ngushtë që gjithçka i thoni njëra-tjetrës, do doje të ishe tani.
Veten e ndjen të fyer dhe në ditarin tënd sekret, fshehur në një valixhe që e kyç me kujdes, nis shkruan e nxin mbi prindërit e tu. Qan me ngashërim e lotët të rrjedhin të nxehta, ndër faqet ku çdo ditë mbin nga një puçërr e re e moshës. Ndër mend të vërtiteten plot ide fataliste. E ndjen veten si një viktimë të keqedukimit prindëror dhe hë për hë luan me veten duke menduar se cila mënyrë vetëvrasjeje do të ishte më e bujshme. Helmimi, varja apo hedhja nga dritarja? Cila mënyrë do të lëndonte më tepër prindërit e tu dhe do ti bënte të uleshin në gjunj të penduar? Prindërit e tu nuk të japin leje të kalosh natën jashtë me shoqërinë tënde. Je e bindur se ata të ndrydhin qëllimisht që të mos gëzosh në moshën më të bukur të jetës, pasi atyre me siguri ju vjen inat se kur ata ishin në moshën tënde nuk i kishin mundësitë që brezi juaj ka sot. Ndryshe prej prindërve të tjerë të shoqërisë tënde, prindërit e tu nuk janë të pasur, pavarësisht se të kanë rregjistruar në një shkollë të shtrenjtë. Madje edhe për rrobat dhe aksesorët e tu të shumta, shtrëngohen aq shumë sa yt atë ka katër vite me një pale këpucë.
Ata për ty nuk janë prindër të suksesshëm dhe ti nuk e di pse të sollën në jetë kur nuk e kishin mundësinë për t’iu përgjigjur kërkesave të tua, gjithmonë e në rritje.
Nuk i duron dot këshillat e tyre standarte e së fundmi, as puthjet e përqafimet. Të vjen zor prej tyre kur të vizitojnë në shkollë dhe gjithmonë përpiqesh ti shmangësh. Mamaja jote i lyen flokët një herë në gjashtë muaj dhe barku i saj po parakalon dalëngadalë edhe gjinjtë.
Shokët e tu kanë celularë, fjalët e fundit të teknologjisë, ndërsa ty ndoshta për të të ulur para shokëve, të kanë blerë një celular të para dy viteve, të cilin ti nuk guxon as ta nxjerrësh prej çante, kur dikush të telefonon. Kur ktheheni pas pushimeve verore të gjithë tregojnë kujtimet, emocionet e përshtypjet e tyre rreth udhëtimeve rreth e përqark botës, ndërsa ti s’ke pse tregon ç’ke parë rreth Shqipërisë e ndonjëherë edhe vetëm rreth e rrotull shtëpisë.
Herën e parë që shkove në shtëpinë e shoqes tënde u mrekullove aq shumë , sa kur u ktheve në shtëpi nuk i fole askujt me gojë .
Ti qan me psherëtima për fatin tënd të keq, por duhet fillimisht të dish se askush nuk i zgjedh prindërit e tij.
Së dyti, duhet të kujtosh se ndryshe nga prindërit e ndarë të shoqes tënde, ti ke shërbyer si urë ndërlidhëse e transportuese e dashurisë së prindërve së tu, që edhe pse ndoshta nuk vishen me rroba firmato, çdo pasdite i sheh bashkë përdore, apo me një kafe në atë ballkonin e vogël mbushur me lule të blera lirë.
Askush nuk mund të jetë krenar për situatën e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet, por nuk besoj se mund të ketë tjetër gjë më të rëndë për një prind se të gjykohet në këtë aspekt, pikërisht prej fëmijës së tij.
Akoma më pak ata prindër, që nuki kanë ndalur asnjëherë përpjekjet për të punuar sa më fort dhe sa më shumë, vetëm për fëmijët e tyre.
Ata prindër që për hir të bukës së fëmijëve të tyre kanë gëlltitur edhe përbuzjen në punë edhe nënqeshjet ironike të eprorëve edhe shfrytëzimin e gjithçka tjetër do donin të të tregonin vetëm një të vërtetë të madhe.
Do donin të të tregonin që ajo nënë që nuk mund të garojë më për modele ka sakrifikuar karrierën e saj për të të sjellë në dritë dhe për të të rritur me përkushtim e dashuri, mes motrash apo vëllezërish. Ti vërtetë në shtëpinë tënde nuk ke një pastruese, apo shërbëtore, por ke mësuar e je përgatitur të jesh e aftë të përballosh nesër jetën tënde vetë.Ti do të rritesh e do të kuptosh vetë se mirëqenia ekonomike nuk varet drejtëpërsëdrejti prej aftësive, dëshirave, ëndrrave apo ambicjeve të çdokujt.
Shpeshherë jeta tregohet e padrejtë, shpesh vendos fati, trashëgimia, padrejtësia, e lloj e lloj rrethanash të ndryshme mbi të cilat jemi kaq të pafuqishëm. Por prindërit e tu e bëjnë gjumin të qetë dhe askush nuk i bën me gisht në rrugë, tek ecin me kokën lart.
E megjithatë, nuk do jetë e largët dita kur të kuptosh se pasuria e vërtetë është njeriu, dashuria dhe harmonia mes familjes dhe njerëzve të tu të afërm. Një përshëndetje e sinqertë me komshinjt, fqinjtë dhe një takim i përmallshëm mes miqsh të vjetër e të vërtetë, vlen më tepër se çdo buzëqeshje, lajkë e përulje hipokrite servilësh. Shijon më tepër një mollë e ndarë në 4 pjesë se 4 kile mollë që kalben çdo ditë mbi tavolinë. Shijojnë më tepër dy lekë të fituara me djersë, se ato që vijnë e shkojnë, pa të treguar vlerën e tyre. Ato para, për të cilat ti nuk ke më asnjë shok të sinqertë, asnjë natë të qetë me ëndrra, asnjë ditë me arsye shpresë e motivim për ta jetuar.
Dinte shumë mire yt at të dypunësohej, apo të trepunësohej duke punuar ditë e natë, por në ato hapat e tua të para në jetë, si mundej vallë të mungonte?
Si mund të mungonte në ditën tënde të parë të shkollës, në recitimin tënd të parë në skenë? Si mund të mungonte në netët e gdhira në spitale?Po, ti ke të drejtë ti akuzosh prindërit e tu, por nuk mundet kurrë ti gjykosh pse ishin kaq të magjepsur prej teje.
TE GJITHE KESHTU KANE MENDUAR, KAQ GABIM KANE MENDUAR TE GJITHE!
Fshiji lotët bija ime sepse askush nuk i kuptoi prindërit e tij deri ditën kur prind u bë vetë, por atëherë s'kishte më kohë për ta, i përkushtuar me fëmijën e vet.
Shkroi: Stop Injorancës !
No comments:
Post a Comment